2 perditesime
16:51

Kamberi: Zgjedhjet nuk filluan fare të enjten në Tërnoc

Kandidati shqiptar për deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se zgjedhjet e parapara të mbahen të enjten në Tërnoc, nuk janë mbajtur fare.

Ai ka akuzuar komisionerët e Ivica Daçiqit për pengesa të zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, për çka ka thënë se nuk do t’i lejojë.

“Zgjedhjet nuk filluan fare sot në Tërnoc. Komisionerët e Ivica Daçiqit deshën ta bëjnë ligjin sot në Tërnoc, duke thënë se kjo është 'kralevinë'. Nuk i lejuam e as që do t’i lejojmë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Kjo është hera e katërt që në njësinë numër 6 në Tërnoc të Luginës së Preshevës, është organizuar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Tri herët e para procesi është anuluar, ndërsa ish-deputetit shqiptar në Parlamentin e Serbisë i duhen 610 vota për të marrë mandatin e sërish.

10:15

Kamberi ankohet për telashe në Tërnoc

Kandidati shqiptar për deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në njësinë numër 6 në Tërnoc të Luginës së Preshevës ende s’ka filluar votimi. Sipas tij, telashet po shkaktohen nga partia SPS.

“Në Tërnoc, në njësinë numër 6, nuk ka filluar votimi as pas tre ore përplasjesh mes komisionerëve që ka filluar pas provokimeve të komisionerëve të SPS se ‘kjo është mbretëri dhe na vendosim këtu’. Shumë zgjedhës janë kthyer nga vendvotimi dhe nuk iu është mundësuar të votojnë. Ndërkohë vjen një paralajmërim për ‘bombë të vendosur në objektin e shkollës ku po mbahen votimet’, një skenar për të krijuar frikë te votuesit”, thuhet në njoftimin e tij.

08:01

Sot votohet në Tërnoc, shpresa e fundit që shqiptarët të kenë deputet në Serbi

Për herën e katërt në njësinë numër 6 në Tërnoc të Luginës së Preshevës, sot (e enjte) do të organizohet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, me shansin e fundit që Shaip Kamberi të zërë një ulëse si deputet në këtë Kuvend.

Tri herët e para procesi u përsërit, ndërsa një herë Kamberi siguroi ulësen, por në procesin e fundit të përsëritur e humbi.

Partia për Veprim Demokratik ditë më parë bëri thirrje për votim duke kërkuar pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve. Siç kanë vlerësuar PVD-ja dhe partnerët, po ka tentativa në vazhdimësi për të penguar përfaqësimin e shqiptarëve në Parlament.

“Edhe me këtë rast u ritheksua se lufta kundër diskriminimit shtetëror të Serbisë, i cili po shtrihet në të gjitha sferat e jetës e që po ngushton hapësirat për një perspektivë më të mirë, duhet të vazhdojë me të gjitha mjetet politike, prandaj, edhe beteja për përfaqësim të dinjitetshëm parlamentar mbetet një ndër objektivat kryesore të veprimit tonë politik. PVD është e vetdijshme se ky proces zgjedhor që po zvarritet me ndërhyrje të shuma të shtetit, është shndërruar në lodhje për zgjedhësit e njësisë gjashtë, por, duke parë rëndësinë e momentit në të cilin ndodhemi, perspektivën në të cilën gjendet mbarë rajoni, i fton gjithë përkrahësit e dashamirët që, edhe kësaj radhe, t’i përgjigjen në mënyrë masive daljes në zgjedhje, për të dëshmuar fuqinë politike e përfaqësuese të shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e PVD-së dhe Kamberit.

Për Kamberin përkrahje kanë ofruar edhe liderë partiakë e institucionesh në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Ai ishte deputet në legjislaturën e fundit.