Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020)”, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajrami, theksoi se gjetjet nga auditori në KEK, janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejt dhe mungesë të transparencës.
Deputetja Bajrami ka thënë se në atë periudhë janë shpenzuar 181.5 milionë euro, prej tyre rreth 60 milionë euro me kontrata të negociuara, gjë që ka shkaktuar kontrata më të shtrenjta.
Ajo ka numëruar kontratat, edhe sa i përket blerjes së kushinetave, të cilat sipas saj, kanë qenë të dëmshme për buxhetin e KEK-ut.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut ka ardhur në tetor të vitit 2021.
Ai ka thënë se neglizhenca ka ndikuar që KEK-u të “zhytet” në këso lloj kontrata të negociuara.
Edhe Skender Haziri, kryesues i bordit të KEK-ut, tha se nuk ka informata të plota për aktivitetet e prokurimit që kanë ndodhur në periudhën 2018-2020, por premtoi se Bordi i ri do të marrë masë për përmirësimin e prokurimit në KEK.
“Ka pasur keqmenaxhim, ka hapësirë për përmirësim, disa prej tyre kanë nis të përmirësohen nga viti 2021. Ju siguroj të gjitha rekomandimet e ZKA do të realizohen”, theksoi Haziri.
Deputeti nga PDK-ja, Rashit Qalaj, raportin e prokurimit në KEK e ka vlerësuar si mjaft të keq dhe shqetësues. Sipas tij, procesi i prokurimit në KEK është i dyshimtë.
Gjatë raportimit, pati një përplasje verbale ndërmjet deputet të PDK-së, Hajdar Beqa dhe Halil Thaçit nga VV-ja.
Beqa tha se Thaçi ka pasur ndikim në konkursin e fundit në KEK, derisa deputeti i VV-së tha se këto janë shpifje. /ksp