Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të udhëtojë të mërkurën e 13 korrikut në Bruksel, ku pritet të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me qëllim që t'i thellojnë bisedimet për bazën e NATO-s në Durrës.
Ky projekt paraqet instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit, Porto Romano.
Qeveria shqiptare kërkon që të ndihmohet financiarisht nga aleanca për këtë nyje ushtarake në Detin Adriatik, por ende nuk ka një shifër konkrete sesa mund të kushtojë ndërtimi i një kalate e cila të kënaqë të gjitha nevojat ushtarake të NATO-s, raportoi të dielën “Klan TV”.
“Së shpejti besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit. Në portin e ri që do të jetë në Porto Romano dhe përveç pjesës komerciale tregtare, parashikohet që të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të ekspertëve dhe ekspertët e aleancës për të parashtruar projektin në detaje dhe për të vijuar më tutje diskutimet”, ka thënë para disa ditësh kryeministri shqiptar.
Sipas raportimit, projekti fillestar parashikon që kjo zonë ushtarake brenda portit tregtar të Durrësit të zë një sipërfaqe prej 50 ha, ndërsa vetë objekti të ketë një kapacitet prej 800 metër linear, me një thellësi 13 metër në mënyrë që të mund të ankorohen dhe luftanije të mëdha.
Ndërtimi i kësaj baze “është diskutuar dhe në samitin e fundit të NATO-s nga Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, çka mësohet se ideja nuk ka kaluar pa vëmendje”.
Baza do të mundësonte dhe stërvitje ushtarake të forcave të NATO-s të përmasave të Defender 2021, stërvitja më e madhe e forcave ushtarake të drejtuar nga SHBA me pjesëmarrjen e ushtrive të disa shteteve e zhvilluar në Detin Adriatik.