Asociacioni i Komunave: MAPL-ja ndërhyri në kompetencat e Komunës për “Sunny Hillin”
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka fajësuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë. Sipas AKK-së, MAPL-ja ka ndërhyrë në kompetencat dhe autonominë lokale të komunave të cilat janë të përcaktuara me ligjet në fuqi.
“Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë sivjet. Ky festival do të zhvendoset në Tiranë. Organizatorët kanë fajësuar institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë. Në njoftimin zyrtar të Festivalit të martën është thënë se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.
Komuna e Prishtinës ka akuzuar MAPL-në për vonesë në lëshimin e lejes për shfrytëzimin e pronës në Bërnicë të Poshtme, të cilën Kuvendi Komunal ia dha festivalit për 99 vjet. Nga MAPL-ja janë shprehur se s’kanë refuzuar kërkesën, por se kanë kërkuar dokumente shtesë.
Duke komentuar letrën e ministrit Elbert Krasniqi drejtuar Komunës, AKK-ja ka thënë se kërkesa e tij që të ndryshohet afati i dhënies në shfrytëzim të pronës është ndërhyrje në kompetenca komunale.
“Neni 6 i Ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës thotë se Afati i dhënies në shfrytëzim i pronës së paluajtshme të komunës vendoset nga KOMUNA, e jo nga niveli qendror, ku komunat kanë të drejtë ta japin pronën e vet komunale në shfrytëzim nga 1-15 vite, më shumë se 15 vite, pra deri në 99 vite dhe se komunat mund të japin në shfrytëzim pronën e paluajtshme për me pak se një (1) vit. Kurse në shkresën e MAPL-së, e nënshkruar nga ministri Elbert Krasniqi, drejtuar kryetarit të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kërkohet në mënyrë arbitrare që komuna ta adresojë kërkesën për ndryshimin e afatit për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim për festivalin “Sunny Hill”, thuhet në reagimin e AKK-së në Facebook të mërkurën.
AKK-ja thotë se në shkresën e Ministrisë ndër të tjera thuhet që “ju si kryetar do ta adresoni kërkesën për ndryshim të afatit të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale, ku vendimi përsëri duhet t’i nënshtrohet aprovimit në Kuvendin e Kryeqytetit, me procedurat të përshpejtuara përmes mbledhjes së jashtëzakonshme e pastaj, sipas legjislacionit në fuqi MAPL bënë vlerësimin e ligjshmërisë” Shkresën e keni të bashkangjitur”.
“Me këtë shihet dhe vërtetohet qartë ndërhyrja e MAPL në kompetencë të komunës e që këto ndërhyrje janë pengesë serioze në mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal por edhe pengesë në zhvillimin e demokracisë lokale në Republikën e Kosovës Shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit që niveli qendror me dashje ndërhyn në kompetencat e komunave”, përfundoi reagimi i AKK-së.