Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i konfirmohen përçarjet

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka zbarkuar këtë javë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në kuadër të planit të monitorimit. Aty janë konfirmuar përçarjet mes menaxhmentit dhe shoqatës sindikale, ku për pasojë ka munguar një takim i përbashkët me këshillin ku do të ballafaqoheshin argumentet midis tyre. Ndaras, Këshillit janë prezantuar pretendimet për shkelje ligjore me rastin e sistemimit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, duke filluar nga pozita e zëvendëssekretarit
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka zbarkuar këtë javë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në kuadër të planit të monitorimit. Aty janë konfirmuar përçarjet mes menaxhmentit dhe shoqatës sindikale, ku për pasojë ka munguar një takim i përbashkët me këshillin ku do të ballafaqoheshin argumentet midis tyre. Ndaras, Këshillit janë prezantuar pretendimet për shkelje ligjore me rastin e sistemimit të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, duke filluar nga pozita e zëvendëssekretarit
Versione të ndryshme lidhur me emërimet dhe gradimet i janë prezantuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë gjatë vizitës monitoruese në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
KOHA ka mësuar se përplasjet midis menaxhmentit dhe shoqatës sindikale janë konfirmuar edhe nga kjo vizitë, e cila është realizuar këtë javë. Sipas burimeve të KOHË-s me gjithë përpjekjet, menaxhmenti ka refuzuar që bashkë me sindikatën t’i ballafaqojnë argumentet para zyrtarëve të Këshillit.
“Ne kemi kërkuar që takimi të jetë i përbashkët me menaxhmentin në mënyrë që para Këshillit t’i prezantojmë argumentet dhe faktet tona sa u përket problemeve që kanë shoqëruar procesin e sistemimit. Por, menaxhmenti ka refuzuar dhe takimet me Këshillin janë zhvilluar ndaras”, ka thënë burimi.
Menaxhmenti dhe sindikata nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHË-s lidhur me takimin. Sqarime nuk ka ofruar as Këshilli.
Kontestimi i organizimit dhe sistematizimit
Sipas informacioneve, sindikalistët i kanë kërkuar Këshillit kthimin e ligjshmërisë në rastin e emërimit të zëvendëssekretarit, Behar Isma, dhe udhëheqësit të Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Vigan Berisha. Të dy kanë qenë ish-zyrtarë të Ministrisë dhe Diasporës dhe janë sistemuar në MPJ pa u miratuar organogrami përkatës.
Isma, që njëherësh është drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, nga koeficienti 9, është ngritur kundërligjshëm në koeficientin 16.
Me këtë rast është kontestuar edhe Rregullorja për Organizimin dhe Sistematizimin e vendeve të Punës në MPJD, duke thënë se është në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm.
Në raportet e mëhershme, Shoqata ka theksuar se ka pozita të mjaftueshme për risistemim të zyrtarëve publikë. Sipas tyre, çdo anashkalim i këtij procesi, jo vetëm që do t’i dëmtojë zyrtarët publikë, por edhe institucionin e MPJD-së dhe shërbimin e jashtëm, “ngase të njëjtit zyrtarë tani kanë krijuar një përvojë të mirë në këtë dikaster”.
Shoqata ka kërkuar që të ndërpritet procesi i risistemimit, të rishikohen emërimet e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës dhe më pas të themelohet një komision kredibil dhe profesional, i cili do të merret me risistemim në MPJD.
Zbatim selektiv i vendimit të Këshillit
Pas përfundimit të vizitës monitoruese, Kolegji i Këshillit do të përgatisë raport me shkrim lidhur me zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Por deri tash, vendimet e Këshillit janë zbatuar në mënyrë selektive. Vendimet për shkarkime sikurse është rasti me 11 zyrtarët e pranuar në vitin 2012, ministrja i ka konfirmuar, por ka vendime që nuk janë zbatuar edhe pas aprovimit të ankesave nga ana e Këshillit. Ish-sekretarit të parë në Londër, diplomatit Viskont Jakupi, Këshilli i kishte dhënë drejtë ankesës së tij duke e cilësuar të paligjshme mënyrën sesi ishte shkarkuar. Jakupi brenda 24 orëve ishte tërhequr nga misioni diplomatik në Londër, me arsyen se ka “thënë një të pavërtetë të patolerueshme”. Por Ministria nuk ka treguar se cila ishte e pavërteta. Sipas vendimit të Këshillit, Ministria ka vepruar në kundërshtim me ligjin për shërbimin e jashtëm, ngase masat disiplinore dhe pretendimet për shkelje të rënda duhet t’i shqyrtojë Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës. Në mungesë të vendimmarrjes së Ministrisë, Jakupi ka nisur procedurën e ekzekutimit të vendimit përmes përmbarimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Ligji përcakton se tërheqja e përfaqësuesve diplomatikë para mbarimit të afatit të caktuar mbetet në diskrecion dhe kompetencë të ministres së Punëve të Jashtme. Por nuk ka kompetencë të tërheqë përfaqësuesin diplomatik për shkak të supozimeve të shkeljeve ligjore, pa u konfirmuar dhe vendosur paraprakisht nga një organ kolegjial, siç është Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës.
Pretendimet për emërime klandestine e deri te fushata hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë duke u trajtuar edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.