3 perditesime
12:25

Prokurori: As të akuzuarit e as mbrojtësit nuk i mohuan veprimet që shkaktuan humbjen e 53 milionëve

Lidhur me kundërshtimet e të akuzuarve për 53 milionët e autostradës, prokurori special, Atdhe Dema deklaroi se sot para gjykatës, as nga avokatët mbrojtës dhe të akuzuarit nuk u mohuan veprimet që janë përshkruar në aktakuzë.

Por sipas tij, u arsyetuan me humbjet që mund t’i pësojë shteti sikur të mos kishin vepruar si në aktakuzë.

Ai tha se kjo është dëgjuar së paku nga dy ose tre avokatë.

Gjykatësja Violeta Namani deklaroi se lidhur me kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe përgjigjes së prokurorisë do të vendosë jashtë seancës.

Prokurori tha se gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe çështje të tjera, të cilave tentonin t’i jepnin arsyetim se përse aktakuza paska dështuar dhe si e tillë duhet të pranohen kundërshtimet e tyre.

Ai shtoi se dokumentet që qartazi janë përshkruar në aktakuzë, veprime që qartazi janë përshkruar në aktakuzë, analizë e tërë procesit, ndërsa çështja kryesore është ajo e dëmtimit të buxhetit në shumën edhe që ngarkohen se e kanë kryer në mënyrë joligjore të akuzuarit.

Ai tha se mbrojtja iu referuan pikave 1 dhe 2 të aktakuzës, e që në realitet, sipas tij, janë përshkrime faktike të aktakuzës.

Nëse qëllimi është krijimi i spektakleve, Dema tha se kjo është çështje e mbrojtjes, pasi aktakuza i ka të gjitha elementet, edhe vendin, edhe kohën, edhe mënyrën, edhe përshkrimin e elementit subjektiv.

Dema tha se pretendimet e mbrojtjes se procedura për ekzekutimin e pagesës dhe marrjen e vendimit për 53 milionë eurot është çështje që është rregulluar më herët, i kundërshtojnë në tërësi, pasi ato rrethana janë elaboruar në aktin akuzues.

“Komplet pjesa që lidhet me pjesën materiale, shkeljet e deri te krijimi i figurës së veprave dhe dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë, janë përshkruar qartë në aktakuzë”, ka thënë prokurori Dema.

Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes se zgjatja e afatit të hetimeve mund të bëhet vetëm kur janë më shumë se 4 të pandehur, Dema tha se ky është tentim për manipulimin e praktikës gjyqësore dhe precedent i rrezikshëm.

“Pasi nëse i referohemi të njëjtës dispozitë ligjore decidivisht thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake mund ta autorizojë një vazhdim deri në 6 muaj të hetimit në rastet kur hetimi penal është i ndërlikuar, përfshirë por pa u kufizuar, kur ka 4 apo më shumë të pandehur, janë identifikuar disa të dëmtuar, është bërë kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare”, ka shtuar Dema.

Prandaj, sipas tij, argumentimi se vetëm në rastet kur ekzistojnë 4 të pandehur mund të zgjatet hetimi kundërshtohet fuqishëm nga ana e prokurorisë dhe nuk është i qëndrueshëm.

Ndërsa, pretendimin tjetër shfajësues, të elaboruar nga mbrojtësi i Tahirit, se prokuroria ka vepruar gabimisht tek zgjatja e hetimit, Dema e ka cilësuar të paqëndrueshëm, pasi kjo çështje është e rregulluar me ligj, e për më tepër sipas tij, ai tha se do tua rikujtojë që për këtë çështje ekziston edhe një shpjegim nga Gjykata Supreme në aktgjykimin e saj Pnr.130/2018, ku sipas tij janë eliminuar paqartësitë lidhur me çështjen e zgjatjes së hetimit dhe pasojave që prodhohen.

Pretendimet se prokuroria janë thirrur në dokumente inekzistente, Dema i ka cilësuar të paqëndrueshme, pasi që sipas tij ekziston edhe Statuti dhe Kodi.

Dema tha se mbrojtja vetëm ka konstatuar se ka gabime në aktakuzë, por se kjo nuk është argumentuar nga të njëjtit, se çka konkretisht është shkelur.

Pretendimet e mbrojtjes, Dema i ka cilësuar të pabazuara.

“Vlerësoj se pretendimet e mbrojtjes, nuk janë të bazuara dhe mbi këtë konsideron se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Mbi këtë bazë, gjykatës i ka propozuar që këto kundërshtime të refuzohen dhe që gjykata më pas të caktoj datën e shqyrtimit kryesor, ku do të bëhet administrimi i provave”, ka deklaruar prokurori Dema.

Në seancën e sotme, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore. Edhe mbrojtësi i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, avokati Driton Musliu ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove nuk ka pasur alternativë. Ka thënë se nëse nuk do të bëhej pagesa e 53 milionë eurove lënda do të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit dhe shteti do të humbte edhe më shumë para.

