1 perditesime
18:36

Lajçaku thotë se 3-4 marrëveshje janë gati në dialogun Kosovë-Serbi

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se 3 ose 4 marrëveshje janë gati mes dy shteteve e se pret që ato të finalizohen “së shpejti”.

Ai ka lavdëruar dy palët për takimet e përmuajshme në nivel kryenegociatorësh. Ka shtuar se ka pasur pajtim edhe me krerët e shteteve që takimet të mbahen edhe në nivelin më të lartë.

Së fundmi, Kosova e Serbia u pajtuan për udhëzuesin mbi implementimin e marrëveshjes së energjisë për katër komunat në veri të Kosovës.

Në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Lajçak ka thënë se procesi i dialogut mes dy shteteve është procesi më strategjik në rajon. Dy çështje tjera urgjente i ka cilësuar nisjen e negociatave për pranim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe “çështjen e tejzgjatur” të vizave për Kosovën.

Sipas tij, ka ardhur koha që Bashkimi Evropian ta kthejë kredibilitetin e zgjerimit e që edhe partnerët ta bëjnë punën e tyre me seriozitet në reforma.

17:29

Lajçak: BE-ja ta kryejë punën e vet për integrimin e Ballkanit Perëndimor

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se BE-ja duhet ta kryejë punën e papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Në një shkrim në Twitter, nga Forumi i Dubrovnikut, Lajçak ka thënë se lufta në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka dhe e ka kthyer sërish në çështje politike zgjerimin e BE-së.

“Për kohë të gjatë, ne ishim të vetëkënaqur. Kjo s’mund të vazhdojë më. Ne duhet ta përfundojmë punën tonë të papërfunduar kur bëhet fjalë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai.

Në Forum po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.