1 perditesime
23:36

Mustafi: OSBE-ja është zotuar se do të lejohet regjistrimi i lirshëm i shqiptarëve në Serbi

Ragmi Mustafi nga Koalicioni i Shqiptarëve për Preshevën, ka thënë se OSBE-ja është zotuar se do të lejohet regjistrimi i çdo qytetari pa dallim, në Serbi, qoftë me apo pa dokumentacion.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, të mërkurën, Mustafi ka thënë se gjatë vizitës së ambasadorit të OSBE-së në Preshevë, është kërkuar që të krijohen kushtet optimale për t’u regjistruar lirshëm edhe komuniteti shqiptar brenda këtij vendi.

“Ambasadori i OSBE-së, z. Jan Brathu ka qëndruar në Preshevë, ku ka takuar të gjithë akterët politikë dhe është diskutuar njëra nga çështjet që ka të bëjë me regjistrimin e popullsisë në Serbi. Ajo çka kemi kërkuar është që të krijohet kushte optimale për t’u regjistruar edhe komuniteti shqiptar dhe krahas asaj të krijohet një infrastrukturë që lejon lirshëm që qytetarët të deklarohen. Kemi marrë zotime të forta të OSBE-së, se do të lejohet të regjistrohet çdo qytetar pa dallim, qoftë me apo pa dokumentacion. Kemi kërkuar ndihmën e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë që të ndërkombëtarizohet edhe më tej çështja e pasivizimit të adresave dhe në të gjitha takimet tona kjo është tema qenësore”, ka thënë Mustafi.

Ai ka shtuar se kërkesa është që shqiptarët e Luginës së Preshevës të trajtohen konform konventave ndërkombëtare, siç trajtohen të gjitha komunitetet në Evropë dhe që të ketë reciprocitet me komunitetin serb në Kosovë.

“Të gjithë jemi të fokusuar që të përdorim edhe institucionet brenda Republikës së Serbisë, por edhe institucionet ndërkombëtare, pasi kjo nuk ka të bëjë me ligjshmërinë në Serbi, por drejtpërdrejt si çështje politike e lidhur me kontekstin Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Mustafi ka deklaruar se është kërkuar që çështja e Luginës së Preshevës të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që do të normalizonte marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve.

23:17

Mustafi: Serbia dëshiron ta mohojë zërin shqiptar në Parlamentin e Serbisë

Ragmi Mustafi nga Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka thënë se partia në pushtet në Serbi, dëshiron ta mohojë një zë shqiptar në Parlamentin e këtij shteti.

Mustafi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të mërkurën, se Shaip Kamberi, si deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ka ngritur shumë çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe se kjo është arsyeja që atij po tentohet t’i pamundësohet fitorja e ulëses së Kuvendit sërish.

“Kjo është e lidhur me komunitetin shqiptar dhe mohimit të zërit të tyre në Parlamentin e Serbisë. Në dy vitet e kaluara, Kamberi ka ngritur një mori çështjesh të rëndësishme për shqiptarët dhe çështjet gjeo-politike që kanë të bëjnë me shqiptarë. I ka nxitur temat e nevojshme, ia ka bërë të ditur bashkësisë ndërkombëtare se me çka do të përballemi dhe ka shtyrë përpara tema se si duhet të zgjidhet çështja e Luginës së Preshevës. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe trashëgiminë e saj. Kushtet në të cilat janë duke u mbajtur këto zgjedhje janë përtej të jashtëzakonshmes, duke e targetuar komunitetin shqiptar”, ka thënë Mustafi.

Ai ka ftuar votuesit e Tërnocit që të marrin pjesë procesin zgjedhor që do të mbahet për herë të tretë në këtë fshat.

“Me këtë do të dëshmohet se nuk mund të thyhet fryma e shqiptarëve për të drejtat e tyre dhe nuk do të lejojmë që të dorëzohemi në raport me diskriminimin që po na imponohet. Kësaj fryme të Serbisë duhet t’i dalim përpara. Ivica Daçiqi nuk do të kalojë, sepse Tërnoci do të votojë e shqiptarët do të fitojnë”, ka shtuar Mustafi.

Më 27 maj, Shaip Kamberi dhe "Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës" për herë të tretë kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve në sigurimin e ulëses së vetme të përfaqësimit në Parlamentin e Serbisë.