Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka thënë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal heshti kur “Sunny Hill” i propozoi të mos marrë asnjë copë tokë, por të ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival me leje shfrytëzimi për 30 ditë.
Reagimi i Sahatçiut vjen pasi MAPL-ja fajësoi Komunën e Prishtinës për zhvendosjen e “Sunny Hillit”. MAPL-ja pretendon se ka pasur “mungesë të dokumenteve esenciale në aplikacion”.
“Pse heshti MAPL në propozimin e Sunny Hill për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm t'a ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë? Mos mashtroni. Nuk deshtët”, ka shkruar Sahatçiu në Twitter.
“Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë sivjet. Ky festival do të zhvendoset në Tiranë. Organizatorët kanë fajësuar institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë.
Deri të martën ka qenë afati që institucionet në Kosovë t’i përgjigjen për dhënien në shfrytëzim të lokacionit. Në njoftimin zyrtar të Festivalit është konfirmuar se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.