1 perditesime
14:02

LDK për situatën në veri: Institucionet e Kosovës nuk janë koordinuar me askënd

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar të hënën lidhur me zhvillimet e fundit në veri, duke thënë se nga dështimi i mbrëmshëm kuptuan që institucionet e Kosovës nuk ishin të koordinuara me askënd.

LDK-ja ka thënë përmes një komunikate për media, ka kërkuar koordinim me aleatët ndërkombëtar, sipas së cilës, është kushti i vetëm për sukses.

“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme. Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet. Opozita mund të ndihmojë Qeverinë që të mos gabojë, por nuk mund të marrë përsipër dështimet e saj. Mbështesim vendosjen e reciprocitetit, si masë e drejtë e çdo shteti sovran. Në të njëjtën kohë, koordinimi me aleatët tanë është kërkesë e përhershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ky koordinim është kushti i vetëm i suksesit”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

12:48

PDK: Aksion i papërgatitur në veri, Qeveria do të duhej të koordinohej me aleatët

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur situatën e krijuar së fundmi në veri të vendit, dështim në realizim të vendimeve të Qeverisë që po krijon përshtypje se veriu është i pamenaxhueshëm dhe situata në këtë pjesë është jashtë kontrollit të shtetit.

Në një konferencë të mbajtur të hënën, Çitaku ka thënë se veprimet e Qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë ndërkombëtarë dhe jo “të ftohen dhe të dëgjohen në momentet e fundit të krizës”.

Ajo më tej ka shtuar se është e paqartë kjo situatë, derisa ka kërkuar nga Qeveria të shpjegojë se cili është vendimi i ri.

“Është shqetësues konfuzioni i krijuar në publik në lidhje me situatën në veri. Është e rëndësishme që Qeveria të shpjegojë qartë se cili është vendimi i ri dhe cila është situata, a është shtyrë vendimi për zbatimin e reciprocitetit apo jo. Presim nga Qeveria që të tregojë seriozitet, të sillet përgjegjshëm. Situata si ajo e mbrëmshme nuk guxojnë të përsëriten në shtator kur të fillojë zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, situata e 31 korrikut ka dëshmuar mosseriozitet të Qeverisë, aksion të papërgatitur, të paplanifikuar dhe të pakoordinuar me aleatët ndërkombëtarë.

“Ne nuk guxojmë të bëjmë veprime të tilla pa i menduar mirë”, ka thënë ajo.