Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është shprehur i zhgënjyer me mungesën e progresit në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën “Danas”, Hill ka thënë se është mirë që ka dialog, por është shprehur se do të donte të shihte më shumë bashkëpunim.
“Është e qartë për mua se ende duhet të bëhet shumë përparim. Do të doja të shihja bashkëpunim më të fortë, një kuptim të përbashkët se çfarë do të thotë të jesh fqinj”, ka thënë ai. I pyetur nëse kjo është e mundshme, Hill ka thënë se “është e logjikshme që tensionet në mes të Serbisë dhe Kosovës të bien e që të gjendet një rrugë për ecjen përpara të të dyja shteteve, sidomos pasi që janë fqinj”.
“Sinqerisht, jam i dëshpëruar sa ngadalë po shkojnë gjërat”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia e ka të hapur rrugën kah Perëndimi. Hill ka thënë se përkrah iniciativën e “Ballkanit të Hapur” dhe shtoi se ka pasur përmirësim të rëndësishëm të raporteve mes Shqipërisë dhe Serbisë.
“Është inspiruese për të gjithë. Shpresoj që evropianët po e shohin. S’kam qenë në rajon për 23 vjet dhe tash shoh dallim të madh në raportet mes Tiranës dhe Beogradit prej asaj kohe dhe tash”, ka thënë ai.
Hill ka thënë se ka takime të rregullta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ka shtuar se kryesisht diskutojnë për situatën në Ukrainë, atë në rajon dhe përkrahjen amerikane për bashkëpunimin rajonal.
“S’pajtohemi në të gjitha çështjet, por sigurisht se do të vazhdojmë të bisedojmë. Mendoj se është shumë me rëndësi të kemi shansin t’i përballim qëndrimet në shumë çështje”, ka shtuar ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.