11 perditesime
18:07

Nuk kalon rezoluta e LDK-së për ngritjen e çmimeve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me ngritjen e çmimeve në Kosovë.

Me 24 vota për dhe 47 kundër, rezoluta nuk ka kaluar në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës.

Rezoluta parashihte që të reduktohej akciza dhe norma e TVSH-së për derivate për tre muaj, me mundësi vazhdimi të masës edhe për tre muaj të tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, dhe të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSH-së për tre muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë, varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Menjëherë pas dështimit që të votohej rezoluta, deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, duke e bojkotuar seancën.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka shtyrë seancën për të premten, në mungesë kuorumi.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur më herët në seancë tejet kritik për propozimet e opozitës për ulje të TVSH-së dhe akcizës.

Sipas Kurtit, “populli nuk jeton veç tre apo gjashtë muaj”.

“Këto propozime tregojnë gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin. Nuk jeton populli veç tre muaj apo gjashtë muaj. Shumë shtete që kanë bërë ulje të TVSH-së apo akcizës, janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e nevojshme të ndihmohen shtresat e nevojshme, pa e dëmtuar buxhetin. 3+3 është shprehje e mungesës së idesë”, ka thënë Kurti.

13:57

Kurti: Në Kosovë jetohet me më shumë dinjitet sepse Qeveria nuk vjedh si dikur

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të opozitës për mosveprim në ulje të çmimeve të produkteve në vend, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk i sheh si zgjidhje propozimet e deputetëve opozitare për heqje taksash. Sipas tij, tani qytetarët paguajnë “me qejf taksat, sepse ekziston qeverisja e mirë”. Ai ka thënë se tash në Kosovë “jetohet me shumë dinjitet sepse ka politika sociale, edhe për shkak se Qeveria nuk vjedh si dikur”.

“Nga opozita e dëgjova vetëm një numër 3+3. Kaq është propozimi juaj. Është hamendësim, përsiatje. Taksat edhe mund të hiqen, por është gabim. Është dëm. Do ta kuptoja po që se është i brengosur për tatimet nëse ka korrupsion në qeverisje. Po të kishte skandale të përditshme si në qeverisjet e kaluara, qytetarët do të thoshin pse të paguajmë taksa. Por në këtë qeverisje të mirë që ekziston në Republikën e Kosovës qytetarët me qejf paguajnë taksa. Duhet të jeni të gëzuar se çka bëhet me ato taksa. Lehona ka pasur edhe kur keni qenë ju në Qeveri. Ku keni qenë? Shtesat për fëmijë: Fëmijë ka pasur, po s’i keni pa. Në Kosovë jetohet me shumë më shumë dinjitet edhe sepse ka politika sociale edhe për shkak se Qeveria nuk vjedh si dikur”, ka deklaruar Kurti.


Musliu – Hajdarit: Kthjelluni ministre se nuk jeni në tokë të bukës

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë të enjten në seancë të Kuvendit, se sikur ajo dhe bashkëpartiakët e saj, të vajtonin se si e kanë gjetur Kosovën pas luftës, Kosova do të mbetej ashtu siç ka qenë.

Gjatë debatit parlamentar për ngritjen e çmimeve, Musliu ia ka thënë ministres së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, se kur e ka marrë PDK-ja pushtetin, në Kosovë njerëzit kanë jetuar në tenda.

Musliu ka kërkuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje, që siç ka thënë “të kthjellet dhe të ofrojë zgjidhje për qytetarët”, duke iu drejtuar Hajdarit se “nuk është në tokë të bukës”.

