6 perditesime
18:08

VV-ja paraqet rezolutë për kufizimin e marzhës së fitimit te produktet bazike

Lëvizja Vetëvendosje prezantoi të enjten në Kuvend rezolutë për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazike.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se ekonomia kosovare nuk ka arritur ta forcojë bazën e prodhimit vendor, e për shkak të importit të madh, qytetarët po përballen me inflacion të lartë.

“Rezoluta ofron mundësinë e vendosjes së rrjetës mbrojtëse në situatat kur hapësira për të abuzuar me pozitat dominuese ndjeshëm rritet, bashkë me probabilitetin e ndikimit negativ te një numër i madh i qytetarëve, të cilët shkallën e lëndueshmërisë e kanë më të lartë. Ajo çfarë ne po propozojmë është dhënia e mundësisë së vlerësimit real të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve të importuara dhe atyre të prodhuara në vend”, deklaroi Kusari-Lila.

Sipas saj, në kohën e inflacionit, dizajnimi i pakos për mbrojtjen e qytetarëve nga ndikimi i krizës “do të varet nga specifikat e ekonomisë së vendit.

“Me praktikën e mëhershme se ulja e TVSH-së në një sektor nuk përcillet me uljen e çmimit për konsumatorët, por rritjen e fitimit për bizneset, është i domosdoshëm mekanizmi i cili parandalon abuzimin me faktorët e lartpërmendur. Për një kohë të caktuar mban një masë në treg, e cila siguron që qytetarët nuk do të mbesin tërësisht mangësive të ekonomisë sonë”, përfundoi ajo.

Qeveria synon që të kufizojë marzhën e fitimit të bizneseve te produktet bazike.

17:09

Kuvendi miraton Projektligjin për regjistrimin e popullsisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan të enjten Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Përkrahje këtij Projektligji i dhanë edhe deputetët opozitarë.

Pas luftës, është kryer vetëm një regjistrim i popullsisë në Kosovë, para dhjetë vjetësh.

Pas rikthimit nga pauza, Kuvendi po vazhdon punimet. Në rend të ditës është edhe debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave. /ksp

13:07

Miratohet projektligji për hekurudhën Durrës-Prishtinë

Ka kaluar projektligji për marrëveshjen për hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Kjo pikë ka hyrë në rend dite me mocion procedural i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Bëhet fjalë për marrëveshjen e bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ky projekt ishte prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila është mbajtur më 20 qershor në Prishtinë.

U miratua edhe Projektligji për Komisionerin Parlamentar të FSK-së.

Në lexim të dytë janë miratuar Projektligji për Produktet Biocide dhe Projektligji për Ushqimin.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në orën 16:30, ndërkohë që pritet të mblidhet Komisioni për Buxhet për të diskutuar projektligjin për regjistrimin e popullsisë.

12:05

Haradinaj e Kurti polemizojnë për energjinë elektrike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka polemizuar me kryeministrin Albin Kurti për energjinë elektrike në vend. Haradinaj e pyeti kryeministrin se çfarë strategjie ka Qeveria e udhëhequr prej tij në rast të një kolapsi energjetik.

“Jemi në krizë të rëndë energjetike edhe pse nuk vërehet në muajt e verës. Kosova është e dëmtuar edhe nga heqja dorë e gazsjellësit amerikan. Cila është situata elektro energjetike në vend? Në çfarë gjendje janë kapacitet prodhuese në vend? A keni strategji për kalimin e një krize të mundshme energjetike? Cili është rreziku që Kosova të arrijë në kolaps energjetik? A keni menduar me lidh marrëveshje për bashkëpunim me Shqipërinë për kalimin e krizës? A keni plan për krijimin e rezervave për ngrohje?”, ishin pyetjet e Haradinaj drejtuar Kurtit.

Kurti më pas i tha Haradinajt të mos bazohet vetëm në tituj të lajmeve, por t’i lajmërojë ato deri në fund. Kreu i ekzekutivit tha se do të fokusohen për t’i ndihmuar shtresat në nevojë në rast të një krize.

