Arbëri

Trend rritës i rasteve që trajtohen në Emergjencë, mbi 20 mijë për tre muaj më 2022

 

Mbi 20 mijë e 800 raste emergjente janë trajtuar në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për tre muajt e parë të vitit 2022, ka bërë të ditur mjekja Nerxhivane Halimi. Në një lidhje për emisionin “Sot” në KTV, Halimi ka thënë se trendi është shqetësues, duke shtuar se në këtë tremujor ka rritje prej 10 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më herët.

“Për 24 orë kemi pasur 227 raste. Aksidente ka pas më pak, vetëm 10, por lëndime, sëmundje internistike e kirurgjike. Nëse marrim raport tremujor, nga janari deri në mars, kanë qenë 20 mijë e 800 raste. Nëse i krahasojmë me vitet e kaluara, është 10 për qind më tepër sivjet. Pra ngarkesa sa vjen e rritet. Nuk zvogëlohet”, ka thënë ajo duke shtuar se ndër vite rastet internistike dhe traumat apo lëndimet e ndryshme nga aksidentet e komunikacionit janë rastet më të shpeshta që trajtohen në Emergjencë.