“Nëse mbesim ne duke vajtuar se çka kemi gjetur, sikur paraardhësit tuaj institucional do të kishin mbetur duke vajtuar e duke kukurisur se çka kanë gjetur çka kanë trashëguar, sot Kosova do të ishte si në vitet e para të pasluftës. Prandaj kthjelluni, reflektoni dhe gjeni zgjidhje për problemin e qytetarëve, unë nuk pash që ofruar një zgjidhje ose një alternativë. Ju i keni rënë mësysh vetes, ose nuk keni këshilltarë ose nuk keni familjar që ua tërheqin vërejtjen. Kthjelluni ministre sepse nuk jeni në tokë të bukës. Edhe ti mund të zgërdhihesh si po zgërdhihesh tani sepse kjo është qasja juaj. Ju zgërdhiheni ju qeshni ndër dhëmbë sepse ju nuk keni faj”, ka thënë Musliu.

Image
13:51

Kurti kritikon propozimin e opozitës, Abdixhiku i kërkon zgjidhje kryeminstrit

Kryeministri Albin Kurti u shpreh tejet kritik për propozimet e opozitës për ulje të TVSH-së dhe akcizës për tre muaj me mundësi për tre të tjerë. Sipas Kurtit, “populli nuk jeton veç tre apo gjashtë muaj”.

“Këto propozime tregojnë gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin. Nuk jeton populli veç tre muaj apo gjashtë muaj. Shumë shtete që kanë bërë ulje të TVSH-së apo akcizës, janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e nevojshme të ndihmohen shtresat e nevojshme, pa e dëmtuar buxhetin. 3+3 është shprehje e mungesës së idesë”, ka thënë Kurti.

Por Abdixhiku ka thënë se thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e kanë përdorur praktikën e 3+3-shit, sepse siç thotë i pari i LDK-së, nuk dihet çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë. Ai e ka lutur Kurtin që të mos komplikojë çështja e thjeshta, teksa i kërkoi edhe propozime nga qeveria e tij.

“Kompleksiteti dhe ndërlikueshmëria e bëjnë problemin më të madh. Sot, naftën e ke caktuar të jetë 1.89 euro dhe je duke i marrë 60 centë TVSH e akcizë. Ti mund të vendosesh ta heqësh TVSH-në e akcizën, dhe nafta mund të jetë 1.39 euro. Pse po e komplikon një gjë të thjeshtë? Zgjedhjet e lehta janë të domosdoshme ndonjëherë. Tatimi është i njëjtë, por barra më e madhe. Tash nafta është bë 1.89, je t’u marrë më shumë, pa nevojë. Po flasim për lëndën e parë. Shtrenjtohet nafta 10 centë, shtrenjtohen qindra produkte të tjera dhe nuk mund t’i luftosh. Dhe 3+3 sepse të gjitha vendet e BE-së e kanë bërë një gjë të tillë. Ne nuk e dimë a do të përfundojë lufta, çfarë do të ndodhë. Jepeni ju një propozim. Këtu është Kuvendi, këtu është vendi”, deklaroi Abdixhiku.

13:26

Tahiri i kërkon Kurtit ta ndërrojë ministrin e Financave

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti që ta ndërrojë ministrin e Financave.

Ai ka thënë se kuletën e shtetit ia ka lënë një personi të papërgjegjshëm.

“Është e rëndësishme për kryeministrin ta kuptojë që e ka një ministër të Financave që se din që nuk din. Krejt debati që e thërrasim për financa ky e shndërron në debat politik. Ky veç me numra nuk flet”, ka thënë ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për deklaratat e tij lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ajo i ka dërguar një dhuratë ministrit Murati, në formë ironie për deklaratat e tij.

13:23

Kusari-Lila e Abdixhiku përplasen në Kuvend

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, është përplasur me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, pasi ai e kritikoi kryeministrin Albin Kurti për menaxhim me situatën ekonomike në vend.

Kusari-Lila ka thënë se “kredibiliteti i Abdixhikut për të folur për diçka në kontekstin ekonomik dhe të ardhmes është e barabartë me zero, në raport me heshtjen dhe mungesën në seancën kur u tentua shkatërrimi i së ardhmes, në seancën për Trustin”.

