3 perditesime
23:31

Minxhozi: Luhatjet në raportin Kosovë-Shqipëri vetëm në fushën e ekonomisë

Raportet midis Shqipërisë e Kosovës nëse kanë pasur ndonjë ulje e ngritje varet sa ishim të aftë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, ka thënë të martën në “Interaktiv” të KTV-së, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Sipas tij, luhatjet e vetme në raport mes dyja vendeve kanë qenë në fushën e ekonomisë.

“Bashkëpunimi ka elementë të prekshëm. Të flasim për bashkëpunim kulturor, është diçka krejt normale sepse kemi krejt vlera të përbashkëta.... Për bashkimin shpirtëror, s’ka të bëjë fare politika këtu.... Ajo që ka pasur luhatje ka qenë bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, në fushën e shkëmbimeve, për shumë arsye. E para punës, kemi treg komplementar njëri me tjetrin. Duke pasur treg të tillë është vështirë të shmangen të gjithë bërrylat, gjërat e pandershme që i bën një biznes”, ka thënë ai duke shtuar se përmirësimi vjen përmes ndryshimeve legjislative.

Sipas tij, është dashur të ketë ligje më efikase për t’u përshtatur njëri vend me tjetrin.

Ai ka thënë se pasi që ligjet në Kosovë kryesisht janë bërë nga ndërkombëtarët, s’janë marrë parasysh veçoritë me Shqipërinë që të ketë zbutje për raportet mes vendeve.

“Por kjo, me kalimin e kohës është kuptuar dhe tash janë rritur këmbimet nga viti në vit. Vetëm sivjet Kosova eksporton 50 për qind më shumë se një vit më herët”, ka thënë ai.

Ai e ka cilësuar hekurudhën si projektin më të madh kombëtar për vitet e ardhshme. Sipas tij, kjo do të realizohet për pesë vjet e se ndikimet e saj do të jenë shumë të mëdha, “në ekonomi e gjithçka tjetër”.

23:26

Minxhozi për iniciativën e Shqipërisë: Gjykata Speciale ka devijuar

Inicimi i Shqipërisë për rezolutë në Këshillin e Evropës kundër raportit të Dick Martyt për luftën në Kosovë, është që ndërkombëtarët të rivlerësojnë arsyet mbi të cilat është iniciuar Gjykata Speciale e se si procesi i nisur nga ajo ka devijuar në drejtim tjetër, ka thënë të martën në “Interaktiv” të KTV-së, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Të hënën, Partia Socialiste e Shqipërisë ka depozituar në Kuvend projektrezolutën me propozimin për një “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, kundër raportit të Dick Martyt për luftën në Kosovë. Njëmbëdhjetë deputetë të kësaj partie, përmes projekt-rezolutës që pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, i kërkohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të hartojë një raport dhe të rishikojë Rezolutën 1782.

“Raporti i Dick Martyt është e sotmja sepse në mënyrë të padrejtë sot ndodhen drejtuesit kryesore të UÇK-së në Hagë dhe nisma e Parlamentit të Shqipërisë ka të bëjë me vërtetësinë e luftës së Kosovës dhe nga ana tjetër atakon arsyet pse u krijua kjo gjykatë, se si po shkon ky proces sot i zvarritur. Mendoj se është një solidaritet, jo thjesht solidaritet, por një iniciativë që edhe organizmat ndërkombëtarë duhet ta rivlerësojnë, ta shikojnë se nga çka është nisur Dick Marty ose faktorë të tjerë të asaj kohe që miratuan ngritjen e një gjykate.... Transplanti i organeve, vrasjeve, etj, ishin thelbi kryesor i kësaj gjykate dhe sot procesi ka devijuar në një drejtim krejt tjetër”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Sipas tij, kjo iniciativë s’është marrë për shkak të raporteve të afërta të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në paraburgim në Hagë.

 

23:10

“Ballkani i Hapur” nuk pengon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë

Sipas ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, iniciativa e “Ballkanit të Hapur” nuk është pengese për raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Minxhozi të martën ka thënë se për këtë flasin shifrat në rritje të shkëmbimeve ekonomike.

“Bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të jashtëzakonshme sepse ne duhet të bashkëjetojmë me komshiun kushdo qoftë ai. Është e pamundur të jetojmë pa marrë e pa dhënë në kuptimin financiar, ekonomik. ‘Ballkani i Hapur’ ka hapur diskutim shumë të madh midis qeverive tona, por siç tha kryeministri Edi Rama kjo nuk na ndan njëri nga tjetri, nuk bëhet pengesë në zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas. Për këtë flasin faktet në planin ekonomik, nga viti në vit kemi rritje, bashkëpunim, vjet kemi realizuar 430 milionë euro shkëmbime, sivjet besoj do arrijmë 500 milionë”, ka thënë ai.

Minxhozi ka thënë se s’ka gjykim për refuzimin e Kosovës për pjesëmarrje në “Ballkanin e Hapur”. Megjithatë ka thënë se gjithmonë ka vend “për t’u mirëkuptuar”.

Kosova ka refuzuar në vazhdimësi të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur” të iniciuar nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut. Në samitin e fundit, në cilësinë e vëzhguesve morën pjesë edhe Mali i Zi e Bosnja që deri tash kanë refuzuar pjesëmarrjen.

23:02

Minxhozi: Kosova nuk duhet t’i përsërisë gabimet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se gabimet e Shqipërisë nuk duhet të përsëriten në Kosovë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Minxhozi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se pas hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë, rruga drejt BE-së nuk është e largët as për Kosovën.

“Ky duhet të jetë lajm i mirë edhe për Kosovën, do të jetë një indicie e madhe për të thënë që rruga për në Evropë nuk është aq larg nëse ne do të ndërmarrim disa reforma që duket se janë tepër të rëndësishme. Gabimet e Shqipërisë nuk duhet të përsëriten në Kosovë dhe jam i bindur që edhe Kosova me hapat që po bën, urojmë që sivjet të jetë liberalizimi i vizave, të shkojë drejt rrugës për afrimin me familjen e madhe evropiane”, tha ai.

Minxhozi shprehet i sigurt se Shqipëria do të anëtarësohet shpejt në BE, pa pritur me dekada ashtu si Serbia dhe Mali i Zi të cilat kanë hapur negociatat vite më parë por që kanë ngecur.

Sipas tij, ka vullnet politik të ndërkombëtarëve që ky proces të përfundojë më shpejt me qëllimin që të ketë rajon të sigurt.

“Besoj se do ndodhë më shpejt. Gjithsej janë 35 kapituj për t’u parë, për t’u studiuar dhe mendoj që ka një gatishmëri te klasa politike e Shqipërisë që ky proces të ecën me hapa më të shpejtë. I gjithë rajoni është vonuar te ky proces, por e rëndësishme është që rrethanat gjeopolitike në rajon kanë ndryshuar si rezultat i krizës së Ukrainës. Reflektimi nuk është thjesht nga klasa politike e vendeve tona por është edhe i faktorit ndërkombëtar, sidomos euroatlantik që të kemi një rajon të qetë, pa probleme, pa kriza”.