SHBA-ja e BE-ja intensifikojnë konsultimet për dialogun Kosovë-Serbi
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për intensifikim konsultimesh me bashkëpunëtorët amerikanë për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmen e dialogut.
“Sapo përfundova vizitën treditore në Washington DC. Pata një numër të konsultimeve intensive e produktive për bashkëpunimin tonë BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor dhe për rrugën përpara të dialogut për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçaku në Twitter të enjten, teksa ka publikuar fotografi nga takimet.
Një ndër takimet, Lajçaku e ka zhvilluar me zëvendësndihmësin e Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar.
Dialogu në nivel të lartë mes dy shteteve ka ngecur qe një vit. Që nga korriku i vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, s’janë takuar në kuadër të dialogut. Një darkë joformale e kanë pasur në fillim të majit në Gjermani, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz.
Takimet kryesisht janë zhvilluar në nivel kryenegociatorësh.