“Sot e kuptuam se pse vini në seancë për të tentuar ta imitoni kryeministrin e Kosovës”, iu drejtua Kusari-Lila Abdixhikut.

Në replikën e tij, Abdixhiku ka thënë se Vetëvendosje ka refuzuar çdo ide dhe kjo bën që “edhe idetë e paqëndrueshme të bëhen të qëndrueshme”.

“E di që më shumë vërehet mungesa ime se prezenca jote. E di se këto fjalë lavdëruese që duken krejt t’u kanë bë si shefi, i kam dëgjuar edhe për Hashimin, Behgjetin e edhe tash për Albinin. S’janë të reja”, u përgjigj Abdixhiku.

13:03

Abdixhiku-Kurtit: Politikisht po shkon aty ku unë dua të të shoh

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pasur kritika të ashpra për kryeministrin Albin Kurti, të cilin e akuzon se s’po merr masa për ta luftuar rritjen e çmimeve në vend.

“Politikisht je t’u shku ku unë dua të të shoh. Si kundërshtar politik i yti, je duke shkuar në drejtimin ku unë dua të të shoh, zgjate Zot! Por për qëllime të vendit, je t’u e marrë në qafë. Mosmarrja e masave Albin është korrupsion. Po e varfëron shtresën e pasur dhe të mesme e edhe më shumë”, ka thënë Abdixhiku në Kuvend.

Tutje, i pari i LDK-së ka thënë se Qeveria nuk është në gjendje të përmend as edhe një masë që dëshmon se ka zhvillim ekonomik në Kosovë.

“Ju nuk keni sjellë zhvillim ekonomik dhe nuk jeni në gjendje të përmendni as edhe një masë qe dëshmon se ka zhvillim ekonomik në Kosovë. Inflacioni është 13 për qind, rekord historik ky inflacion. Nuk vjen prej Albinit, por prej luftës së Putinit. Por çështja nuk është ç’po bën Putini, por Albini për ta zbutur këtë gjendje. Ne kemi punë me Albinin dhe jo me Putinin. 50 mijë eurot e baxhanakut, tash bëjnë 40 mijë”, ka thënë ai, duke iu referuar inflacionit të lartë në Kosovë. 


Murati i kundërpërgjigjet Abdixhikut

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për akuzat për moszhvillim ekonomik.

“Te thuhet që nuk janë marrë masa i bie që nuk u dëgjua fjalimi i kryeministrit ku nga lista që e përmendi janë vendime që kanë kushtuar 365 milionë euro. Të thuhet që është vendosur tavani ‘hajdeni tash uleni akcizën’... unë kisha kërkuar nga ju që si grup parlamentar të koordinoheni. Te çështja e akcizës unë kam pritur që me alternativën që propozoni të sillni edhe me shifra se sa i kushton kjo buxhetit dhe sa përfiton qytetari”, është përgjigjur Murati.

12:21

Kurti: Është evidente rritja e çmimeve, por jo vetëm në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është evidente rritja e çmimeve, por jo vetëm në Kosovë. Sipas tij, çmimet janë rritur globalisht dhe qeveria e tij po përpiqet të marrë masa.

“Është evidente se kemi rritje të çmimeve. Kosova nuk është e vetme, çmimet janë rritur globalisht edhe për shkak të vështirësive të zinxhirit të furnizimit. Ju kujtohet sesi vitin e kaluar pati nisur një rritje e çmimeve pa asnjë bazë. Për çmimin e karburanteve kemi marrë disa masa ku kemi përcaktuar marzhën e fitimit”, ka thënë Kurti para deputetëve të enjten.

Ai ka shtuar se Qeveria është përpjekur që të parandalojë presionet inflacionare të brendshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i kanë rritur subvencionet për bujqit duke hequr akcizën edhe për naftën e traktorëve të tyre dhe heqjen e shpenzime për plehun artificial.

