Arbëri

Kosova rrit për gati 70 për qind eksportin në Shqipëri

 

Kosova ka rritur dukshëm eksportet me Shqipërinë në muajin prill dhe në katër muajt e parë të vitit 2022, në krahasim me periudhat e njëjta të një viti më parë. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave) për muajin prill të këtij viti, Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 10.35 milion euro, krahasuar me 6.9 milionë euro që ka eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 50 për qind. Në gati 70 shkon përqindja kur bëhet fjalë për periudhën katërmujore. Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 38.9 milionë euro, krahasuar me 23.4 milionë euro që kishte eksportuar për katërmujorin e parë të vitit 2021, duke shënuar një rritje me 66%.

Shqipëria ka shënuar ulje të eksporteve me Kosovën për muajin prill, krahasuar me një vit më parë, ndërsa për katërmujorin ka shënuar rritje. Për muajin prill të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë 23.3 milionë euro mallra, krahasuar me 26.7 milionë euro të së njëjtës periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej më pak se 13 për qind. Ndërsa për 4-mujorin e parë të këtij viti, Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 105 milionë euro, krahasuar me 80.5 milionë euro të së njëjtës periudhë të vitit 2021, duke shënuar një rritje me 30.4%.