Ndërsa, avokati i ish-këshilltarit të Lekajt, Eset Berisha ka thënë se nëse ka shkelje përgjegjësia bie mbi shërbyesit civilë e jo këshilltarët politikë. Edhe mbrojtësi ish-drejtorit të Prokurorit Besim Tahirit, avokati Urim Vokshi tha se hetimet janë ndërmarrë pas kalimit të afatit të hetimeve, përkatësisht pas dy viteve e 5 muaj./ Betimipërdrejtësi

11:47

Mbrojtësi i ish-këshilltarit të Lekajt: Përgjegjësi mbajnë shërbyesit civilë e jo këshilltari

Mbrojtësi i ish-këshilltarit të ministrit Lekaj, Eset Berisha, avokati Afrim Salihu deklaroi se qëndron prapa kundërshtimeve dhe kërkesave për hedhje të aktakuzës.

Sipas tij, dallimi ndërmjet një këshilltari politik dhe një shërbyesi civil është se këshilltari politik zgjidhet një person i cili është i besuar nga ministri, i njëjti jep këshilla për ministrin, konsulta dhe bën përpjekje maksimale që ministri dhe komplet dikasteri politik të funksionojë në mënyrë perfeksionale. Detyra këto, që sipas tij, i mbrojturi i tij i ka kryer me dinjitet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në rastin konkret sipas tij, përgjegjësi thelbësore lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, në qoftë ekzistojnë rrethana duhet ta kenë shërbyesit civil, e jo këshilltari politik.

“Janë një mori shkeljes, për të cilat ai tha se kanë kërkuar që të përjashtohen disa prova të siguruara në procedurë paraprake, baza kryesore për të cilën gjykata duhet të mos e lejojë këtë aktakuzë të ecë më tutje është se kemi të bëjmë me kalimin e afatit të parashkrimit sipas nenit 250 par.1 nën par.3, sepse ekzistojnë rrethana tjera që e pengojnë ndjekjen”, ka thënë avokati Salihu.

Ndërsa, i akuzuari Berisha tha se e mbështet në tërësi deklarimin e mbrojtësit të tij lidhur me kërkesën e dorëzuar edhe me shkrim. Ai tha se aktakuza e prokurorisë sa i përket objektit të saj drejtuar ndaj tij, ka gabime të theksuara në fakte dhe prova.

“Aktakuza e prokurorisë më ngarkon se unë që nga data 27 shtator 2017 e deri më 5 qershor 2018 kam zhvilluar negociata në mënyrë të paautorizuar me kompaninë ndërtuese, përderisa faktet tregojnë se unë detyrën e këshilltarit politik të ish-ministrit kam filluar të ushtroj nga muaji dhjetor i vitit 2017”, ka deklaruar Berisha.

Kurse, mbrojtësi i ish-drejtorit të Prokurorit Besim Tahiri, avokati Urim Vokshi tha se hetimet janë ndërmarrë pas kalimit të afatit të hetimeve, përkatësisht pas dy viteve e 5 muaj.

Sipas Vokshit, ky aktvendim për zgjatjen e afatit nuk vlen për të akuzuarin Tahiri, nuk i është dorëzuar klientit të tij, ai nuk ka pasur mundësi që të njëjtin ta atakojë.

Sipas tij, ky aktvendim për zgjatje të afatit vlen vetëm për të pandehurit e përfshirë nën hetime, raporton “Betimi për Drejtësi”. Prandaj, ky aktvendim për zgjatje të hetimeve është nxjerrë pas kalimit të afatit dhe si e tillë kjo aktakuzë për të mbrojturin e tij duhet hedhur.

Vokshi tha se aktvendimi për zgjatje të afatit të hetimeve thekson se gjyqtari i procedurës paraprake i ka zgjatur afatin e hetimeve për sigurim të provave në procedurë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe sigurimit të ekspertizave profesionale ekonomike.

Ai tha se ky aktvendim për zgjatje të afatit të hetimeve nuk mund të prodhojë efekte juridike.

Sipas tij, vetëm një muaj Prokuroria Speciale ka zhvilluar hetime ndaj Tahirit dhe përveç marrjes së deklaratës së Tahirit, nuk figuron asnjë veprim i ndërmarrë nga prokuroria në raport me të mbrojturin e tij.

11:10

Avokati i ish-sekretarit të MI-së: Ose duhej paguar 53 milionë euro, ose lënda shkonte në Arbitrazh

Mbrojtësi i ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri, avokati Driton Musliu ka thënë se pagesa prej 53 milionë eurove nuk ka pasur alternativë. Ka thënë se nëse nuk do të bëhej pagesa e 53 milionë eurove, lënda do të shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit dhe shteti do të humbte edhe më shumë para.

