Janë mbushur dhjetë vjet nga nisma për një abetare të përbashkët të të gjitha shkollave ku mësohet shqip në rajon. Por edhe sivjet festa e abetares është shënuar me premtimin se unifikimi i abc-së do të ndodhë së shpejti.
“Nga shtatori, fëmijët shqiptarë do të kenë në duar abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila do të jetë unike dhe cilësore. Pra po kujdesemi që takimi i parë me librin shkollor i fëmijëve tanë të jetë i këndshëm”, tha ministrja e Arsimit të Kosovës, Arbërie Nagavci.
Ministrja Nagavci e ka dhënë zotimin gjatë një vizite në Pejë në festën e abetares që e ka organizuar shkolla “Asdreni”. Nuk ka dhënë ndonjë datë konkrete, por i është referuar muajit shtator të këtij viti.
Hasan Muçaj, drejtor rajonal i arsimit në Komunën e Lezhës, ka thënë se Shqipëria është dakord për një abetare mbarëkombëtare.
“Unë dua të përforcoj atë që tha zonja ministre. Një nismë të mrekullueshme nga shteti amë, nga kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, që shqiptarët të kenë një abetare të përbashkët, ka qenë një porosi që ai jo vetëm të jetë, thjeshtë një libër, por të jetë nga librat më cilësorë, një nga librat më të mrekullueshëm dhe një nga librat më kombëtarë që kanë pasur fëmijët tanë”, tha Muçaj.
Në ceremoninë festive morën pjesë edhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët shpresojnë se nga ky vit, të gjithë nxënësit shqiptarë do ta kenë të njëjtën abetare në duar.
Nisma për një abetare të unifikuar është ndërmarrë më 2012 nga kryeministrat e asaj kohe: Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. Atëkohë, patën promovuar një abetare të unifikuar, por që ishte opsionale dhe jo e detyrueshme për shkollat.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.