1 perditesime
21:35

Ilazi: Nevojitet pavarësi e institucioneve të akreditimit nga ndërhyrjet politike

Kryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), Hasnije Ilazi, ka thënë se nevojitet të sigurohet pavarësia e institucioneve të akreditimit, që sipas saj nënkupton pavarësi nga ndërhyrjet politike.

“Agjencia parashihet të titullohet si rregullativ, madje ka pasur edhe sugjerime që të quhet e pavarur. Nuk është me rëndësi si quhet, por se çka ka brenda, mënyra se si përzgjidhet stafi i Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, mënyra se si merren vendimet, se si përcaktohen standardet në përputhje me standardet ndërkombëtare. Të gjitha këto procedura duhet të jenë të pavarura”, ka thënë ajo në emisionin “Sonte me Ronin” në KTV.

Sipas Ilazit, kjo do të ishte një rrugëdalje pasi deri tash, Agjencia e Akreditimit ka funksionuar në bazë të udhëzimeve administrative, që i bie se secili ministër në pozitë ka mundur t’i ndryshojë ato.

Ajo ka njoftuar se në fillim të qershorit, përfaqësuesit e ENQA-s do ta zhvillojnë një vizitë në Kosovë për të parë se cilat prej rekomandimeve të tyre janë përmbushur dhe si të ecet tutje.

“Ligji duhet të jetë një orientim i përgjegjshëm dhe i përgjithshëm që tregon se kemi besim në institucione të pavarura dhe duhet të fillojmë të besojmë te njëri-tjetri. Kur të vijnë këta përfaqësues të ENQA-s në fillim të qershorit, do të shohim se ku jemi. Ne duhet të kuptojmë edhe një gjë, nuk duhet të shohim se sa i kryen detyrat e shtëpisë agjencia. Secili institucion që ka të bëjë me arsimin e lartë do të vlerësohet në këtë kontekst. Përfshirë politikën, shoqërinë civile, mediat”, ka njoftuar ajo.

Ilazi më tej ka thënë se ENQA gjatë verës së vitit 2021 ka bërë disa ndryshime brenda statutit të saj dhe tani potencohet se anëtarë të ENQA-s mund të jenë vetëm institucionet të cilat janë brenda kontekstit të hapësirës evropiane të arsimit të lartë, e që Kosova ende nuk është.

Kryetarja e KSHC-së ka njoftuar se në tetor të këtij viti do të organizohet konferenca e parë rajonale e Agjencive të Akreditimit, duke përfshirë edhe vendet që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe nga ENQA në mënyrë që të krijohet një rrjet që do të jetë funksional në kuptimin e përkrahjes së agjencive nga njëra tjetra në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

20:48

Ilazi: Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë krijuar pa kritere

Kosova ka nevojë për institucione të arsimit të lartë, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të krijohen pa kritere, ka thënë Hasnije Ilazi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën. Sipas saj, deri tash, shumë prej institucioneve janë krijuar pa i përmbushur ato.

Ilazi ka thënë se në krijimin e institucioneve të arsimit të lartë ka pasur kaos edhe në aspektin e programeve të tyre.

“Kosova e ka një popullatë të re dhe ka nevojë më tepër për institucione të arsimit të lartë, por kjo nuk do të thotë se ato duhet të krijohen pa një kriter, dhe kriteri deri tash ka qenë pa kriter. Jo vetëm për numrin e institucioneve sa janë hapur dhe për çfarë arsye janë hapur, dhe sa kanë qenë në gjendje ta arsyetojnë ekzistencën e tyre, por po ashtu ka qenë një far kaosi total edhe në kuptimin e asaj se sa programe bëjnë përpjekje këto institucionet t’i zhvillojnë, t’i hapin apo të aplikojnë për akreditime. Kemi pasur rast që një kolegj privat ka ardhur me kërkesën e akreditimit të 40 programeve. Kjo është diçka e pamundur, nuk ka kufizim që mundet ta parandalojë këtë, por e dimë apriori që nuk mund të jenë të gjitha në nivelin e duhur”, ka thënë Ilazi.

Sipas saj, profilet në institucionet e arsimit të lartë duhet të lidhen me profilet që janë më të kërkuara në nivelin global.

“Ekziston përpjekja që edhe programet të hapen sipas asaj se ku shohim se ka më tepër interesim për studim e që ndonjëherë as vetë kandidatët për studentë nuk e kanë të qartë se pse i zgjedhin ato profile”, ka thënë Ilazi.