“Kosova nuk do të jetë e varur në prodhimin e energjisë elektrike. Mos u bazoni vetëm në tituj të lajmeve, por lajmëroni ato deri në fund. Gazsjellësi edhe nëse do të ishte marrë, nuk do të ishte në funksion në këtë krizë energjetike. Njëri bllok është në remont ndërkaq tjetri do të hyjë në remont. Ndihma më e madhe do të koncentrohet te rastet e skemës sociale dhe në rastet në nevojë që nuk janë në skema sociale. Strategjia kombëtare e energjisë përfshin kapacitete të reja të energjisë. Gjatë mbledhjes së përbashkët me Shqipërinë është shkruar marrëveshje bashkëpunimi për investime të përbashkëta në kapacitete të reja gjeneruese. Me strategjinë do të kujdesemi që ta rifreskojmë njëjtë siç u bëmë të parët në Ballkan me investim në bateri”, deklaroi Kurti.


Lëvizja Vetëvendosje propozoi mocion procedural që të futet në rend dite marrëveshja e bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Me 79 vota për u fut në rend dite që të shqyrtohet si pikë e parë.

Deputeti Bekë Berisha propozoi që si pikë e pestë e rendit të ditës të vendoset shqyrtimi i dytë i projektligjit për komisionerin parlamentar për FSK-në.

Gjithashtu mocion është propozuar edhe për përfshirje në rend dite të projektligjit për regjistrimin e popullsisë.

 

11:36

Tahiri: Qeveria po e neglizhon sërish krizën e energjisë që po vjen

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se si GP i kanë vizituar të gjitha institucionet që janë përgjegjëse në sektorin e energjisë për të iniciuar një debat këtu për të ngritur vetëdijen dhe për të parandaluar mesazhin për një krizë energjetike e një kolaps në sektorin energjetik të Kosovës.

Ai ka thënë se në takimet që kanë pasur kanë vërejtur se ka një neglizhencë të qeverisë në trajtimin e krizës që po vjen.

“Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet për të cilat është zotuar për subvencionim të energjisë. Është e papranueshme të vazhdoje me avazin e vjetër, tri herë vitin e kaluar institucionet e patën paralajmëruar Qeverinë. Kërkojmë nga qeveria ta trajtojë urgjentisht këtë çështje. Marrëveshja për energjinë me Serbinë. Serbia ende nuk e ka dorëzuar listën e konsumatorëve dhe nuk ka ende asnjë fjalë të vetme nga Qeveria jonë”, ka thënë ai.

11:33

Bajrami e pyet Kurtin nëse mund të garantojë që s’do të ketë shtrenjtim të rrymës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke iu referuar një raportimi në media që KESCO, kompania e faturimit ka bërë kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

Ajo ka thënë se po fillon edhe një cikël tjetër i shtrenjtimit të rrymës.

“KESCO raportoi se po e kanë dorëzuar një kërkesë të tillë. ka disa muaj që e kemi ngritur çështjen që në vjeshtë ndoshta do të përballemi me një krizë energjetike por as ne nuk e kemi besuar që kjo do vijë në korrik. Tani pyetja z. Kryeministër është që ku është problemi i moszbatimit të subvencionit prej 100 milionë eurosh. A mund t’i garantoni sot qytetarët që nuk do të ketë edhe një ngritje tjetër”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se një çështje tjetër shqetësuese është që ka shifra alarmante të të infektuarve me COVID.

“Cilat janë veprimet tuaja konkrete a do të përballen spitalet me mbingarkesë, a kanë qytetarët mjete për t’i blerë barnat për shërim, a do të merr qeveria përsipër mbulimin e shpenzimeve të te infektuarve?”, ka pyetur ajo.

10:53

Miratohet projektligji për traktatin mbi ndihmën juridike Kosovë-Zvicër

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet në vazhdimin e seancës së javës së kaluar.

Deputetët kanë miratuar projektligjin për ratifikimin e Traktatit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.

Në rend dite janë edhe Votimi i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për Energjinë.

Gjithashtu ne lexim të dytë u miratua Projektligji për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë. Vetëm një nga 19 amendamentet e këtij projektligji nuk kaloi.