1 perditesime
19:00

Von Cramon: Fundi i mandatit të Lajçakut duhet të jetë fundi i dialogut Kosovë - Serbi

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se dialogu Kosovë – Serbi duhet të zgjasë maksimumi edhe dy vjet.

Pas miratimit të rezolutës për Kosovën, ajo foli për mediat dhe tha se i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak duhet ta përmbyll këtë proces brenda mandatit të tij.

“Përfundimi i mandatit të Miroslav Lajçakut (prill 2024) si i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë gjithashtu fundi i dialogut, i cili natyrisht duhet të bazohet në njohjen reciproke, e cila gjë nuk do të jetë e lehtë, por unë jam shumë optimiste për këtë çështje”, tha Viola von Cramon.

Lajçakut iu vazhdua së fundi kontrata si i dërguar i BE-së edhe për dy vjet.

Ajo iu drejtua mediave së bashku me Vladimir Bilçik, raportuesin e PE-së për Serbinë, pas seancës plenare të Parlamentit Evropian ku u miratuan rezolutat e PE-së për Serbinë dhe Kosovën.

Von Cramon shpjegoi detajet e raportit të saj për Kosovën, në bazë të së cilës është hartuar rezoluta, raporton danas.

“Raporti për Kosovën thekson nevojën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në njohjen reciproke, që është parakusht për vazhdimin e rrugës së të dyja palëve drejt anëtarësimit në BE. Aktualisht dialogu nuk është në agjendën e Beogradit, por edhe Prishtinës zyrtare dhe kjo është kritikuar nga shumë eurodeputetë, si dhe në raportin tonë”, tha Von Cramon.

Ajo tha se ka çështje që së fundi kanë filluar të zgjidhen, siç është marrëveshja për personat e pagjetur dhe marrëveshja për çështjet e energjisë dhe se këto janë hapa përpara, por jo të mjaftueshëm.

“Marrëdhëniet duhet të përmirësohen, jo vetëm në nivelin politik por edhe në nivelin e jetës së qytetarëve”, tha ajo dhe shtoi se integrimi i serbëve të Kosovës është i rëndësishëm.

Von Cramon ka theksuar se ka pritje të mëdha për takimin që Lajçak duhet ta udhëheqë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Shpresojmë që të mbahet një takim në nivelin më të lartë politik ku do të zgjidhen disa çështje urgjente, si ajo e targave të veturave”, tha ajo, duke shtuar se Miroslav Lajçak ka mbështetjen e plotë të PE në punën e tij për këto çështje. /abcnews

17:07

Von Cramon: E mbështesim aplikimin e Kosovës në KiE, por jo edhe në BE

Parlamenti Evropian gjatë ditës së mërkurë ka miratuar rezolutën mbi raportet Kosovë-Serbi. Në këtë rezolutë theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Deputetja gjermane, Viola Von Cramon, e cila ka përgatitur raportin për Kosovën, ka deklaruar se e përkrah aplikimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës, por jo edhe për në Bashkimin Evropian.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Von Cramon, tha se ky raport është i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës me pika fondamentale.

“Përkrahim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por kemi bërë një dallim të qartë me aplikimin për BE, kur kemi thënë se nuk është kohë e duhur për shkak të çështjes së mosnjohjes, që do të rriste pritjet lokale që do të duhej ta menaxhojmë më vonë”, ka deklaruar ajo.

Kosova ka disa javë që ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Von Cramon tha se është e nevojshme marrëveshja me bazë njohjen reciproke.

“Në tekstin e raportit, po ashtu theksohet nevoja e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që bazohet në njohjen reciproke, si parakusht për qasjen në BE të dyja vendeve. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë fort sipër në agjendën dhe marrëveshjet që janë arritur në të kaluarën. Tash po vihen në pyetje, që po tregon se nuk ka angazhim serioz dhe është kritikuar shumë nga individë, deputetë, po ashtu edhe në raportin tonë”, ka shtuar ajo.

Ajo shtoi se në raport thuhet se do t’i jepet përkrahje e plotë të dërguarit special për dialog, Miroslav Lajçak. Sipas saj, ka pasur lajme të mira për dialog pas katër vitesh, me arritjen e marrëveshjes për energjinë dhe personat e zhdukur. Mes tjerash, Von Cramon ka bërë thirrje edhe për përfshirjen e grave në procesin e dialogut./ KosovaPress