“Si e kemi hequr akcizën për naftë tash e 5 herë është duke e shpjeguar ministri Faton Peci. Nëse dëshironi të diskutoni me mua caktoni takim me mua takohemi kur të doni, por qe 5 herë ministri është duke ua shpjeguar këtë çështje”, ka thënë ai.

12:19

Lekaj: Kjo qeveri s’ka vizion, nuk po gjen zgjidhje për ngritjen e çmimeve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti që nuk ka vizion, duke thënë se edhe pas 18 muajve qeverisje, nuk është gjetur zgjidhje për ngritjen e çmimeve për produktet e ndryshme.

“Sot është mirë që jemi këtu me inicimin e opozitës dhe pa dëshirën e pozitës. Kosova po përballet me një gjakderdhje të tregut, ashtu si kryeministri do ta quante po të ishte në opozitë. Ne si Grup Parlamentar jemi të shqetësuar dhe dëshirojmë të japim ndihmë. Të mundohemi me kapacitetet tona t’i japim jehonë dhe vlerë kësaj çështjeje që ka rënduar jetën e qytetarëve. Në kohen kur nuk ka rritje të pagave, kur ka rritje të turpshme të pensioneve, kur ka rritje të të gjitha produkteve, Qeveria Kurti si çdo herë tjetër duket se është zënë në befasi. Kanë kaluar 18 muaj qeverisje dhe ende nuk ka vizion për ta zgjidhur ngritjen e çmimeve të produkteve”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAk ka propozuar që të hiqen taksat për produktet esenciale dhe të përgjysmohen taksat për shitjen e derivateve.

“Ne si AAK mendojmë qe duhet të ndërhyjmë menjëhershëm te çmimet. Ne japim disa propozime për një periudhë tremujore. Të hiqen taksat për artikujt esencialë. Për tre muaj të përgjysmohen taksat e shitjes së derivateve. Të ridraftohet ligji për pagën minimale ku shuma prej 250 euro të ngrihet në 350 dhe të përfshihen veteranët. Kuvendi para se të shkojë në pushim ta miratojë ligjin e pagave. Të rikthehet për miratim ligji për trustin”, u shpreh ai.

11:46

VV-ja do projektligj që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë, opozita heqjen e TVSH-së

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar që të iniciohet projektligji që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë, ka bërë të ditur shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Në Kuvend ajo ka thënë se nëse reduktohet TVSH-ja, sipas kërkesës së opozitës, të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës do të ndikohen dhe do të ketë ulje dhe më pak të hyra për fondet për shpërndarje.

Ditë më parë, Qeveria miratoi një udhëzim administrativ për t’i rregulluar çmimet e derivateve duke përcaktuar marzhën e fitimit për bizneset. Kusari-Lila tani ka thënë se “në këtë kohë krize, grupi i VV-së propozon të iniciojë projektligjin për përcaktimin e fitimit për produktet bazë”.

Ajo ka kritikuar opozitën për rrëzim të marrëveshjes ndërkombëtare për projektin e reformës në skemën sociale. Sipas saj, do të ketë efekt negativ te kjo kategori.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka ftuar deputetët që në Kuvend të marrin vendim për t’ua lehtësuar qytetarëve krizën me çmime.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk e fajëson Qeverinë për çdo gjë, por e fajëson për mungesë të veprimeve.

“Ne jemi të vetëdijshëm se si ka ardhur te kjo rritje e çmimeve. Qeverinë e kritikojmë dhe akuzojmë për neglizhencë dhe mosangazhim. PDK-ja në mars kishte sjellë projektligjin për TVSH-në ku kemi propozuar që tatimi për produktet bazë të ulet nga 18 në 8 për qind. Sot jemi në një situatë krejt tjetër, që jo të reduktohet, por edhe të hiqet krejt TVSH-ja për këto produkte për një periudhë 6 mujore”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se Qeveria “duhet ta rishikojë dhe vlerësojë drejt çështjen e akcizës në naftë”.

