2 perditesime
12:17

Propozimi për tërheqje nga Trusti shkon në Kuvend pa aprovim të Komisionit

Komisioni për Buxhet nuk ka miratuar propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i ligjit që mundëson tërheqjen e re nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Deputetët opozitarë të këtij komisioni ishin pro, ndërsa votat e pushtetit ishin kundër. Nga minoritetet, Verica Ceraniq e Listës Serbe ishte pro, ndërsa Duda Balje abstenoi.

Në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet pa aprovim të Komisionit apo Qeverisë.

Iniciator për ligjin ishte deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

11:36

Haxhiu e arsyeton iniciativën për tërheqjen nga Trusti

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dhënë arsyet e iniciativës së tij për tërheqjen e një pjese nga Fondi i Kursimeve Pensionale. Ai ka thënë se kërkesa e tij për tërheqje nga Trusti ka dalë për shkak të krizës ekonomike në vend.

Sipas tij, qytetarët që nga fillimi i 2020-ës janë duke u përballur me kriza, atë të pandemisë, pastaj atë energjetike e së fundmi edhe këtë te inflacionit.

“Andaj kemi iniciuar ndryshimin e ligjit për Trustin që t’u mundësojmë atyre tërheqjen e një pjese nga Trusti në mënyrë që sadopak të zbutet kjo krizë. Në nenin 1 saktësohet qëllimi: ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit tu krijohet bazë ligjore për tërheqje nga 10 deri 30 për qind të kursimeve të tyre. Personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri më 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shume se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale”, ka thënë ai, duke shtuar se me këtë propozim qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta do të mbështetën më shumë.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja ka thënë se Departamenti i Financave kanë deklaruar se projektligji për fondet pensionale nuk krijon kosto shtesë për buxhetin por do të ketë ndikimin negativ në të hyrat nga tatimi.

Sipas tij, Qeveria e ka dhënë gjithashtu vendimin e saj ku thotë që nuk pajtohet me propozimin e deputetit Haxhiu.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se kjo është masë drastike dhe të tilla masa janë për kohë që nuk janë të zakonshme, duke shtuar se kështu ka qenë edhe kur ishte vendosur gjatë pandemisë.

Sipas tij, ai veprim i atëhershëm ka mundësuar që të futen në ekonomi afër 200 milionë euro.

Ai ka thënë se e mbështesin një masë të tillë.

“Besoj që e kanë dhënë efektin sepse qysh në janar të 2021 ne e kaluam atë krizë. Kur është propozuar kjo para 3-4 muajve nga deputeti Haxhiu, nuk kam qenë ndër mbështetësit e saj. Kam menduar që nëpërmjet veprimeve të Qeverisë nuk do të ketë nevojë për këtë masë por pas mosveprimeve të Qeverisë u pa qe nuk pati kurrfarë masash. Ne patëm propozuar një listë të veprimeve që të mos vihet deri të kjo masë. Kështu që ne si LDK e mbështesim plotësisht këtë projektligj. Qeveria nuk ka dhënë sqarime të nevojshme se pse nëpërmjet veprimeve të tjera të qeverisë arrihet efekti i njëjtë cilat janë ato veprime. Ajo nuk ka treguar se pse vetëm ka thënë nuk e mbështet është i mangët. Asnjë cent i buxhetit të Kosovë nuk do të mungojë nga kjo mundësi që u jepet qytetarëve. Jam i pakënaqur me këtë opinion buxhetor dhe me opinionin e qeverisë. Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbështesim një masë të tillë”.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se nuk pajton me opinionin e Qeverisë që apriori të deklarohet se nuk e mbështet këtë, derisa sipas tij, është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

Sipas tij, është e pavend dhe ngutshme sepse bije ndesh me mendimin e Qeverisë.

“Kam menduar që Qeveria do të na japë këshilla e sugjerime por jo apriori të ndikojë mbi Parlamentin e Kosovës. Dua të ju bëj thirrje qe të shkoni përtej petkut politik përtej subjektit tuaj, ta leni krenarinë dhe inatin anash dhe të fokusohemi bashkërisht tek e mira e përbashkët që është qytetari. Nuk po e them për politikë por po e them qe e kuptojmë këtë çështje të ndjeshme e dimë që nuk është metoda më e mirë por derisa kemi një krizë ekonomike qeveria është për të zgjidhur çështjet e qytetarëve. Duhet të tejkaloni inatet dhe të vendosni në të mirën e qytetarëve. Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, ka thënë ai.

