1 perditesime
Arbëri

Murati: 80 milionë euro në vit për veteranët, duhen pastruar listat

Murati: 80 milionë euro në vit për veteranët, duhen pastruar listat
Foto: Driton Paqarada/KOHA
11:52

Murati: 80 milionë euro në vit për veteranët, duhen pastruar listat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se neni që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.

Murati ka thënë të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi se fshirja e këtij neni është bërë me vullnet politik të atëhershëm.

“Mos te harrojmë, neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë në vitin 2017. Fshihet neni 18 dhe kësisoj behet shkëputja e pagës se veteranit”, është shprehur Murati, derisa ka folur për kundërshtimin nga ana e veteranëve për miratimin e Projektligjit përmes të cilit rritet paga minimale në Kosovë.

Murati ka thënë po ashtu se 80 milionë euro në vit sillen pagesat për veteranët.

“Duhet të behet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejtë ata që njëmend kanë luftuar, duhet të bëhet diferencimi”, është shprehur Murati.

Një numër i madh i veteranëve të UÇK-së kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në kohën kur pritej të hidhej në votim Projektligji për ndryshimin e pagës minimale. Protesta ka eskaluar kur protestuesit janë përpjekur që të hyjnë në ndërtesë të Kuvendit. Dy policë dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar në protestë.

Organizatat po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria.

Projektligji nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit.

 

10:39

Murati: Gati 17.000 lehona përfituan nga 170 euro në muaj deri tash

Gati 17.000 lehona në Kosovë kanë përfituar deri tani nga 170 euro në muaj në kuadër të shtesave për këtë kategori, ka bërë të ditur të martën ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Murati ka thënë se janë saktësisht 16.700 gra lehona që kanë përfituar nga kjo skemë, e cila ka nisur së zbatuari nga gushti i vitit 2021.

Sipas skemës, lehonat e papuna përfitojnë nga 170 euro për gjashtë muaj radhazi pas lindjes, ndërkaq ato të punësuara përfitojnë nga 170 euro për tre muaj.

Murati po ashtu ka bërë të ditur se sa u përket shtesave për fëmijë, deri tani kanë përfituar 152.500 fëmijë. Fëmijët deri në 2 vjeç përfitojnë nga 20 euro në muaj, ndërkaq ata mbi 2 vjeç i përfitojnë nga 10 euro në muaj.