2 perditesime
23:29

Dreshaj: Kosova nuk ka teste laboratorike për testimin e lisë së majmunëve

Infektologu Shemsedin Dreshaj, ka thënë se aktualisht sipas informatës së tij, ka kapacitete teknike dhe intelektuale që kjo sëmundje të detektohet, por nuk ka teste laboratorike për vërtetimin e kësaj sëmundje.

Ai ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë dhe vendet tjera është i organizuar me hierarki vertikale, në krye të së cilës është ministri i Shëndetësisë.

Sipas tij, ky problem ka filluar të paraqitet nga java e kaluar, dhe nuk ka asnjë kërkesë që ky debat të trajtohet.

“Shëndetësia jonë ka shumë probleme. Unë uroj që kjo sëmundje të mos marrë përmasa të një pandemie. Nëse kjo ndodh atëherë njerëzimi duhet të ndalet dhe të mendojë lidhur me periudhën e globalizimit. Mendoj që në ato raste duhet të mendohen masat e parandalimit të cilat duhet të jenë të fiksuara. Në rast se këto gjëra ndodhin, që brenda dy vjetësh të kemi pandeminë e dytë, bota duhet të mendojë mirë për kontrollet e personave që vijnë nga zonat e prekura”, ka thënë ai.

Dreshaj ka thënë se sistemi shëndetësor nuk duhet të ndihet i relaksuar nga COVID-19.

Ai ka thënë se Kosova ka humbur shumë hapa në raport me menaxhimin e pandemisë, duke shtuar se kur populli kërkonte vaksinë, nuk mund të sigurohej, e tash kur ka vaksinë, populli nuk dëshiron të vaksinohet.

Sipas tij, Kosova nuk është keq me numrin e personave të vaksinuar kundër COVID-19.

23:12

Dreshaj: Ekziston vaksina kundër lisë së majmunëve, por Kosova nuk e ka

Infektologu Shemsedin Dreshaj, ka thënë se ekziston mundësia imunologjike e imunitetit të gërshetuar për personat që janë vaksinuar para periudhës së vitit 80, ku ka qenë variola.

Por, sipas tij, për këtë sëmundje ka vaksinë të veçantë dhe është përdorur në vendet e Afrikës.

Ai ka thënë se nëse OBSH-ja e konsideron të domosdoshme ka mundësi që të përdoret në masë më të gjerë.

“Krahasuar me COVID-in që është dashur të prodhohet një vaksinë e re, në këtë rast ekziston vaksina. Kjo është e përfunduar dhe mund të bisedojmë vetëm për efektet prodhuese dhe jo për efektet anësore. Mundësitë e alterimit të virusit mund të ekzistojnë çdo herë”, ka thënë ai.

Sipas tij, në këtë rast bota është në përparësi pasi ka vaksinë dhe barna të dëshmuara të cilat e luftojnë këtë problem.

Dreshaj ka thënë se barërat kundër kësaj sëmundje Kosova nuk i ka.

Ai ka thënë se sëmundja nuk është shumë e rëndë dhe rastet e hospitalizimit janë më të rralla.

“Për dallim nga COVIDI, indeksi i përhapjes është shumë më i vogël. Më tepër është duke u bërë bisedë për t’u alarmuar opinioni sesa ka rrezik që të rrezikohet sistemi shëndetësor”, ka thënë ai.

23:05

Dreshaj: Nëse vërtetohet se lia e majmunëve shpërndahet nga njerëzit, duhet të shqetësohemi

Infektologu Shemsedin Dreshaj, ka folur rreth shqetësimeve për përhapjen e lisë së majmunëve. Ai ka thënë se bëhet fjalë për një zonozë e cila përhapet nga majmunët te njeriu.

Sipas tij, për këtë sëmundje dihet nga vitet 50-ta te majmunët dhe vitet 70-ta te njerëzit.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se shkalla e infektimit nuk është shumë e lartë.

“Këtë herë është shqetësuese se për një kohë të shkurtër u paraqitën 92 raste në mbi 15 shtete dhe raste që nuk kanë lidhshmëri të kontaktit njeri-majmun dhe kjo bën të dyshosh që virusi ka pësuar ndërrim gjenetik i cili mund të bartet nga njeriu në njeri. Këtë nuk e ka dëshmuar OBSH-ja por e ka ngrehur alarmin në botë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky infeksion ka përhapje shumë më të ulët dhe kompoziteti i kësaj sëmundje nuk e kalon 80 për qindëshin.

Dreshaj ka thënë se nëse vazhdon shkalla infeksionit si prej vitit të kaluar, nuk do të ishte shumë shqetësuese.

Ai ka thënë se ka ngjashmëri me COVID-19 pasi edhe kjo sëmundje ishte zonozë.

“Edhe ky është virus por uroj që të mos jetë diçka e ngjashme. Shqetësuese është përhapja në Amerikë, Kanada e Evropë, aty ku nuk e ka vendin. Ne duhet të alarmohemi se çfarë ndodhi me këtë virus. Duhet të analizohet nëse janë raste të përhapura nga njeriu te njeriut apo nga majmunët. Nëse është nga njerëzit është atëherë duhet të ndalemi të mendojmë”, ka thënë ai.