1 perditesime
23:43

Bytyçi për anëtarësimin e Kosovës në KE: Themelimi i Asociacionit, jo i domosdoshëm

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është i domosdoshëm për të drejtat e njeriut e as për të drejtat e pakicave, fusha në të cilat Kosovës do t’i duhet të punojë si anëtare e mundshme e Këshillit Evropian.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Bytyçi ka thënë se në rast të anëtarësimit në KE, Kosova do të përballet me çështjet e funksionimit të ligjit, sistemit të drejtësisë, me zbatimin e të drejtave të njeriut, të cilat mund të kenë pasoja politike.

“Asociacioni nuk është diçka e domosdoshme për të drejtat e njeriut e as për të drejtat e pakicës. Është diçka politike, është një gjë që është trashëguar nga pakoja e Ahtisaarit, pastaj është bërë marrëveshja e Brukselit, por nuk do të thotë se është e domosdoshme për të drejtat e njeriut. Janë aspektet tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, është respektimi i gjuhës, të drejtave për votim, shprehjes së lirë, mirëpo Asociacioni nuk është i domosdoshëm për ato. Sfida kryesore është sistemi i drejtësisë, por është edhe lufta kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Bytyçi ka shtuar se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare do të ishte një sukses i madh për Kosovën, pasi KE-ja është organizata më e vjetër në Evropë dhe do të rezultonte në një thyerje të izolimit.

“Do të ishte një lloj thyerje e izolimit sepse mundësohet qasje dhe pjesëmarrje në rrjete të ndryshme në çështjet e drejtësisë. Ka edhe mundësi të delegimit dhe punësimit, por më shumë bëhet fjalë për pjesëmarrje në grupe punuese, në turne të ndryshme dhe në vendimmarrje për institucionet dhe faktikisht Kosova do ta ketë një votë, diçka që nuk e ka”, ka thënë ai.

23:13

Bytyçi: Anëtarësimi i Kosovës në KE mund të përmbyllet shpejt

Seb Bytyçi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës mund të përmbyllet shpejt, nisur nga atmosfera që po mbretëron në Evropë, si pasojë e luftës në Ukrainë.

Bytyçi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se më 20 maj mblidhet komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës dhe se gjatë këtij takimit mund të diskutohet edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë organ.

“Nëse nisemi në përgjithësi nga atmosfera në Evropë, pas luftës në Ukrainë, atmosfera e krijuar ku ka një lloj konsolidimi të radhëve në perëndim dhe ka interes që të konsolidohen çështjet e hapura. Tash e kemi aplikacionin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Nëse shihet me atë kontekst, edhe aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në KE, mund të përmbyllet mjaft shpejt. Nëse ka shtyrje nga shtetet e mëdha evropiane, procesi mund të përfundojë më shpejt”, ka thënë Bytyçi.

Ai ka shtuar se pavarësisht se ka përkrahje për Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, asgjë nuk është e garantuar, derisa rastin e ka krahasuar edhe me votimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Fatmirësisht ka një përkrahje për Kosovën. Ekziston një përkrahje dhe nëse nisemi nga numrat, shtetet që e njohin Kosovën e përbëjnë shumicën e nevojshme në Këshillin e Evropës. Por prapë ajo nuk është e garantuar. E kemi përvojën e UNESCO-s ku kanë votuar kundër ose kanë abstenuar edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën. Nuk ka hapësirë për komoditet por gjasat janë shumë të mira që të kalojë aplikacioni në komitetin e ministrave dhe pastaj në fazën e dytë merret një opinion pozitiv në asamblenë parlamentare ku delegatët votojnë secili individualisht”, ka shtuar Bytyçi.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dorëzuar të enjten aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar, pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia.