Kryeministri Albin Kurti ta takuar ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeon, të mërkurën në Greqi.
Në takim, sipas njoftimit të Zyrës së kryeministrit, u theksua miqësua dhe partneriteti i Kosovës me SHBA-në, nevoja për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë dhe hapat e Kosovës për sigurinë dhe mbrojtjen.
Zyra e kryeministrit njoftoi se Kurti dhe Pompeo janë pajtuar se Kosova është shembull suksesi i ndërhyrjes së NATO-s.
“U diskutua edhe situata në Evropë e posaçërisht në Ballkan pas agresionit ushtarak të paprovokuar, ilegal e të pajustifikueshëm të Rusisë mbi Ukrainën. Të dy u pajtuan që Rusia nuk bën kurrsesi ta fitojë këtë luftë, që kontinenti evropian mbrohet më së miri me unitet të brendshëm dhe me urën transatlantike me ShBA-të dhe se Kosova është shembull suksesi i qëndrueshmërisë së popullit të saj dhe i ndërhyrjes së NATO-s”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Takimi u zhvillua gjatë tryezës ndërkombëtare vjetore të revistës prestigjioze “The Economist”, e cila po mbahet në Athinë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.