1 perditesime
23:45

Këshilltari i Qeverisë vlerëson se imazhi i Kosovës në sytë e BE-së u përmirësua

Këshilltari për integrime evropiane në Qeverinë e Kosovës, Mehdi Sejdiu, deklaroi të mërkurën se në të kaluarën, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, kanë pasur “narrativë negative për Kosovën”. Sipas tij, kjo u ndryshua me ardhjen e Qeverisë Kurti.

“Çdo raport kredibil, sidomos kur publikohet nga shumica e vendeve anëtare, e përmirëson narrativin e Kosovës në Bashkim Evropian. E kemi trashëguar një narrativë ku thuhet se ka regres, krim, korrupsion, jostabilitet, e si Kosova është vend i dobët. Më shumë është shikuar kah Serbia kur është folur për Kosovën. E sot, shikohet kah Kosova. Ndikimi është në narrativë, e narrativi çon në politikë”, tha ai në Interaktiv të KTV-së, të mërkurën.

Sipas Sejdiut, eurodeputetët iu bëjnë presion shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën ta bëjnë këtë.

“Ideja e njohjes në qendër ka qenë që çdo marrëveshje të çojë drejt njohjes. Kosova i ka pesë vende mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian. Tri ia njohin dokumentet, por nuk e njohin si shtet. Ka rekomandime që Kosova të bëjë përmirësime në disa pika”, deklaroi këshilltari qeveritar, duke iu referuar raportit të Parlamentit Evropian që u bë i ditur të mërkurën (6 korrik).

Sejdiu shtoi se ndonëse Kuvendi i Kosovës kritikohet për mosefikasitet, në këtë legjislaturë ka pasur rekord ligje të miratuara.

“Deri sot janë 42 ligje që janë të miratuar në Kuvend. Në 10 vitet e fundit, maksimumi i ligjeve të miratuara është 72. Nuk mund të thuash që Kuvendi nuk është duke punuar siç duhet kur ka rekord të ligjeve të miratuara”, tha tutje.

23:37

Sejdiu: Kosova është e fundit në integrimin evropian jo për fajin e saj

Këshilltari për integrime evropiane në Qeverinë e Kosovës, Mehdi Sejdiu, ka thënë se Kosova mbetet si vendi i fundit në integrimin evropian, jo sepse nuk po bëhen reforma, por sepse Bashkimi Evropian, sipas tij, po bën hapa të ngadalshëm për ta ofruar Ballkanin, e sidomos Kosovën.

I ftuar në emisionin “Interaktiv” në KTV, të mërkurën, Sejdiu ka thënë se ngecjet për integrim në BE ndodhin pasi brenda bllokut nuk ka konsensus se si t’i qasen Kosovës vendet anëtare të BE-së.

“Në integrim jemi të fundit jo pse Kosova nuk po bën reforma, sepse qe gjashtë vjet jemi duke impelementuar MSA-në, por BE-ja po është e ngadalshme për ta ofruar Ballkanin, e sidomos Kosovën. Për çdo vend që është larguar nga ish-Jugosllavia, BE-ja e ka njohur kolektivisht, jemi vendi i vetëm ku brenda BE-së ka pasur mospajtime për njohjen e Kosovës. Në debatin e sotëm në Parlamentin Evropian (Viola von Cramon v.j.) shpesh herë u është drejtuar vendeve mosnjohëse, duke u thënë shihni sa demokratike është Kosova, ju e keni lënë të fundit, prandaj kjo është arsyeja pse jemi të fundit në integrim, jo pse mungojnë reformat, institucionet apo zgjedhjet demokratike, në këto performojmë shumë mirë. Por nuk ka konsensus brenda BE-së se si t’i qasen Kosovës”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se ka ndryshuar gjuha sa i përket integrimit të Kosovës, pasi para një viti nuk është përmendur asnjëherë njohja e ndërsjellë si kusht, ndërsa këtë vit po.

“Në qëndrimet e para një viti, nuk është përmendur asnjëherë njohja e ndërsjellë si kusht. Kur ishte kancelari gjerman në Beograd e tha dhe pati një lloj shtangie atje”, ka thënë ai.