Deputetja Duda Balje ka thënë se Grupi Multietnik të martën ka pasur deri vonë një takim porse nuk kanë arritur një dakordim për shkak të qëndrimeve të ndryshme.

Ajo ka thënë se abstenon.

Opozita e kërkon tërheqjen e Trustit, pushteti kundër

Muja ka thënë se në vitin 2020 është miratuar Ligji për rimëkëmbje për tërheqjen e rreth 200 milionëve nga Trusti.

Ai ka thënë se sipas Trustit janë tërhequr këto mjete të cilat do të rimbursoheshin.

Sipas tij, ky është obligim që i mbetet Qeverisë së Kosovës në këtë rast Qeverisë Kurti.

Muja ka thënë se trusti dhe kursimi është obligim nuk është opsional.

“Në të gjitha vendet e Evropës është obligim dhe nuk kam gjetur diku në Evrope që pavarësisht krizave t’u drejtohen kursimeve personale për ta zgjidhur ndonjë krizë. Sa i reket argumentimit më 2020 është e vërtetët që kishte tkurrje ekonomike rreth 5 për qind. Dallimi atëherë edhe tash është që konsumi këtë vit është 22 për qind më i madh se konsumi i vitit të kaluar dhe krahasuar me vitin 2020 është shumë më shumë më i lartë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se i është drejtuar Trustit  që nëse zbatohet një ligj i tillë cili do të ishte ndikimi financiar.

Sipas tij, ky propozim është i dizajnuar në atë mënyrë për t’i ndihmuar shtresat e pasura të shoqërisë.

Sipas tij, janë diku 533 mijë që përfitojnë 0 euro.

“Dy ekspertë të FMN-së kanë qenë të shqetësuar në rast se kjo vetëm diskutohet se jo të miratohet. Personalisht propozimet e tilla i konsideroj si abuzim nuk ka të drejtë asnjë deputetë ta vjedh të ardhmen dhe t’i prek kursimet e pleqërisë. E kundërshtoj fuqishëm jo vetëm këtu po kudo, përpjekjen për ta shkatërruar Trustin do ta kundërshtoj për aq sa kam fuqi në këtë Kuvend”, ka thënë ai.

Haxhiu i është përgjigjur Mujës duke i thënë se nuk janë tërhequr në vitin 2020 mbi 200 milionë por 197 milionë.

“Prej atyre që kanë pasur mundësi të tërheqin vetëm 53 për qind kanë aplikuar për të tërhequr. Sipas këtij raporti të publikuar nga Trusti vërehet që ka një tërheqje të mjeteve kryesisht të kategorive që kanë pasur me pak mjete në Trust. Ata që kanë pasur kushte të mira ata nuk kanë tërhequr mjete. Sipas trustit rezulton se vetëm 2 për qind e kontribuuesve kanë kursime mbi 20 mijë euro. Shumica janë prej 100 deri në 20 mijë euro. Ideja është që nëpërmjet Trustit të mbështeten ata që janë në marrëdhënie pune ndërsa me buxhetin e saj Qeveria të fokusohet te kategoritë e rrezikuara”, ka thënë ai.

10:33

Komisionit s’i ngutet çështja e tërheqjes nga Trusti

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që të ndryshohet rendi i ditës në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe që ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional të kalojë për shqyrtim nga pika e tetë e rendit të ditës në të dytën. Megjithatë Komisioni nuk e ka miratuar kërkesën.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka iniciuar një ndryshim të këtij ligji duke kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e një sasie nga Trusti për të tejkaluar krizën ekonomike. Qeveria ka dalë kundër propozimit, ndërsa Haxhiu është ankuar për vonesa nga komisioni.

Kundër një propozimi të tillë patën dalë edhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Të enjten është paralajmëruar protestë nga një grup qytetarësh që po kërkojnë t’u mundësohet kjo tërheqje.

Më 2020, pati ndodhur tërheqja e parë nga Trusti gjatë kohës së pandemisë. Atëkohë, vendimi parashihte që shuma të rimbursohej nga Qeveria ndër vite.