1 perditesime
23:51

Kuçi: Kurti e ka pranuar që është veteran i rremë

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, deklaroi se kryeministri Albin Kurti, në takim me veteranët, e ka pranuar që është veteran i rremw i luftës.

Ajo tha të enjten në Interaktiv të KTV-së, se Qeveria Kurti po bën luftë speciale ndaj veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas saj, kryeministri e hodhi në publik temën e veteranëve për ta matur opinionin publik, e sipas Kuçit, kjo kryeministrit nuk i funksionoi.

“Ka veteranë të rremë, listat duhet të pastrohen. Edhe Albin Kurti është veteran i rremë. E ka pranuar në takim me veteranët. Kurti dëshiron që të fitojë diskursi i tij anti-UÇK. Dëshiron ta ketë lirinë që ta lëvizë pagën minimale, pa e lidhur me veteranët. Ai do të bëjë një ndarje në shoqëri. Çka kam parë sot është që ata (veteranët v.j.) janë të lodhur shumë nga kjo qasje”, tha Kuçi.

Sipas Kuçit, Kurti e Lëvizja Vetëvendosje po tentojnë ta krijojnë një ndarje mes veteranëve.

“Kjo është luftë speciale ndaj veteranëve dhe krahut të luftës. Me rëndësi për Kurtin është që të jetë shpjegimi i tij për luftën, për paqen e për historinë. Qëkur ka shkruar ‘Shko Hashim’, e ka treguar ku është pozicionuar për luftën. Kurti tha se do t’i heqim veteranët e rrejshëm. U bë një ndarje, e një linçim për veteranët. Qëllimi ishte të shkëputej pensioni i veteranit nga paga minimale”, deklaroi Kuçi.

Ajo theksoi se PSD-ja është pro pastrimit të listave të veteranëve dhe pro themelimit të një komisioni për hetim.

Zëdhënësja e PSD-së u shpreh se e drejta është në anën e veteranëve.

Nëse Qeveria mendon për veteranët, pranojmë që të ketë interesim për pastrim të listave. Po e përdor elektoralisht. Frika se do t’i luftojë kush është i rrejshëm e kush jo, ishte mënyrë për matjen e opinionit publik. Nuk i doli se njerëzit janë me probleme të mëdha, me trauma e nuk pranojnë një lloj linçimi dhe një lloj demoralizimi”, tha ajo.

23:25

Kuçi: Molliqaj u arrestua e u godit nga policët civilë, nuk ka askund kështu

Zëdhënësja e Partisë Social Demokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka deklaruar se policia i ka thënë kreut të kësaj partie, Dardan Molliqaj, se ka marrë urdhër me telefon një ditë më parë që ta arrestonte.

Kuçi ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se është hera e dytë që Molliqaj arrestohet duke u shkelur procedurat ligjore, sipas saj. Ajo shtoi se ngjarja bëhet më serioze, kur shihet se Molliqajn dhe bashkëpunëtorët e tij i arrestuan dhe i goditën policët civilë.

Molliqaj dhe tre zyrtarë tjerë të PSD-së u arrestuan pas protestës së veteranëve, e mbajtur të enjten në Prishtinë.

“Tri shkallë janë: ftesat, prurja me forcë dhe në fund fletëarresti. Atyre u kanë thënë që kanë marrë urdhër me telefon për arrestime. E kanë bërë sot me konfrontime, siç edhe Policia vetë deklaroi se ka qenë e planifikuar që të arrestohen brenda në protestë. Është hera e dytë që Dardan Molliqaj arrestohet duke u shkelur procedurat ligjore”, ka thënë Kuçi.

Ajo insistoi se gjatë arrestimit të Molliqajt është përdorur dhunë nga policia, derisa ka kritikuar arrestimet nga policët civilë.

“Në momentin që jemi shkëputur prej veteranëve, 30 vetë na kanë rrethuar për ta arrestuar Dardan Molliqajn. Nuk ka kuptim që të na arrestojnë policët civilë. Të gjithë ata që kanë filluar arrestimin dhe kanë goditur janë pa uniformë. Nuk ka asnjë ligj në botë që ta lejon të shkosh si polic civilë e ta arrestosh dikë. Ka policë që kanë përdorur dhunë e të cilët i shpërndajnë postimet e Sveçlës në rrjete sociale gjatë gjithë kohës. Kjo polici po politizohet dhe po bëhet një shtet policor. Nuk kam asnjë dyshim që kjo qeveri i frikësohet jashtëzakonisht shumë rezistencës opozitare dhe qeveritare”, është shprehur Kuçi.

Ndaj Molliqajt ishte lëshuar të mërkurën urdhërarrest nga Gjykata, për rastin e sulmit fizik ndaj deputetit Haki Abazi.