4 perditesime
15:42

Selimi: S’kam të bëj asgjë me akuzat e prezantuara

Ish-deputeti i Kosovës, Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e reja ndaj tij, të paraqitura nga Gjykata Speciale, në seancën e së martës.

Selimi ashtu sikurse edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, janë paraqitur të martën para gjykatës, për shkak të akuzave të reja, lidhur me krimet që pretendohet se janë kryer në Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më 28-29 prill 1999, dhe në Gjilan, në korrik të vitit 1999.

“Pohoj se nuk kam të bëj asgjë me krimet dhe akuzat e prezantuara në këtë aktakuzë”, ka thënë Selimi.

14:34

Krasniqi deklarohet i pafajshëm ndaj akuzave të reja, kërkon shpejtim të gjyqit

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave të reja të bëra ndaj tij nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Krasniqi në paraqitjen e tij në Hagë të martën, ka thënë se ndjehet i turpëruar që jeton në një kohë ku me aq lehtësi shkatërrohet jeta e njerëzve e familjeve që guxuan të luftojnë për liri.

“Mbase jam gabim, por kurrë s’do të besoja, sikur të mos ishte ky rast, se juristë të shkolluar në vendet me demokraci liberale e me traditë, që pretendojnë se punojnë në sistem të drejtësisë kredibile, guxojnë të ngrenë një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë jetën, lirinë e të drejtën e individit dhe jo vetëm të individit, por godet tepër rëndë, e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim”, ka thënë Krasniqi. “Më vjen turp se po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi, që me aq lehtësi ia shkatërron jetën, njerëzve e familjeve që guxuan të luftojnë për liri, demokraci e pavarësi”.

Krasniqi ka thënë se ka marrë edhe akuzën e re dhe thotë se e ka të vështirë t’i kuptojë ato, pasi është i bindur se vepra të tilla nuk ka kryer kurrë në jetën e tij.

“Unë zoti gjykatës i kam lexuar gjitha dokumentet, aktakuzën dhe shtesën e fundit. Mund të them me bindje të plotë se e kam të vështirë të kuptojë edhe akuzën e parë e edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë s’kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem plotësisht i pafajshëm dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos mbahemi kaq gjatë padrejtësisht në paraburgim”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se gjithmonë i ka luftuar padrejtësisë, pavarësisht se sa e rrezikshme ka qenë, porse për më të dobëtin kurrë s’ka shfaqur as shenja agresiviteti e as përbuzje.

11:50

Veseli deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja 

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar i pafajshëm të martën në seancën e radhës të Gjykatës Speciale, lidhur me akuzat e reja për krime në Budakovë dhe Semetishtë të Suharkës, dhe në Gjilan.

Pasi gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka paraqitur aktakuzën e re, e ka pyetur Veselin nëse e ka marrë atë të ndryshuar, i cili ka thënë se e ka pranuar atë.

Ndërkohë, pas kësaj, sekretarja e gjykatës, i ka lexuar akuzat e reja, të cilat përfshijnë krime të mundshme në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës në periudhat midis 4 korrik 1998 dhe shtatorit të vitit 1998 dhe më 28-29 prill 1999, dhe në Gjilan në korrik të vitit 1999.

Pas leximit të akuzave, Veseli është pyetur nëse i ka kuptuar ato, ndërkaq Veseli është përgjigjur duke thënë se dëshiron që sa më shpejtë të nis gjyqi ndaj tij, në mënyrë që të shpreh pafajësinë para qytetarëve të Kosovës, ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe gjyqit.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën të shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, është shprehur Veseli.

Ndërkohë, pas kësaj, Guillou ka kërkuar nga Veseli që të deklarohet për këto akuza nëse do.

Veseli ka thënë se është i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm”, ka qenë i shkurtër Veseli

10:42

Thaçi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat e reja

Lidhur me akuzat e reja për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjilan, Budakovë dhe Seminishtë, në seancën e së martës në Speciale, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm.

Ndërkaq, edhe ka thënë se nuk i ka kuptuar të njëjtat pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexojë, pasi janë shumë të redaktuara.

Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se qëllimi i kësaj seance, është t’i lexohen të akuzuarit akuzat e paraqitura në gjuhën që flet, të konfirmohet se e kupton aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit të respektohen.

Tutje, gjykatësi tha se Thaçi do të informohet se brenda 30 ditësh mund të vetdeklarohet për fajësinë apo pafajësinë,por edhe se të njëjtin deklarim mund ta bëj edhe gjatë kësaj seance.

I pyetur nga gjykatësi Guillou se a ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të datës 29 prill 2022, e cila përmban ndryshimet, pra akuzat e reja, Thaçi e konfirmoi këtë.

Më pas, i erdhi radha leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës, por me propozim të mbrojtjes dhe aprovim të Thaçit, ata kanë bërë të ditur se nuk kanë nevojë të lexohen akuzat e reja.

E më pas, gjykatësi Guillou tha se kërkon nga sekretarja të mos i lexoj akuzat e reja.

Ndërsa, Thaçi i pyetur se a kupton akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar, i njëjti deklaroi se nuk i ka kuptuar pasi nuk ka pasur mundësi t’i lexoj pasi janë shumë të redaktuara.

Avokati Gregory Kehoe tha se akuzat janë shumë të redaktuara dhe kjo e bën klientin e tij dhe të akuzuarit e tjerë të mos kenë mundësi të kuptojnë se çfarë saktësisht po paraqet Prokurori i Sspecializuar dhe se kjo është vështirësi e vazhdueshme.

“Me këto redaktime është e pamundur të kuptohet nga ai se për çfarë bëhet fjalë dhe ne i kemi kaluar këto me Thaçin, i kemi diskutuar këto çështje dhe kemi thënë se do të vetdeklarohet i pafajshëm në këtë moment”, tha Kehoe.

Ndërsa, Thaçi tha se nuk dëshiron të shtoj diçka, dhe deklarohet i pafajshëm megjithëse lëndën nuk e ka lexuar e kuptuar, por se deklarohet i pafajshëm.

“Duke pas parasysh këto redaktime, presidentit Thaçi po paraqet një deklarim jo fajtor, i pafajshëm” tha Kehoe.

Gjyqtari tha se e thotë për publikun se ka vërtetë redaktime në aktakuzë dhe se ato janë miratuar nga gjykata.

Tutje, gjyqtari Guillou, lexoi Thaçit të gjitha të drejtat e tij të garantuara me ligj, për të cilat ai tha se i ka kuptuar të njëjtat.

Më pas, gjykatësi tha se e pyet zyrtarisht lidhur vetdeklarimit, edhe pse Thaçi e tha më herët.

“Do të kërkoj zyrtarisht të më thoni nëse deklaroheni fajtor apo jo fajtor lidhur me akuzat e reja që përmban aktakuza e ndryshuar”, tha Guillou.

“Zoti gjyqtar theksova edhe njëherë amendamentet e juaja shtesë janë të redaktuara, jam munduar t’i lexoj, nuk kam arritur, prandaj nuk kam mundur edhe t’í kuptoj dhe deklarohem i pafajshëm”, tha Thaçi.

Në fund, avokati Kehoe, deklaroi se ende apeli që kanë bërë për mangësitë në formën e aktakuzës është në Dhomën e Gjykatës së Apelit dhe nuk kanë marrë akoma përgjigje.

“ Po kështu është edhe çështja tjetër është për afatin e mocioneve sipas rregullës 94”, tha Kehoe.

Gjykatësi tha se afatet do të fillojnë nga dita e sotme./Betimi për Drejtësi

07:41

Sot në Hagë bëhet paraqitja e mëtejshme e Thaçit dhe të tjerëve

Të martën, në seanca të ndara në Hagë do të bëhet paraqitja e mëtejshme e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit Special ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në njoftim thuhet se aktakuza e re pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohen krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe Gjilanit.

Gjykata Speciale versionin e redaktuar të aktakuzës së re e ka publikuar në ueb-faqen e saj.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.