2 perditesime
17:42

Avokati i Veselit: Prokuroria po e zvarrit procesin, mund të zgjasë deri në 5 vjet

Benedict Emmerson, avokati i ish-kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, deklaroi se Zyra e Prokurorisë po e zvarrit procesin gjyqësor, duke shtuar se nëse vazhdon kështu, ky proces do të zgjasë deri në 5 vjet.

Ai deklaroi të mërkurën në konferencën mbi ecurinë e çështjes se Prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të dëshmitarëve, por nuk e ka ulur numrin e dëshmitarëve që do të dëshmojnë.

“Në konferencën mbi ecurinë e çështjes na u tha se Prokuroria ka ulur numrin e orëve të trajtimit të çështjeve , ndërsa tani thotë se nuk ka hequr asnjë dëshmitar nga lista. Nëse numri i orëve është hequr, atëherë është zvogëluar edhe numri i dëshmitarëve. Neve nuk na është thënë kjo”, deklaroi ai.

Emmerson theksoi se çështja e dorëzimit të dokumenteve duhet të kryhet sa më parë, në mënyrë që procesi të mos marrë kohë.

“Nuk e kam për detyrë të detyrojë prokurorinë të sillet ashtu siç duhet, por e kam detyrë ta mbrojë klientin tim, të fillojmë me çështjen në kohën e duhur. Nuk shohim gatishmëri nga Prokuroria për t’i dhënë ecuri këtij procesi. Mbrojtja nuk ka më çfarë të bëjë. Është Prokuroria ajo që po shkakton pengesa sepse nuk e dinë cilët dëshmitarë do të dëshmojnë. Do t’i vendosin në listë për të dhënë dëshmi dhe t’ua japin gjysmën e kohës për t’i bërë rrëfimet e tyre. Kjo nuk është Prokurori profesionale. Ju ftoj të caktoni afat, të paktën 7 ditë para konferencës së ardhshme për listat e dëshmitarëve”, deklaroi ai.

Sipas avokatit të Veselit, 107 dëshmitarët e parë apo 30 përqindëshi i atyre që do të dëshmojnë, duhet të dihen paraprakisht, në mënyrë që mbrojtja të përgatitet.

Përfaqësuesja e Prokurorisë mohoi deklarimet e mbrojtjes, duke thënë se listat dihen tash e disa muaj, derisa shtoi se akuzat e Emmersonit janë të pabazuara.

17:12

Avokati i Thaçit: ZPS-së do t’i dorëzojmë dokumente të krimeve serbe

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, deklaroi të mërkurën, se do t’i dorëzojnë Zyrës së Prokurorisë Speciale (ZPS) disa dokumente rreth krimeve serbe në Kosovë.

Ai deklaroi se me ZPS-në kanë rënë dakord në disa fakte të grumbulluara, por që dokumentet që do t’ia dorëzojnë, sipas tij do të luajnë rol në procesin gjyqësor.

“Kemi ndërmend t’i dorëzojmë disa propozime ZPS-së për krimet që janë kryer nga serbët kundër popullatës shqiptare, që janë shumë në numër. Krime e vrasjeve ndaj shqiptarëve. Kjo do të na shkurtojë shumë kohë”, deklaroi Kehoe.

Në konferencën e së mërkurës, palët mbrojtëse të Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, thanë se ZPS-ja duhet të ndajë materiale shfajësuese për shqyrtim, pasi sipas tyre, një pjesë e tyre mund të jenë të falsifikuara.

Avokati i Veselit, Benedict Emmerson, deklaroi i ka pranuar katër dokumente të ZPS-së, që mbetet të shqyrtohen, derisa shtoi se shtatori i këtij viti mund të jetë periudha kur mund të diskutohet mbi to.

15:35

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve kërkon nga prokuroria dorëzimin e materialeve shfajësuese

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në Hagë, avokatët kanë kritikuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për vonesa në dorëzimin e materialeve shfajësuese. Mbrojtja ka kërkuar që prokuroria t’u vë në dispozicion menjëherë dokumentet të cilat lidhen me materialet shfajësuese dhe sipas tyre ZPS-ja posedon materiale të tilla, por nuk i dorëzon ato.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria duhet t’i dorëzojë materialet shfajësuese menjëherë dhe jo t’i kërkohet të bëjë një gjë të tillë duke shtuar se kjo është detyrim për ZPS-në.

”Kur ZPS-ja vendohet në pozitë të vështirë atëherë ata dorëzojnë material shfajësues, është shumë e thjeshtë, kjo është një çështje e cila ka hasur shumë probleme nga ana e prokurorisë, ka dokumente shfajësuese në posedim të ZPS-së aktualisht duke lënë me një anë mocionin që kemi dorëzuar sot lidhur me dokumente serbe të cilat ju e keni parë i nderuar gjykatës, pra është një proces që duhet bërë dhe bëhet mirë të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ata duhet ta bëjnë dorëzimin e këtyre materialeve tani”, ka thënë ai.

Për këtë ka folur edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit, Aydan Elis i cili ka thënë se nxjerrja e materialeve shfajësuese nuk duhet të shtyhet më.

“Ajo për të cilën ne duam që t’i dalim situatës përpara është që nxjerrja e materialeve shfajësuese është detyrim i vazhdueshëm për prokurorinë kështu që prokuroria nuk duhet t’i bëjë bisht për të nxjerrë materialet shfajësuese menjëherë në momentin kur prokuroria e ka një dokumentacion të tillë në duar. Ne sugjerojmë që përveç ta lidhim atë me kontrollime shtesë të synuara, ajo çfarë kërkojmë ne është që kontrollimet e synuara të cilat i ka përmendur prokuroria, pra ato të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejt me listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale, pra në qoftë se këto kontrollime lidhen me materiale shfajësuese duhet që materialet shfajësuese të na vihen në dispozicion menjëherë”, ka thënë ai.

Ndërsa nga prokuroria kanë thënë se mbrojtja po e keq përfaqëson natyrën e detyrimit sipas rregullës 103.

Sipas prokurorisë, kontrollimet janë duke u kryer dhe nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë kontrolle të reja gjatë procedurës.

ZPS-ja e ka kundërshtuar caktimin e një afati për nxjerre të tilla duke thënë se kufizimi i prokurorisë në këtë aspekt nuk është në interes të askujt.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes nga Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit po vazhdon me pikat e tjera të rendit të ditës. Ndërsa të akuzuarit po marrin pjesë përmes videolidhjes.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë./ ksp