1 perditesime
12:45

Michel: Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Procesit të integrimit i duhen dhënë energji të reja përmes reformave në mënyrë që ai të përshpejtohet, tha ai në konferencë për media pas takimit me kryeministrin shqiptar Edi Ramën në Tiranë. 

Michel, ka thënë se e mbështet nismën “Ballkani i Hapur” duke shpresuar se do të bashkohen edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor në të.

Ai ka thënë se kjo nismë i afron gjashtë shtetet me Bashkimin Evropian.

“Ballkani i Hapur, më lejoni ta përsëris unë personalisht e mbështes Ballkanin e Hapur dhe uroj që të gjithë të bashkohen me këtë nisëm. Do të jenë më të mëdha mundësitë për të bashkëpunuar. Kjo do ta lehtësojnë afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE. Duhet krijuar kjo platformë politike, duhet bërë ky hap integrimi në planin politik, për t’u mbledhur të gjithë, për të pasur një inteligjencë kolektive”, tha ai./ TCH

10:59

Charles Michel mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mbërritur të premten në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Michel u prit me ceremoni zyrtare nga kryeministri, Edi Rama.

Në agjendë parashikohet që në orën 10:30, do të zhvillohet takimi me dyer të mbyllura i dy delegacioneve.

Ndërsa në orën 11:15 do të zhvillohet konferenca përbashkët për shtyp mes Michel Kryeministrit Rama.

Vizita e zyrtarit të lartë të Bashkimit Europian vjen në një kohë kur po shtohet presioni për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nga vendet e BE-së, e lidhur sidomos me pushtimin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Ballkan./tch