3 perditesime
14:30

Jasharaj kritikon krerët shtetërorë: Është turp të qëndroni në Amerikë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është turp që krerët e shtetit po shkojnë në SHBA e vende të tjera dhe nuk po merren me punëtorët e Kosovës.

Ai paralajmëroi veprime të radhës sindikaliste nëse kërkesat e sindikatave nuk përmbushen.

“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Qeveri ne po i lutemi zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat. Në të kundërtën pas kësaj proteste do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam por ju si duket po i doni”, tha ai para protestuesve.

Jasharaj shtoi se po kërkojnë ligj të pagave që punohet edhe me përfshirjen e përfaqësuesve të sindikatave të punëtorëve.

“Heshtja e qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ne kemi të drejtë. Ne e duam ligjin e pagave por jo ligj që na punon dikush por ligj që e punojmë edhe ne”.

Kërcënoi se zgjidhje e vetme do të jetë greva ose bisedimi në Qeveri.

“Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Kjo janë njerëz që edhe në vitet 90 i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqnisë e shteti po tallet me ta. Ose do të bisedojmë, ose do të ftojmë në greva të përgjithshme”, përfundoi Jasharaj.

14:23

Punëtorët kërkojnë nga 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e ligjit

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli ka kërkuar gjatë protestës së punëtorëve të Kosovës të premten që të miratohet sa më shpejtë projektligji për Pagat.

Gjatë fjalimit të tij para qindra protestuesve tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Hykolli ka kërkuar po ashtu që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qeveria t’ua shtojë në paga nga 100 euro.

Ai ka thënë se punëtorët janë shtylla e shtetit.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë., Jemi këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.

Ai po ashtu ka kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.

“Ju sindikalistë të dashur ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i arrijmë ato”, ka thënë ai.

13:49

Nis protesta e BSPK-së: Kryeministër parandalo grevën e përgjithshme

Qindra punëtorë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të protestuar për kërkesat e tyre.

Pankarta kryesore që po mbajnë në duar protestuesit thotë “Kryeministër realizo kërkesat tona, parandalo grevën e përgjithshme”.

Si pasojë e protestës, të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, sot në institucinet arsimore nuk po zhvillohet procesi mësimor.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut për protestën.

Protestuesit janë duke u mbledhur për të marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku do të zhvillohen edhe fjalime nga krerët sindikalë.

Image
07:34

Sot s’ka mësim në Kosovë, mësimdhënësit në protestë

Të gjitha institucionet arsimore në vend nuk do të punojnë të premten pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBASHK), ka vendosur që t’i bashkohet protestës së thirrur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas kësaj sindikate, mësimdhënësit nga i gjithë vendi do të nisen drejt Prishtinës për të qenë pjesë e protestës.

“Pas një debati konstruktiv është rikonfirmuar se në protestën e thirrur më 20 maj nga BSPK-ja e bazuar në zërin e anëtarësisë do të marrin pjesë në mënyrë masive edhe të punësuarit në sektorin e arsimit. Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SBASHK-u shpreh keqardhje për gjendjen e krijuar por thotë se është pasojë e mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për dialog dhe për angazhim në zgjidhjen e kërkesave, që ata i quajnë legjitime të punëtorëve në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete e kulturë, por edhe në sektorët e tjerë.

SBASHK ka apeluar te prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët në shkollë për hir të sigurisë, sepse shkollat janë pa personelin arsimor.

Megjithatë, SBASHK-u ka kërkuar mirëkuptim nga kopshtet të cilave iu kërkoj që të mos ndalin punën.

Më 12 maj, SBASHK-u organizoi një grevë njëorëshe në të gjitha nivelet e arsimit në vend. Ministria e Arsimit ka kërkuar që të mos mbahen greva për shkak se kjo dëmton nxënësit pas dy vitesh mësim në pandemi.