Konfederata e Zvicrës ka ofruar mbështetje për aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropës, ka bërë të ditur Zyra e kryeministrit të martën, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, gjatë Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos.
Në komunikatë, thuhet se Berset ka thënë se Kosova është shtet prioritar për Konfederatën zviceriane.
Sipas njoftimit, gjithashtu është theksuar zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për interesat dhe çështjet e përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës dhe stabiliteti e prosperiteti i Ballkanit Perëndimor.
“U vlerësua angazhimi prej shumë vitesh i Zvicrës në arritjen e këtyre objektivave, që reflektohet edhe në programet e bashkëpunimit zhvillimor dhe mbështetjes së paqes”, thuhet në njoftim. “U bisedua për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi”.
E për zhvillimet në Ukrainë, sipas komunikatës, Berset tha se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.