Arbëri

Mungesa e mjekëve e vështirëson organizimin e kujdestarive në Spitalin e Prizrenit

 

Organizimi i kujdestarive në disa reparte të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit po sfidohet nga mungesa e mjekëve specialistë. Menaxhmenti i ri i Spitalit ka theksuar se në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës po punohet për gjetjen e zgjidhjes së duhur. Personel shtesë është kërkuar edhe për menaxhimin e pandemisë.

Menaxhmenti i ri i Spitalit të Përgjithshëm në Prizren po përballet me vështirësi në angazhimin e mjekëve specialistë në disa reparte. Një gjë e tillë po ndikon edhe në organizimin e kujdestarive.

Sipas drejtuesve të këtij institucioni shëndetësor, kërkesat janë adresuar në Ministri të Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për gjetjen e një zgjidhjeje, sikurse edhe për shtimin e numrit të personelit mjekësor e teknik në rast të përkeqësimit të situatës me pandeminë Covid-19.