Përfaqësuesi ligjor i PDK-së në rastin e padisë ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Faton Fetahu, deklaroi se vendimi i Gjykatës së Apelit për vërtetim të pezullimit të vendimit mbi tarifat e reja, është lajm i mirë dhe fitore e interesit qytetar.
Ai deklaroi në “60 Minuta” të KTV-së të enjten se vendimi i Apelit i jep vulën se tarifat e reja të energjisë elektrike nuk do të zbatohen, dhe sipas tij, tarifimi u vërtetua se ishte i paligjshëm.
“Kjo mund të quhet fitore e interesit qytetar. Në kohën kur u bënë diskutimet, PDK-ja nuk i çoi komentet duke e ditur se një gjë e tillë do të kontestohej. Krahas padisë që e kemi bërë kundër vendimit të shtrenjtimit, kemi kërkuar që ky vendim të pezullohet. Kemi argumentuar se moszbatimi dhe shtyrja e vendimit është në mbrojtje të interesit qytetar. Po flasim për dy faza të procedurës. Vendimi i ZRRE-së i jep vulë se nuk do të zbatohet”, tha Fetahu.
Sipas tij, ZRRE-ja ka bërë shkelje, ndërsa tani gjykatës i mbetet të vendosë nëse qytetarët që janë prekur nga tarifat e reja, të rimbursohen.
“Në vlerësimet tona ka pasur 400-450 mijë familje që janë prekur nga vendimi i ZRRE-së. Ky i gjykatës është vendim për t’iu gëzuar. Gjatë gjetjeve sa i përket punës në komision hetimor, kemi gjetur se vendimi për rritje të çmimit ka qenë i panevojshëm. Ky vendim i Apelit e detyron ZRRE-në që në muajt në vijim, qytetarët tarifohen sipas tarifave të vjetra”, shtoi tutje avokati.
“Ka pasur edhe keqkuptime sa i përket vendimit, qytetarët i kanë paguar me çmime të rritura deri më tani. Por çështja e çmimeve mbetet në vendimin final gjyqësor nga Gjykata Themelorja do të vazhdojë ta shqyrtojë padinë përkatëse. Konsideroj se kjo padi, për dy ose tri vjet mund të ketë një epilog të shkallës së parë. Themelorja dhe Apeli i ka konfirmuar pretendimet e PDK-së në raport me një vendim të caktuar, të konsideruar abuzues”.
Marsin e këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës e ka paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, për vendosje të tarifave të reja të energjisë elektrike. Në arsyetim, PDK-ja përmendi edhe mospërfshirjen e komunave veriore në tarifat e reja, duke e quajtur një veprim të tillë si diskriminues dhe cenim të parimit të sundimit të ligjit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.