1 perditesime
00:10

Për 68 nga 1617 të zhdukurit s’ka mostra të plota të gjakut

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit ka treguar se për 68 të zhdukur prej 1617 sa janë gjithsej, familjarët kanë hezituar të japin gjak. Në “Interaktiv” të KTV-së ai ka thënë se për një pjesë të këtij grupi megjithatë ka mostra jo të plota të gjakut, duke sqaruar se nuk ka mostra të vijës së afërt familjare të të zhdukurve.

“Dua të apeloj për një numër të vogël të familjeve që kanë hezituar të japin mostra të gjakut. Janë 68 persona të zhdukur nga 1617 sa janë gjithsej për të cilët s’kanë dhënë gjak. Por jo për të gjithë ka mungesë të plotë. Ka mostra të pjesshme, që nënkupton se ka dhënë gjak një familjar por jo nga vija më e afërt biologjike, por mund të jetë nipi për gjyshin apo kështu e afërme. Deri tash është praktikuar dhënia e tri mostrave të gjakut”, ka thënë ai, duke shtuar se megjithatë avancimi i teknologjisë ka bërë më të lehtë identifikimin edhe kur s’ka mostra të plota të gjakut.

Gara ka thënë po ashtu se së voni ka nisur një proces i riinventarizimit të më shumë se 300 profileve të mbetjeve mortore të paidentifikuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas tij, janë caktuar fazat për trajtimin e duhur dhe se aktualisht po bëhet procesi i ribashkimit. Ai ka thënë se në të kaluarën mund të ketë pasur raste të keqidentifikimeve, por ka shtuar se ato mund të jenë të pakta e se ato familje do të njoftohen po që se një gjë e tillë ka ndodhur.

23:30

Gara: Shqetësuese qasja politizuese e Serbisë karshi të pagjeturve

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit ka thënë se është shqetësuese qasja politizuese që kanë institucionet e Serbisë karshi këtij procesi.

Komentet e Garës vijnë pasi Serbia ndaloi gërmimet për një varrezë të mundshme masive në Shtaval, në territorin serb, të mërkurën.

“Jo vetëm në Shtaval, por është gjithmonë sfiduese kur kem gërmime në territorin serb për shkak të qasjes që ka Serbia për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Duke pas mungesën e bashkëpunimit nga pala serbe, gjithmonë është sfidë. Përkundër gërmimeve nga 10 deri më 25 maj në Shtaval, mungesa e bashkëpunimit nga Serbia e vështirësoi. Mungesa e bashkëpunimit nga pala serbe është çështje që është adresuar dhe do të adresohet te ndërkombëtarët. Mungesa e bashkëpunimit në kuptimin e ndarjes së informacioneve. Çfarëdo informata që kemi ne, pa informacionet e arkivit të palës serbe, është sfiduese. Ne të gjitha të dhënat i kemi ndarë me palën serbe. Rasti për Shtavalin është iniciuar nga Kosova më 2020. Serbia duhet t’i vë të gjitha informatat që i ka dhe mund t’i kenë në arkivat e tyre”, ka thënë Gara në “Interaktiv” të KTV-së.

Gara konfirmoi se nuk komunikojnë direkt me palën serbe, por përmes komunitetit ndërkombëtar.

“Për ta rritur bashkëpunimin me palën serbe, duhet presioni i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Brukselit, ndaj institucioneve të Serbisë. Presion në kuptimin e integrimeve evropiane, në çështje politike”, shtoi ai.

Gara ka thënë se pala serbe pretendon se i ka ofruar Kosovës një numër faqesh me dokumente, por sipas tij rëndësi ka përmbajtja dhe jo numri i faqeve.

Sipas tij, janë shënjuar disa lokacione në të cilat synohet të ketë gërmime në Serbi, por ka shtuar se “ato mbesin sfidë në vete”. “Me rëndësi është të kemi në vazhdimësi informata nga arkivat e institucioneve të Serbisë”.

Gara është zotuar se asnjë rast nuk do të ngel pa u trajtuar për mungesë kapacitetesh humane apo buxheti.

Në Kosovë, rezultojnë ende të zhdukur nga lufta e ’99-s mbi 1600 persona.