Një deklarim të tillë avokati Musliu e ka bërë të premten në seancën e shqyrtimit të dytë në rastin ku përpos ish-sekretarit po akuzohet edhe ish-Ministri Pal Lekaj për korrupsion me rastin e pagesës së 53 milionë eurove për kompaninë e ndërtimit të autostradës. Në aktakuzë është i përfshirë edhe Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Pal Lekajt, si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Musliu tha se shtyrja e afatit të punimeve ka qenë e domosdoshme ndërsa pagesa prej 53 milionëve nuk ka pasur alternativë, por ka pasur alternativë arbitrazhin, që Qeverisë së Kosovës do ti kushtonte shumë më shumë.

Ai tha se prokurori me këtë aktakuzë gabimisht ka akuzuar personat të cilët në fakt nuk kanë pasur sesi të veprojnë ndryshe në momentin e nënshkrimit të kësaj aneks kontrate, pasi me nënshkrimin e saj, është shpëtuar një dëm më i madh për shtetit e Kosovës.

Avokati Musliu se lloji i kontratës që ka qenë e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës është lloj i veçantë i kontratës të cilën aktakuza nuk e përmend fare dhe as ekspertiza nuk i referohet fare.

Kjo lloj kontrate, sipas Musliut ka kosto fikse, domethënë në mënyrë strikte e përcakton kohëzgjatjen dhe përfundimin e punimeve.

Kjo aktakuzë dhe prokuroria sipas tij nuk janë marrë fare me shkaktarët e vërtetë, por diku ka mesi i ka fut këta të pandehur në hetim dhe kemi përfunduar me një aktakuzë e cila gjërat i ka shikuar në mënyrë sipërfaqësore.

“Në rast se kjo lëndë kalon në shqyrtim gjyqësor, do të ftojmë ekspertë ndërkombëtarë, pasi kjo çështje është jashtëzakonisht e komplikuar. Çështja e mos pagesave në raport me dinamikën e punimeve të kryera nuk ka qenë përgjegjësi e asnjërit, e aq më pak e të mbrojturit tim”, ka thënë ai.

Ai tha se prokurori me këtë aktakuzë gabimisht ka akuzuar personat të cilët në fakt nuk kanë pasur sesi të veprojnë ndryshe në momentin e nënshkrimit të kësaj aneks kontrate, pasi me nënshkrimin e saj, është shpëtuar një dëm më i madh për shtetit e Kosovës.

I akuzuari Shatri deklaroi se e mbështet në tërësi qëndrimin e paraqitur nga i mbrojturi i tij.

Ai tha se ky proces ka kaluar nëpër katër Qeveri dhe janë ndërruar 6 sekretarë të përgjithshëm në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës. Nga dokumentet shihet qartë se Qeveritë e kaluara në mënyrë permanente nuk i kanë përmbushur obligimet financiare dhe gjatë kësaj kohe janë hap projekte tjera dhe nuk janë përmbushur obligimet ndaj projektit në vazhdim.

“Nënshkrimi për zgjatjen e afati ka qenë veprim ligjor dhe i domosdoshëm, pasi në të kundërtën, sipas kontratës me automatizëm çështja do të procedohej në arbitrazh, dhe dëmet do ti vlerësonte një ekspert i pavarur se çfarë dëmi do ti shkaktohej Kosovës sikur të ishin ndërprerë punimet”, ka thënë ai./ Betimipërdrejtësi

10:29

Avokati: Ku kanë përfunduar 53 milionë eurot, në llogari të Pal Lekajt jo

Dorentina Thaqi

Po mbahet seanca për 53 milionëshin, ku i akuzuar është ish-ministri i Transportit, Pal Lekaj.

Në këtë seancë janë duke u dëgjuar kundërshtimet e të akuzuarve rreth aktakuzës, ku edhe avokatët kanë kërkuar që të hidhet aktakuza.Mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Musa Damati, deklaroi se mbrojtja qëndron në tërësi pranë kundërshtimeve të deponuara. Po ashtu, shton se kjo aktakuzë nuk i përmbush kërkesat bazike ligjore, është në vete kundërthënëse dhe e paqartë dhe se pika 1 dhe 2 aktit akuzues nuk ka arritur që të përshkruajë saktë dhe në mënyrë koncize se në çfarë vendi, mënyre dhe kohe dhe cilat janë veprimet inkriminuese të të mbrojturit.

Po ashtu, Damati tha se është me interes krucial se akti akuzues i kundërshtuar nuk ka arritur që të zgjidhë misterin e asaj se ku kanë mbetur ose ku ka përfunduar 53 milionëshi i famshëm, në llogari të kujt kanë shkuar, “në llogari të të mbrojturit tim assesi jo”.

Sipas tij, ky akt akuzues nuk ka arritur as të bëjë gjurmimin e tyre, ka raportuar Betimi për Drejtësi.

I akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare përveç Lekajt, është edhe Eset Berisha, ish-këshilltar i ministrit, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të lartcekurave.

Ndërsa, më 19 shkurt, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare.