Arbëri

Zogaj: I dëmshëm komentimi që këshilltarja e MD-së ia bëri dënimit të deputetes Vrenezi

 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i ka cilësuar të dëmshme komentet nga politikanët dhe zyrtarët lidhur me dënimin me burgim prej tre vjetësh ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi.

“Më ka lënë përshtypje komenti i një këshilltareje, nëse nuk gabohem, në Ministrinë e Drejtësisë (Nazlije Bala v.j). Kur e mendojmë me kapacitetin e anëtarëve të Këshillit, jemi shumë të rezervuar t’i komentojmë vendimet gjyqësore sepse duhet të njihet konteksti, faktet, provat, specifikat e rastit për të dhënë një kualifikim dhe nga perspektiva e një këshilltari që nuk ka asnjë lidhje me çështjen do të thotë bëhen komente për vendimmarrjen, është tepër e dëmshme, është e papranueshme”, ka thënë ai në “Tempus” të KTV-së.