3 perditesime
22:05

Haliti: Vetëvendosje lë për të dëshiruar në qeverisje

“Ato që janë premtuar e për të cilat i kanë marrë votat, s’po arrin t’i realizojë”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, në pyetjen për vlerësimin e punës së Qeverisë Kurti.

Sipas tij, Vetëvendosje në pushtet të vetmin “veprim që po përpiqet ta shesë” është lufta kundër korrupsionit.

Ai ka shprehur përkrahje për iniciativën e konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar. Megjithatë, ka shprehur rezerva që kjo të bëhet për bizneset e njerëzit privatë duke thënë se mund të lëndohet biznesi e zhvillimi ekonomik, apo edhe të frikësohen investitorët e huaj.

“Duhet të bëjnë një ligj shumë të fuqishëm kundër korrupsionit dhe të fillojë. Kur të miratohet ligji s’është praktikë të bëhet të prapaveprojë për 20 vjet çka ka ndodh. Mund të bëjnë hetime për Xhavitin e kudo që duan të ndalen te njerëz që kanë pasur mundësi e fuqi të keqpërdorin, por jo për një biznesmen që ka bërë një fabrikë apo diçka tjetër”, ka thënë ai.

Sipas Halitit, investitorët e huaj ankohen për probleme me drejtësinë në Kosovë.

“Nëse një procedurë gjyqësore për çështje civile zgjatet deri 10 vjet e 20 vjet, kush do të vijë të investojë. Këto duhet të zgjidhen. Sidomos për investimet”, ka shtuar ai.

21:18

Haliti: Kosova s’duhet të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur përderisa Serbia nuk e pranon si shtet

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë pjesë e inciativës “Ballkani i Hapur” përderisa Serbia nuk e pranon si shtet.

Ai ka kritikuar figurat politike të cilat me anë të deklaratave publike e paraqesin kryeministrin e Shqipërisë si “gogol” për shkak të kësaj iniciative.

“Mua po më bën përshtypje për të keq deklaratat publike të politikanëve të Kosovës për Ballkanin e Hapur. Në një anë që po e paraqesin Shqipërinë dhe kryeministrin e Shqipërisë si gogol. Mendoj që Rama është kryeministër i Shqipërisë dhe ai po e përgatitë Shqipërinë për të nisur negociatat në Bashkimin Evropian. Ne kemi interesa tona të cilat duhet t’i mbrojmë. Ne nuk mund të jemi në këtë forum derisa Serbia nuk na pranon si shtet. Si çka jemi ne aty? Ka filluar konferenca e famshme e Procesit të Berlinit. Interesi i BE-së dhe i NATO-s është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e BE-së”, ka thënë ai në Desku të KTV-së.

Haliti është deklaruar edhe për kufirin e Kosovës me Malin e Zi, për çka ka thënë se kufiri duhet të rregullohet me anë të një aneks kontrate midis dy shteteve.

Sipas tij, është e pamundur që Çakorri të bëhet pjesë territoriale e Kosovës, pasi Mali i Zi tashmë është anëtar i NATO-s dhe kufijtë nuk i ndryshojnë.

“Janë disa zona ku është i futur kufiri i Kosovës brenda Malit të Zi, në këtë territor mund të drejtohet kufiri dhe kjo duhet të bëhet aneks marrëveshje mes dy shteteve, ndërsa Çakorri është e pamundur që të merren nga ne. Në qoftë se të dy palët merren vesh është gjithçka e mundshme, por vetëm nga njëra palë, jo”, ka thënë ai.


Haliti: Po përpiqemi të bëhemi parti liberale demokratike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhavit Haliti, ka thënë se partia të cilës I takon është duke u përpjekur të shndërrohet në parti liberale demokratike.

I ftuar në emisionin Desku të KTV-së, Haliti ka thënë se për t’u bërë një parti liberale demokratike duhet të ndryshohet ideologjia, sikurse në vendet evropiane.

“Është një praktikë e partive modern të bëjnë qeverisjen në hije. Ne kemi qenë parti e majtë në fillim, tani u bëmë qendra e djathtë, tani me vendim të këshillit drejtues të partisë po bëjmë përpjekje që të bëhemi vërtetë parti liberale demokratike. Janë disa çështje që duan një analizë më të gjatë, sepse vetë fakti që ne kemi lëvizur e ka bërë të veten, në përgjithësi partitë në Kosovë kanë qenë në lëvizje. LDK-ja a ka qenë komuniste në krejt? A e ka bërë Lidhja Komuniste LDK-në? Pothuajse krejt kryesia e LDK-së kanë qenë anëtare partie. Edhe ne kemi qenë njëfarë lëvizje që janë bashkuar njerëzit rreth nesh. Ideologjia duhet të ndryshojë, siç janë partitë liberale në Gjermani, Francë, Belgjikë, Angli, kudo që funksionojnë, nëse nuk e merr atë ideologji, kot flet. Nuk besoj që ndikon në elektorat”, ka thënë ai.

21:06

Haliti thotë se në qarqe të larta është folur për ndryshime kufijsh në gjithë Ballkanin

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se ka dëgjuar nga qarqe të larta vendore e ndërkombëtare për mundësinë e ndryshimit të madh të kufijve në Ballkan. Edhe pse e sheh të pamundur, ai ka deklaruar se gjithçka po ndryshon tash me luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Sipas Halitit, si Kosovës ashtu edhe Serbisë u duhet një marrëveshje e shpejtë në dialog.

