Çitaku: Kosova të jetë serioze dhe me ofertë në dialog

Çitaku: Kosova të jetë serioze dhe me ofertë në dialog
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, deklaroi se Kosova duhet të tregohet serioze në dialogun me Serbinë dhe ta ketë një ofertë. Ajo tha të enjten në Interaktiv të KTV-së se kryeministri Albin Kurti, nuk duhet të sillet sikur dialogu të ketë filluar sot.
“Duhet të mësojë dhe ta përdorë memorien tonë në funksion të fuqizimit tonë në dialog. Marrëveshjet diktohen nga vullneti politik sepse në thelb, problemi i Kosovës dhe Serbisë nuk është i natyrës teknike, por politike. Kryeministri nuk duhet të sillet me arrogancë, tallje e batuta sepse nuk i duket interesante askujt. Kosova duhet të tregohet serioze në dialog. Ta ketë një ofertë të saj”, tha Çitaku.
Sipas saj, është një momentum i rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve pasi, siç potencoi ish-diplomatja kosovare, Rusia aktualisht është e izoluar, e sanksionet ndaj saj janë të mëdha.
“Rusia ka sanksione më shumë sesa që ka Koreja e Veriut dhe Irani, e dobësuar, pa fuqinë dhe influencën brenda BE-së por edhe më tepër në botë. Aleati i Serbisë është shumë i dobët. Ne nuk e dimë për sa kohë do të zgjasë kjo gjendje. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë, të tregohemi serioz. E di që dialogu kërkon diskrecion. Njohja reciproke është në qendër, Qeveria e Kosovës duhet të ketë një ofertë serioze”, shtoi ajo.
Çitaku theksoi se politika e jashtme është procedurë e gjallë me dinamikë dhe esenca është “adaptimi në infrastrukturën evropiane”. Ajo tha se opozita në Kuvendin e Kosovës ka konsensus për temën e dialogut.
“Kemi parë një bashkërendim të opozitës kosovare në Parlament. Në shumë pika kemi parë bashkërendim. Ka shumë çështje që na ndajnë, mirëpo ne do të mundohemi në fushën e politikes së jashtme të reflektojmë një konsensus sa më të gjerë”, shtoi Çitaku.
Çitaku: Liderët të ndërmarrin masa politike ndaj Martin Berishajt
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili është implikuar në një skandal financiar në Slloveni, ka kryer vepër penale duke mos deklaruar pasurinë.
E ftuar në emisionin Interaktiv të KTV-së, Çitaku ka thënë se as ministrja e Jashtme, as kryeministri, as presidenti nuk janë as gjykatës as prokurorë për ta gjykuar Berishajn. Mirëpo liderët politikë duhet të ndërmarrin masa dhe veprime politike, ka deklaruar ajo.
“Nëse asgjë tjetër, një është e vërtetuar, ambasadori Berishaj e ka fshehur pasurinë dhe kjo është vepër penale dhe për gjëra të tilla ka pasur masa shumë më të vrazhda sesa shkarkimi. Si i është dhënë z.Berishaj certifikata e sigurisë, apo shtetësia brenda ditës, pasi këtu duhet një procedurë, a është bërë një verifikim dhe është parë që z.Berishaj ka biznese të regjistruara që nuk janë të deklaruara, do të doja të dija a është bërë verifikimi në këtë rast?”, ka thënë ajo.
Vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Çitaku e ka cilësuar si vizitë studimore që organizohen për deputetë apo gazetarë.
“Po e shoh që kryeministri paska pasur nevojë që ta vizitojë Amerikën. Nuk ka ndodhur asnjëherë që kryeministri ose presidenti të vijnë në SHBA për vizitë zyrtare dhe të mos takohen me sekretarin e shtetit apo zëvendëspresidentin”, ka thënë ajo.
Sa i përket darkës së organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, e që të pranishëm ishin kryeministri Kurti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Çitaku ka thënë se për fotografi të tilla si ajo që është publikuar, në Kosovë ka njerëz që janë shpallur tradhëtarë e kriminelë.
“Për fotografi të ngjashme çfarë i kemi parë midis z.Kurti dhe Vuçiq, njerëzit në Kosovë janë shpallur tradhtarë, kriminelë, ne nuk e kemi bërë atë gjë. Kryeministri e ka për detyrë kushtetuese të ulet në tavolinë, e ka detyrë kushtetuese ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, nuk ulet si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kryeministri në këtë proces nuk e ka problemin me ne, e ka problemin me vetveten dhe me deklaratat që i ka dhënë vetë në lidhje me dialogun”, ka thënë ajo.
Çitaku ëhstë deklaruar edhe për qasjen e Kosovës në raport me Greqinë, për çka ka thënë se ka qenë e gabuar kur bëhet fjalë për projektin e gazsjellësit.
“Tri ditë më parë kryeministri i Greqisë ishte në Shtëpinë e Bardhë dhe një nga pikat kyçe të diskutimit ka qenë projekti i gazsjellësit dhe mendoj që kemi humbur një rast, kyçja e Kosovës në këtë projekt do të ishte dobiprurës edhe në kontekstin gjeopolitik dhe si vlerë e shtuar do të ishte edhe relacioni me Greqinë”, ka thënë ajo.
Çitaku: S’do të ketë rrugë të përshpejtuar për Kosovën drejt KiE-së
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se për Kosovën nuk do të ketë rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Çitaku ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten se lajmi se Kosova nuk do të jetë në agjendë të diskutimit në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mbahet të premten në Torino të Italisë, është jashtëzakonisht shqetësues.
Sipas saj, ky është një indikacion që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Ky është një lajm jashtëzakonisht shqetësues sepse është indikacion që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtare dhe e dyta mbase mund të flasë edhe për një çarje brenda aleatëve tanë. Shpresoj që ky refuzim i trajtimit të menjëhershëm të aplikacionit të Kosovës të mos jetë produkt i moskoordinimit mes institucioneve tona dhe aleatëve tanë. Sikur aplikimi të ishte i koordinuar, Kosova do të ishte në agjendë nesër. Ky do të jetë një proces i gjatë. Nuk do të ketë rrugë të përshpejtuar për Kosovën drejt Këshillit të Evropës. Këtu kërkohet një votë formale”, ka thënë Çitaku.
Ajo ka shtuar se për këtë do të kërkojnë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë.
“Ne në politikën e jashtme dhe në raport me partnerët ndërkombëtar duhet të tregohemi serioz, të përgjegjshëm, nuk duhet ë kemi arrogancë. Aleancat që i kemi ndërtuar nuk duhet t’i marrim si të mirëqena. Aleancat duhet t’i ushqejmë vazhdimisht”, është shprehur ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

PDK-ja e AAK-ja me seancë do të kërkojnë kushte më të mira për policinë

Ish-ministri serb i Mbrojtjes: Lidershipi shtetëror në Serbi ka faj për ngjarjet në Banjskë

Stano: Policia e Kosovës po e heton situatën në Banjskë, Serbia të bashkëpunojë pa kushte

Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për sulmet në veri

Ushtria e Serbisë mohon se planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës

Musliu: Në afërsi të Izvorit Serbia po ndërton një bazë ushtarake

Kurti premton investime në të gjitha komunat pa diskriminim

Zharku dëshmon për 53-milionëshin

Profesori Hehir: Serbia duket se u stërvit me automjete amerikane

Vitia: Nuk do të ketë mungesë të barnave në Onkologji

Kurti: Sulmi terrorist ishte plan për aneksimin e veriut
