Arbëri

Identifikimi biometrik i punëtorëve, shkelje e katërfishtë e ligjit

 

Regjistrimin e të dhënave biometrike për të mbajtur evidencat e hyrje-daljeve të punonjësve, Agjencia për Informim dhe Privatësi ua ka ndaluar dy ndërmarrjeve në Kosovë. Në vendimet që i ka marrë, agjencia i ka urdhëruar që të ndalin përpunimin e të dhënave të tilla. Inspektim agjencia ka paralajmëruar edhe në Universitetin e Prishtinës. E në UP kanë thënë se të kenë kërkuar opinion ligjor për këtë çështje rreth një muaj më parë

Ankesa ndaj regjistrimit të të dhënave biometrike janë ngritur edhe në Kosovë. Agjencia për Informim e Privatësi ua ka ndaluar me vendim, përdorimin e pajisjeve për regjistrimin e të dhënave të tilla, për hyrje-daljet e punonjësve, dy ndërmarrjeve. Agjencia ka konstatuar se Telekomi i Kosovës dhe ELNOR SHPK nuk kanë bazë ligjore dhe se shkelin katër nene të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Nëpërmjet këtyre vendimeve, AIP-ja ka vendosur për ndalimin e përpunimit të të dhënave të fytyrës së personave, t’i shkatërrojnë ato ekzistuese dhe t’i raportojnë agjencisë brenda 15 ditësh për zbatimin e vendimit. Gjatë inspektimit në Telekom, janë gjetur shtatë pajisje të tilla, që i kanë marrë të dhënat biometrike qindra punëtorëve dhe se ka pasur teknologji të tillë të instaluar nëpër objekte të ndryshme në kryeqytet.