“Serbia ka politika të mëdha për Ballkanin. Atë që e quajnë ‘srpsko’, që duan të jenë prezentë në tërë territorin e ish-Jugosllavisë e të kenë ndikim politik e ekonomik që në një moment të shndërrohen në ndonjë fuqi. Është një mendim që do të ishte mirë që Kosova e Shqipëria të ishin të bashkuara, Serbia t’i marrë territoret e Republikës Sërpska e të bëhen dy popujt më të mëdhenj. I kam dëgjuar këto biseda, në qarqe shumë të larta politike, edhe ndërkombëtare, i kam dëgjuar edhe serbët, edhe shqiptarët. Në konferenca ndërkombëtare njerëzit janë të lirë të flasin. Është biseduar, njerëzit kanë të drejtë të bisedojnë. Është diçka që s’pranohet sepse ndryshon gjithçka. Mirëpo pas kësaj në Ukrainë, nëse bashkësia ndërkombëtare lejon diçka të tillë që ato rregullat e vendosura me kohë për funksionimin dhe bashkëfunksionimin e shteteve dhe mosndryshimin e kufijve, nëse rregulli i tillë është i vlefshëm për dikë është edhe për dikë tjetër”, ka deklaruar ai në emisionin “Desku” në KTV.

Sipas Halitit, Kosova ka mundësi të mira që të pranohet në Këshillin e Evropës, por sipas tij, procedurat janë shumë burokratike dhe zgjasin shumë. Ai ka rekomanduar që të gjendet dikush brenda që ndihmon në lobim. Sipas tij, lobimi duhet të bëhet “me mjeshtëri”. Situata aktuale, e krizës në Ukrainë, i shkon në favor Kosovës e në disfavor Serbisë, ka vlerësuar ai. Sipas Halitit, Kosova s’duhet t’i bëjë publike kërkesat që t’ia mundësojë Serbisë përgatitjet.

20:49

Haliti: Politika kosovare fajtore për mosdokumentim të krimeve gjatë luftës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, deklaroi se në kohën kur në Hagë po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, Serbia po vazhdon ta akuzojë Kosovën “me të njëjtën zhurmë si më parë”.

Ai tha në DESK-un e KTV-së të enjten se Serbia ka qëllim që të argumentohet se në Kosovë kanë qenë një grup kriminelësh, që kanë bërë krime gjatë luftës. Ai shtoi se politika kosovare është fajtore që nuk është marrë me dokumentimin e krimeve të luftës.

Sipas Halitit, Gjykata Speciale nuk do t’i marrë parasysh pretendimet serbe, në rast se nuk argumentohen.

"Vetëdija jonë është ajo e njerëzve që janë rritur në kushtet apo në mentalitetin e robit. Politika shtetërore e Kosovës është fajtore që s’është marrë me këtë çështje", ka deklaruar ai.

“Ata (Gjykata Speciale v.j.) nuk kanë inat me askënd. As në Serbi e as në Kosovë. Duhet të ballafaqohen me argumentet dhe t’i shpallin aktgjykimet e tyre. Kam insistuar që kushdo që është i goditur nga ushtria a policia serbe, ta bëjë dosjen personale. Ne pasluftës kemi ndërtuar zyrën me avokatë nga Kosova, por edhe me të huaj. Ajo që është dashur ta bëjmë ishte që ta bindnim secilën famiulje që ka pësuar dëme nga lufta, të bëjë dosje dhe të bëjë ankesë, që ne të kemi qëllim që shumë dosje të shqyrtohen në Këshillin e Evropës. Mendoj se nuk është vonë. Kërkesa për t’u anëtarësuar në KE ua hap rrugën secilit që ta bëjë dosjen”, tha Haliti.

Deputeti i PDK-së theksoi se duhet kërkuar të drejtën e popullit për të pagjeturit, fëmijët, gratë e pleqtë e vrarë nga forcat serbe.

“Ne e fitojmë të drejtën për t’i pasur edhe përfaqësuesit tanë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, në Këshill të Evropës. KE-ja ka 47 shtete anëtare... Mbi të gjitha atje nuk votohet si shtet, por deputetët votojnë individualisht. Lobimi për këtë çështje është shumë i rëndësishëm. Dua të them që asnjë çështje nuk kalon në Asamble nëse nuk miratohet nga Komisioni”, tha Haliti.

Për ish-raportuesin e Këshillit e Evropës, Dick Marty, Haliti tha se nuk ka dëgjuar për të deri në ditën kur e kishte publikuar raportin në të cilin i paraqiste krerët e UÇK-së si kriminel lufte.

“S’kam dëgjuar kurrë për Dick Martyn deri kur ka dalë raporti. Marty ka qenë në Kosovë, ka mbledhur të dhëna, edhe në Serbi. Martyt dikush i ka dhënë dosje, jam i bindur se kurrë s’ka pasur transplante organesh, dikush ia ka mbushur mendjen atij”.

Haliti: Nuk e prisja dënimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Për ish-krerët e OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, që u dënuan të mërkurën nga Gjykata Speciale me nga 4 vjet e gjysmë burgim, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se nuk e priste një dënim të tillë.

“Dua të them që ata janë shokë të mi. Me Nasimin kam pasur kujtime më të mira. Ka qenë një prej djemve më të mirë dhe ka qenë shumë aktiv, trim, por nuk e kam pritur një dënim kaq të madh. Kam menduar se do ta dënojnë vetëm për këtë pjesën sa i kanë mbajtur në paraburgim. Për ta kritikuar Nasimin, unë mendoj se ka mundur të ishte më i butë në gjykim, ndoshta do të ishte dënuar më pak. Besoj se asnjëri s’ka besuar se dënimet ishin aq të rënda për një veprim që e kanë bërë në raport me opinionin publik”.

Ai shtoi se shpreson se ankesa në Apel do të mund t’ua zbresë dënimin Haradinajt e Gucatit.