Vetingu në arsim vlerësohet i domosdoshëm

Vetingu në arsim vlerësohet i domosdoshëm
Kosovës i nevojitet vetingu edhe në arsim, vlerësojnë njohës të kësaj fushe.
Besnik Boletini nga organizata “Çohu” ka thënë se reforma në arsim është e domosdoshme.
Boletini konsideroi se gjendja e arsimit në vend nuk është e mirë. Në emisionin “Sonte me Rronin” në KTV, të mërkurën, ai tha se arsimin e përcjellin probleme zinxhirore, për të cilat duhen vite për t’u eliminuar.
“Duhet të ketë një veting, një mekanizëm i cili fillon një proces të verifikimit të titujve, të punimeve. Kur një profesor ka plagjiaturë, ai nuk mund të jetë pjesë e universitetit. Besoj se një numër i konsiderueshëm i profesorëve nuk e kishin kalu vetingun. Nuk është vonë të fillohet, nuk ish bë ndonjë tërmet politik”, ka thënë ai.
Sipas Boletinit, vendimi për reformë duhet të vijë nga brenda strukturave të arsimit.
“Vetë rektorati i UP-së duhet ta iniciojë këtë. Problemet më të mëdha që janë të formësuara dhe të trashura luftohen nga brenda”.
Edhe profesori universitar, Blerim Rexha, e sheh të nevojshëm vetingun, por tha se për ta bërë një gjë të tillë duhet konsensusi i profesorëve, e që sipas tij, nuk ekziston.
“Duhet të bëjmë ndryshime për të cilat kemi konsensus, nuk kemi veting për këtë ende. Kemi disa profesorë që mund të kenë kontrata 10 vjet por që do jetë vështirë ta largojmë. Nëse ministria vendos për veting, po por jam ithtar për ndryshime graduale”, tha ai.
Shitblerja e temave të diplomës, fajësohen edhe profesorët
Besnik Boletini nga Organizata “Çohu” deklaroi se shitblerja e temave të diplomës në Universitetin e Prishtinës, është shqetësuese.
Deri më tash, sipas tij, janë arrestuar dy persona, por “pazari” po vazhdon.
Ai deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin” të mërkurën, se shitblerja e temave të diplomës vazhdon edhe sot e kësaj dite, e për këtë sipas tij, fajtorë kryesorë janë profesorët.
“Gjetjet janë shqetësuese. Secili student ka qasje te shitësit e temave të diplomës. Fatkeqësia është që një pjesë e studentëve, edhe pse i kryejnë tri vjet studime, nuk janë të gatshëm ta shkruajnë një temë të diplomës. Më ka rastisur të rri me studentë që më kanë treguar se tema e njëjtë (e diplomës v.j.), ka shkuar 3-4 herë të profesori. Profesorët janë paguar shtesë për secilën temë. Kjo ka bërë që një profesor në vit t’i ketë rreth 400 tema, e nga kjo 10 mijë shtesë vetëm nga temat”, shtoi Boletini.
Profesori universitar, Blerim Rexha, potencoi se studentët e gjejnë formën më të lehtë e më të lirë për ta përfunduar temën e diplomës, ndërsa fajtorë sipas tij janë profesorët dhe mentorët, që duhet ta monitorojnë studentin në vazhdimësi deri në përfundim të temës.
“Unë e shoh mungesën e monitorimit nga mentori. Ky është turp i përbashkët i shoqërisë. Universiteti i Prishtinës konsiderohet elitar, e unë e bëj pyetjen se ku janë të tjerat (institucionet e tjera arsimore v.j.). Ne po e shohim vetëm majën e ‘icebergut’, e situata është shumë më keq në institucionet e tjera, publike e private”, shtoi Rexha.
Ai theksoi se në Fakultetin Teknik, studentët janë vetëdijesuar që nuk iu duhet më vetëm një diplomë si letër, pasi punësimin mund ta arrijnë edhe pa të.
“Edhe në Universitetin e Prishtinës, por edhe besoj edhe në krejt institucionet e arsimit të lartë, duhet që temat të mos na riciklohen, por të jenë punë e studentit”, tha Rexha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Lajçak për takimin me Kurtin: Diskutuam për rrugën para në dialog

Jakurti: Caktimi i çmimeve tavan për derivate është i duhur, por mund të ketë çrregullim të tregut

Përplasje fizike në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Kurti: S’do të lejoj “republikë serbe të dytë” në Kosovë

Panagiotou: Ta gjejmë formën se si në arsim ta mësojmë përdorimin e mirë të teknologjisë

Culver: Studentët shokohen kur e shohin sa kohë kalojnë në media sociale

Kosova mund ta përdorë trasenë ekzistuese për hekurudhën Prishtinë-Durrës

Qytetarët nënshkruajnë peticionin pro tërheqjes së 30 % të Trustit, thonë se janë në krizë

Synohet t’i jepet shtytje zbatimit të marrëveshjeve nga dialogu i Brukselit

Varhelyi përmend një udhërrëfyes për ta ndihmuar Kosovën drejt liberalizimit

Osmani dënon ashpër sulmin rus ndaj civilëve ukrainas
