1 perditesime
Arbëri

Hoxha: Turqia dëshiron ta rrisë pazarin e saj me kundërshtimin ndaj Finlandës dhe Suedisë

Hoxha: Turqia dëshiron ta rrisë pazarin e saj me kundërshtimin ndaj Finlandës dhe Suedisë
Foto: Ushtrimet e Ushtrisë suedeze në verën e vitit 2020/AP
23:37

Hoxha: Turqia dëshiron ta rrisë pazarin e saj me kundërshtimin ndaj Finlandës dhe Suedisë

Abit Hoxha, ligjërues për media dhe konflikt në Universitetin e Adgerit në Norvegji, ka thënë se Turqia me mospërkrahjen e saj për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, dëshiron vetëm ta rrisë pazarin e saj me këto dy vende.

Në një intervistë për Interaktivin e KTV-së, Hoxha ka thënë se ky reagim i Turqisë, që thotë se këto dy vende janë “shtëpi të organizatave terroriste”, duke iu referuar strehimit të personave që kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve e Kurdistanit, është i pritur.

Ai beson se Turqia do të tërhiqet nga ky kundërshtim, pasi çështja të cilën e ka ngritur presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, nuk është aq madhore sa anëtarësimi i këtyre dy shteteve në aleancë.

“Presidenti turk (Rexhep Tajip Erdogan) do që ta rrisë pazarin e Turqisë. Është e vërtetë që Turqia është e vendosur në një pikë interesante strategjike dhe është e vetëdijshme se mund të negociojë pozitën e saj karshi vendeve të tjera të NATO-s. Është njëfarë loje luanësh në NATO, prandaj është një reagim pothuajse normal i Turqisë por nuk besoj që do të vazhdojë deri në fund të kundërshtohet kjo. Aleanca politike e NATO-s është më e rëndësishme sesa aleanca militare ose ushtarake e NATO-s. NATO-ja është aleancë puro ushtarake, por edhe aleancë politike dhe kjo si duket është punë më e rëndësishme dhe pazari midis dy vendeve aplikuese dhe Turqisë është më shumë politik sesa ushtarak”, ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se nuk pret që lufta në Ukrainë të përfundojë në një afat të shkurtër kohor, por sipas tij do të ketë rënie të intensitetit të luftës dhe stërzgjatje të saj.

“Mund të ketë edhe një skenar të tretë, që kjo luftë do të zgjasë për një kohë më të gjatë, nuk jam parashikues i mirë për të thënë edhe sa, por fakti i mobilizimit të civilëve nga presidenti Zelensky tregon që kjo luftë do të jetë edhe më e përgjakshme sesa e paramendojmë, se do të ketë edhe viktima të tjera, se zgjatja e kësaj lufte do të varet edhe nga një telefonatë ku do të merren vesh Putin dhe dikush tjetër përveç Zelenskyt, që do të shpëtonte fytyrën e Putinit dhe do t’i jepte Ukrainës atë që i takon. Nuk shohim një përfundim të menjëhershëm edhe po të involvohej NATO. Ukraina ka një territor aq të madh, ka një front të hapur aq të madh sa do të duhen muaj të tërë për t’u tërhequr forcat ruse”, ka përfunduar ai.

23:20

Hoxha: Kapacitetet ushtarake të Finlandës dhe Suedisë më të mëdha se që mendohet

Finlanda dhe Suedia, dy shtetet që të mërkurën do të aplikojnë për pranim në NATO, kanë kapacitete ushtarake mbrojtëse dhe dëmtuese, më të mëdha se që mendohet, sipas Abit Hoxhës, ligjërues dhe studiues i medias dhe konfliktit në Universitetin e Agderit në Norvegji.

Në “Interaktiv” të KTV-së ai ka treguar avantazhet që mund të kenë këto dy shtete në rast të ndonjë nisjeje të pushtimit nga ana e Rusisë.

“Deri para rreth 3-4 muajsh, nuk besoj se ka pas dikush që merret me studime të mbrojtjes e sigurisë që ka menduar se dikush në Evropë mund t’i bëjë rezistencë Federatës Ruse. Këta muaj kanë qenë determinues për të parë se kapaciteti luftarak i Rusisë është stërvjetëruar. Është që prej Bashkimit Sovjetik. Një pjesë e madhe e makinerisë po del të jetë me datë të prodhimit nga koha e Bashkimit Sovjetik. Një shtet i vetëm si Ukraina, siç po shihet edhe nga mendimi i Bashkimit Evropian dhe të tjerëve, po i bën ballë mjaft mirë”, ka thënë ai.

Hoxha ka thënë se Finlanda dhe Suedia kanë kapacitete më të mëdha se ajo që dihet në opinion e se kanë avantazh territorial të mbrojtjes në krahasim me atë që mund ta ketë Rusia si sulmuese e mundshme.

“Finlanda ka histori me rezistencën ndaj Rusisë në Luftën e Dytë Botërore. Ka histori fantastike. Kur diçka e tillë është narracion nacional historik është motivi më i fortë për të mbrojtur vendin. Kombi finlandez ka respekt për Rusinë si ‘kundërshtar’ në kontekstin që i njeh taktikat ruse, ekonominë e mentalitetin rus dhe mendoj se Finlanda do të bënte ballë shumë më shumë se që mendojmë ne në numra realë të ushtrisë. Suksesi i një ushtrie s’varet shumë nga rekrutimi apo pagesës së ushtarëve, por prej motivit dhe qëllimit të saj”, ka thënë ai për mundësinë që Finlanda t’i bëjë ballë sulmeve të mundshme të Rusisë.

Sa i përket Suedisë, Hoxha ka folur në qasje krejt ndryshe të kapaciteteve ushtarake.

“Suedia është ndër prodhueset më të mëdha evropiane të armëve. Ndër ushtritë më të avancuara. Pse s’kanë qenë në NATO, më shumë ka të bëjë me qasjen politike që të ruajë neutralitetin që ka pasur, por s’do të thotë se është pa përgatitje e mbrojtje. Është ndër vendet me mbrojtjen më të organizuar. Ka pas edhe disa fushata në Suedi së fundmi ku popullata përgatitet për invazion apo simulim të sulmit”, ka shtuar Hoxha.

Sipas Hoxhës, fillimi i luftës në Ukrainë ka bërë që të nisë fundi i neutralitetit si doktrinë. Ai ka thënë se shtetet në kufi me Rusinë e ndiejnë veten më të sigurta si pjesë të NATO-s. Ka shtuar se aplikimi i Finlandës dhe Suedisë për pranim në NATO vjen edhe për shkak të kërcënimeve jodirekte. Hoxha ka vlerësuar se Finlanda e Suedia janë kompatibile në rregullat për pranim në NATO.