Kasumi: Zhvendosja e Sunny Hillit në Tiranë nuk ndodhi rastësisht
Asamblistja e VV-së në Kuvendin Komunal në Prishtinë, Triera Kasumi, deklaroi se dokumentacioni i votuar për hapësirën e dhënë për mbajtjen e festivalit Sunny Hill, pati defekte, derisa sipas saj, zhvendosja e tij nuk ndodhi rastësisht.
Sipas saj, ndër arsyet që ky festival u zhvendos nga Prishtina në Tiranë, është mungesa e dokumenteve dhe joserioziteti i marrëveshjes. Ajo tha se nuk u ofruan dokumente shtesë dhe shifrat ishin printuar me gabime teknike.
“Ne kemi kërkuar dokumente shtesë, para se të votonim. Më ka ardhur një dokument i printuar gabim, me të dhëna jo fort të dukshme. Më është prezantuar një vërtetim tatimor që ka pasur afat tatimor të skaduar. Më është prezantuar një plan i veprimit një faqe e gjysmë”, tha Kasumi.
Sipas saj, është diskriminuese që për një festival ndërkombëtar, të ofrohen 17 hektarë tokë për 99 vjet shfrytëzim, e festivalet e tjera vendore, të mos kenë privilegje.
“Nëse komuna dhe Qeveria kanë vullnet që ky festival të mbahet, është e çuditshme që brenda një dite të vendoset që të mbahet në Tiranë. Unë mendoj që zhvendosja e Sunny Hillit nuk ka ndodhur rastësisht. Ne duhet ta dimë që Kosova është shtet që ka ligje, derisa po flasim për shkelje të ligjeve, si mund të flasim për tema të tjera. Marrëveshja ka qenë e dëmshme. Kuvendi komunal është dashur të ftojë mbledhje të jashtëzakonshme, të diskutohen të gjitha. Ne kemi kërkuar që marrëveshja të rishikohet”, tha tutje asamblistja e VV-së.
Kasumi theksoi se vota e opozitës kundër dhënies së 17 hektarëve në Bernicë u bë për shkak të dokumentacionit të mangët.
“Ka qenë joserioze kërkesa në momentin kur ofrohen dokumente me afat të skaduar dhe të mangët. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka kërkuar dokumente shtesë, që kanë mundur t’i japin legjitimitet këtij vendimi. Ne jemi ankuar edhe për kohëzgjatjen e dhënies së tokës. Sunny Hill thuhet se nuk mund të ketë konkurrencë. Ne nuk pajtohemi me këtë”, shtoi ajo.