11:34

Kurti: Kosova i plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribuuese për siguri globale

Image

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova i plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribuuese për siguri globale. Megjithatë, sipas tij, pranimi në Partneritetin për Paqe në NATO nuk varet nga Kosova.

“Sa i përket Partneritetit për Paqe në NATO, kemi marrë pjesë në Defender Europe 21, vitin e kaluar me 330 ushtarë. Kemi qenë në mesin e 16 vendeve mikpritëse dhe 27 vendeve pjesëmarrëse. Po ashtu do të marrim pjesë edhe në Defender Europe 23. Kemi pasur zbarkim të përbashkët ushtarak me SHBA-në në Kuvajt dhe në aspektin ndërkombëtar i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribuues për siguri global. Edhe në letrën e Sekretarit, Antony Blinken këtë vit, Kosova lavdërohet e vlerësohet si kontribuuese për siguri globale. Ajo që bëj unë për ushtri, e kam rritur buxhetin për 52 për qind. Kemi arritur deri në 1.4 për qind të bruto produktit vendor. Por se ku, kur e si na pranojnë, në masë të konsiderueshme e dini shumë mirë se nuk varet nga ne”, ka thënë Kurti në Kuvend.

11:08

Hoxhaj kërkon veprime nga Kurti për liberalizim, kryeministri i kundërpërgjigjet

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës “që të mos merret me dialog teknik, por me çështje që përmbyllin shtendërtimin e Kosovës”.

Në foltoren e Kuvendit ai e cilësoi samitin e fundit të Bashkimit Evropian si “samit të ndëshkimit”. U përfol gjatë se nga aty do të dalë një qëndrim pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por një gjë e tillë s’u përfshi në konkluzat e samitit.

Hoxhaj ka thënë se duhet t’u dërgohet të gjitha vendeve anëtare një letër me të cilën tregohet se janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim.

Ndërkaq, në përgjigje, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ai asnjëherë s’ka bërë premtim me afate për liberalizim.

“Unë jam kryeministër që asnjëherë nuk ka bërë premtime me afate lidhur me heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, as në fushatë e as sa jam në detyrë. Kemi pasur shembuj të kaluar, ku thuhej se do të liberalizohen vizat për 15 muaj, për 90 ditë apo sivjet. Mua nuk më keni dëgjuar ashtu, e di se nuk varet kjo nga ne. 95 kriteret janë plotësuar, mirëpo skepcitizimat ishin brenda vendeve anëtare e jo te institucionet evropiane. Muajin e ardhshëm bëhen 4 vjet që Komisioni Evropian për herë të dytë ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por kjo s’ka ndodhur shkaku i ndonjë vendi anëtar që ende refuzon e reziston. Ka nganjëherë edhe deklarata nga Brukseli që nuk janë në linjë as vetë me Brukselin. Përpiqemi me durim e përkushtim t’i sqarojmë. S’kemi çfarë të bëjmë më tepër se kaq”.

10:30

Hoxha akuzon VV-në se e ka kapur Universitetin e Prishtinës

Image

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se tashmë Lëvizja Vetëvendosje nuk proteston më për problemet brenda universitetit.

Sipas saj, Këshilli drejtues i UP-së sot përbëhet nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo e ka kthyer prapë atë pak shprese se brenda atij universiteti mund të ketë vendimmarrje e autonomi. Ideja është që të rrisin ndikimin dhe t’ia ndalin frymën universitetit me gjatë. Kësaj qeverie as arsyetimet më nuk i bien tamam", ka thënë ajo.

Sipas saj, me këtë skenar më se paku fajtor janë protagonistët që janë zgjedhur, por sipas saj, mënyra sesi VV-ja e ka bërë këtë skenar dëshmon shumë se për çfarë arsimi të lartë kanë folur e kanë protestuar ndër vite.