1 perditesime
15:35

Sveçla: Kërkohet vigjilencë e shtuar nga të gjitha organet e sigurisë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se një vit më parë vendi po përballej me pandeminë por jo me luftë siç po përballet Evropa sot.

Ai ka thënë se lufta në Ukrainë i ka bërë që ta kuptojnë edhe më mirë se kush është Serbia,

“Ne duke e pasur një fqinj që mbështetë politikat ruse, e dimë që ka pretendime territoriale. Natyrisht që nuk i dorëzohemi kësaj çështjeje dhe jemi të gatshëm të shtyjmë përpara politikat e demokracisë e barazisë por jemi të bindur se parimi i reciprocitetit dhe i barazisë në vendimmarrje janë garantuesit e sigurisë. Duke qenë se shumë vite më parë e kishim të qartë se Kosova duhet të fokusohej në politikat e sigurisë ne e vendosëm një plan pune dhe u mobilizuam që në ditën e parë të punës. Këtë e bëmë me luftim të krimit të organizuar e korrupsionit”, ka thënë ai

Sveçla ka thënë se sot kur po flitet për sigurinë në vend e gjithë bota po përballet me cenim të sigurisë duke u mobilizuar më shumë me politika të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Edhe ne tashmë si eksportues të sigurisë dhe stabilitetit jemi pro politikave evropiane për të vendosur sanksione ndaj provokimeve të Rusisë e Bjellorusisë. Serbia nuk është rreshtuar kështu, ajo jo vetëm me sulme ndaj zyrtarëve të Kosovës por edhe verbalisht ka konfirmuar se është satelit i Rusisë dhe mbështetëse e politikave të Rusisë. Provokimet ruse vazhdojnë të jenë të pranishme në Kosovë edhe sot”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kërkohet një vigjilencë e shtuar nga të gjitha organet e sigurisë.

Sipas tij, grupet e ndryshme kriminale që mbështetën drejtpërdrejt nga Serbia i shohin si pengesë veprimet e organeve të rendit.

“Përkundër që siguria jonë është sfiduar me metoda të ndryshme nga Serbia, situata në vendin tonë është stabile. Ne jemi siguruar që institucionet të jenë në nivel të lartë profesional. Ne jemi angazhuar që t’u krijojmë kushte pune policisë së Kosovës. Luftimi i çdo lloj krimi të organizuar mbetet synimi ndaj të cilit asnjëherë nuk do të bëjmë kompromis”, ka thënë ai.

14:51

Berisha i thotë Sveçlës: Askush s’mund të gradohet në Polici nëse s’është i afërm i juaj

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, e ka akuzuar për nepotizëm ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Po e shoh ministrin e Brendshëm këtu dhe dua t’ia jap një porosi. Nëse e keni pasur gojën plotë për luftën kundër nepotizmit, po ju them se askush nuk mund të gradohet në Polici nëse nuk është i afërm i juaji. Policia po politizohet e nuk po profesionalizohet”, tha Berisha.


Quni: Qeveria të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale

Në debatin për gjendjen e sigurisë në Kuvend, deputeti i LDK-së, Anton Quni ka adresuar disa prioritete që qeveria duhet t’i ketë parasysh.

Ai ka thënë se ekzekutivi duhet të miratojë dokumentet strategjike të sigurisë nacionale dhe mbrojtjes.

“Mendoj se me prioritet do të duhej të hartohen, miratohen dhe implementohen dokumente strategjike siç janë ajo e sigurisë nacionale dhe e mbrojtjes, të cilat si dokumente referuese do të shërbejnë për kompletimin e infrastrukturës ligjore në fushën e sigurisë. Kujdes i veçantë në zhvillim më të shpejtë të kapaciteteve të pota të gjithë institucione të sigurisë, siç janë personeli personal, infrastruktura fizike, pajisjet dhe funksionimi i tyre në tërësi”, ka thënë ai.

Deputeti Quni ka thënë se në situata të krizave, duhet të ketë rezerva shtetërore.

“Në situatat kur ndonjë rrezik është në kohëzgjatje dhe intensitet të lartë duhet të kemi parasysh qëndrueshmërinë tonë: e kam fjalën për rezervat shtetërore siç janë derivatet, ushqimi, medikamentet, produktet higjienike”, ka thënë ai. /KSP


Qalaj: Qeveria s’ka plan konkret për sigurinë kombëtare

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të planit për siguri kombëtare.

Ai në debatin parlamentar për siguri në vend, ka thënë se Kosova dhe qytetarët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë.

“Kosova dhe qytetarët e saj sot më shumë se kurrë më parë kanë nevojë të kenë një qeveri që sigurisë kombëtare i jep prioritetin që duhet të ketë, sidomos në kontekstin rajonal dhe global. Në një kohë kur kërcënimet ndaj qytetarëve tanë janë serioze. PDK muaj më parë ka vlerësuar se kjo qeveri nuk ka pranë vetës një plan konkret se si të adresojë sigurinë kombëtare”, ka thënë ai.

Deputeti opozitar u shpreh kritik edhe për Fondin e sigurisë për ushtrinë.

“Kryeministri Kurti të raportojë për funksionimin dhe themelimin e këtij fondi, aq më tepër që nuk është bërë transparent mënyra e administrimit nga qeveria”, ka thënë ai./KSP


Dugolli: Kosova ka shtuar komunikimin me aleatët për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka deklaruar se institucionet e Kosovës kanë shtuar komunikimin me aleatët në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe reaguese.

Në seancën e Kuvendit, Dugolli tha pjesëmarrja e FSK-së në operacionin ‘Defender Europe’ dëshmon përkushtimin në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

“Republika e Kosovës ka rritur shkallën e vigjilencës, sigurisë dhe mbrojtjes dhe ka shtuar komunikimin me aleatët në drejtim të rritjes së kapaciteteve mbrojtjes dhe reaguese. Pjesëmarrja e Kosovës në operacionet ‘Defender Europe 21’ me një kontingjent të forcave prej 330 pjesëtarëve dhe të ardhmen ‘Defender Europe 23’ me një kontingjent të forcave prej 1000 pjesëtarëve dëshmon përkushtimin tonë për rrugën euroatlantike dhe miqësisë me ShBA, BE dhe NATO-në”, tha ai.

Ai u shpreh i shqetësuar edhe me armatosjen e Serbisë, pas agresionit rus në Ukrainë.

“Serbia nuk po armatoset për të luftuar me Rusinë dhe as me Kinën sepse ka miqësi të dëshmuar me ta, por po armatoset kundër fqinjëve të saj, me theks të veçantë kundër Kosovës të cilën nuk e njeh”, përfundoi deputeti Dugolli./KSP