Sot është dita e fundit për të aplikuar për mbështetje prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit privat.
Megjithëse thirrja është bërë prej më shumë se një muaji, punëtorët e sektorit privat që kanë aplikuar deri më tani nuk i ka përfituar ende këto shtesa.
Ministria e Financave, përmes një njoftimi të shkurtër të premten ka bërë të ditur se kanë aplikuar mbi 300.000 punëtorë.
Sipas ministrisë, ekzekutimi i mjeteve pritet të bëhet javën e ardhshme.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton qytetarët se sot është afati i fundit për të aplikuar për mbështetje për punëtorët që nuk marrin pagë nga buxheti i shtetit. Aktualisht, mbi 300 mijë punëtorë kanë aplikuar për mbështetje financiare prej 100 Euro. Gjithashtu, vlen të theksohet se MFPT tashmë ka themeluar Komisionin Zbatues për vlerësimin e aplikacioneve dhe gjatë javës së ardhshme pritet të bëhet shqyrtimi i tyre dhe ekzekutimi i mjeteve”, thuhet në njoftim.
Ditë më parë, Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës hodhi kritika të rënda për mosekzekutim të mjeteve prej 100 eurosh nga Qeveria e Kosovës duke e akuzuar për mashtrim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.