4 perditesime
14:56

Miratohet rezoluta e AAK-së lidhur me mosliberalizimin e vizave

Më 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të mërkurën Rezolutën e AAK-së në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetët e opozitës, gjatë diskutimeve të tyre e kritikuan edhe pushtetin aktual për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.


15: 15 - S’ka kuorum për ta votuar propozim-rezolutën e VV-së për rritjen e çmimeve

Kuvendi i Kosovës nuk pati në seancën e së mërkurës kuorum për vendimmarrje, për miratimin e propozim-rezolutës së Lëvizjes Vetëvendosje për adresimin e rritjes së çmimeve.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 68 deputetë, por vetëm 54 votuan pro.

Kuvendi nuk ka arritur ta miratojë as raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.

13:53

Zemaj: Për mosliberalizim nuk duhet të fajësohet vetëm BE-ja, por edhe ata që janë në krye të shtetit sot

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se për mosliberalizimin e vizave nuk duhet të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian, por sipas tij, edhe ata që sot janë në krye të shtetit.

Sipas Zemajt, Kosova ka mundur të jetë në një paketë me Gjeorgjinë për liberalizimin e vizave, por u shpreh se zyrtarët që janë në krye të shtetit e penguan me gaz lotsjellës në Kuvend.

“Edhe ne si Grup Parlamentar i LDK-së i shprehim shqetësimet tona për mosliberalizim të vizave. Për këtë padrejtësi të madhe të qytetarëve tanë nuk mund ta fajësojmë vetëm BE-në. Ne e kishim një mundësi të artë më 2015-2016 por të gjithë e dimë që kjo u pamundësua nga disa zyrtarë që sot janë në krye të shtetit. U shfrytëzuan edhe mjete të quajtura politike për ta penguar. Sot kur jemi në rrethana të reja është konsideruar që është situatë e favorshme të bëhet përmbyllja e çështjes së regjimit të vizave”, ka thënë Zemaj në Kuvend.

Deputeti i LDK-së u shpreh se Kosova i ka përmbushur kushtet për liberalizim të vizave.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reqica, ka thënë se ata janë në mbështetje të agjendës evropiane, mirëpo thotë se e njëjta gjë do të duhej të ndodhte edhe nga Qeveria

“Agjenda e integrimit evropian nuk është vetëm liberalizimi. Por meqë ka kohë të gjatë që jemi duke u ballafaquar me një situatë të tillë ku si shtet i kemi plotësuar te gjitha kriteret dhe pas demarkacionit me Malin e Zi është e padiskutueshme që Kosova i ka plotësuar kushtet e vëna nga BE. Për këtë rezolutë dhe këtë qëndrim kemi punuar te gjithë së bashku. Ne jemi në mbështetje të proceseve të agjendës evropiane, por e njëjta gjë do të duhej të ndodhte edhe nga Qeveria e Kosovës e cila duhet ta dijë se pa bashkëpunim të ndërsjellë me opozitën nuk mund ta kalojë këtë proces”, ka thënë ai.


Image

Bajrami: Ata që kanë hedhur gaz lotsjellës duhet t’i kërkojnë falje qytetarëve

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se të gjithë deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës kur u përpoqën ta pengojnë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi duhet t’u kërkojnë falje qytetarëve, pasi sipas saj, ato veprimet e kanë lënë Kosovën pa viza.

“Të gjithë e dimë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet. Kosova e ka pasur mundësinë ta plotësojë vetëm edhe një kusht qe ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin. Të gjithë deputetët që në atë kohë kanë hedhur gazlotsjellës dhe e kanë penguar atë, nuk është keq të dalin dhe tÇu kërkojnë qytetarëve falje dhe te mos hedhin akuza të pabaza”, ka thënë ajo në Kuvend.

Sipas Bajramit, korrupsioni s’ka qenë asnjëherë problem për liberalizimin e vizave, ashtu siç dikur pretendonte Lëvizja Vetëvendosje.

“Korrupsioni asnjëherë nuk ka qenë pengesë. Po ta shihni në raportin e Transparency International, Serbia qëndron më keq se Kosova në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria poashtu. Madje në vitin 2021 Transparency International e ka radhitur Kosovën aty ku ka qenë edhe në vitin 2017. Nëse keni bërë luftë specifike kundër korrupsionit dilni tregoni me fakte. Në mesin tuaj ka njerëz që kanë punuar me të gjitha qeveritë e pasluftës e sot dalin flasin për qeverisjen 20-vjeçare”, shtoi ajo.


Abazi: Kemi hapur dyer që nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, njëherit kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka thënë se Qeveria Kurti ka hapur dyer nëpër Evropë që nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit.

Abazi në foltore të Kuvendit ka thënë se nëse rezoluta që e ka propozuar kryesuesi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ndihmon çështjes së liberalizimit të vizave atëherë nuk do ta kundërshtonte.

“Edhe kjo ideja e fjalimeve politike nuk është se i bën nder as Parlamentit as deputetëve individualë. Është e pavërtetë që nuk kemi punuar, kemi hapur dyer që ndoshta nuk janë hapur në 5-6 vjetët e fundit. Kjo nuk do të thotë që rezultatet do të preken menjëherë. Është e vërtetë që para 1 muajve komisioneri Varhelyi foli në mënyrë aksidentale e ndoshta edhe jo aksidentale për udhërrëfyes për viza, por mendoj që reagimi institucional ka qenë në formën e duhur, që kanë lëshuar deklarata se Kosova nuk ka nevojë për asnjë udhërrëfyes të tillë. Nëse z. Tahiri tregon se në çfarë forme konkrete kjo rezolutë i ndihmon liberalizimit, sigurisht se nuk do të diskutohet çështje se një instrument i tillë ka ardhur prej opozitës”, tha Abazi.

Image
13:42

Tahiri propozon rezolutë për mosliberalizimin e vizave nga BE-ja

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë të mërkurën se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të kenë një qëndrim të qartë për mosliberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët kosovarë.

Për këtë, Tahiri ka propozuar një rezolutë.

“Ne e kemi thirrur këtë debat duke e parë të nevojshme që Kuvendi të ketë një qëndrim dhe përmes një rezolute ta ngrisim këtë çështje edhe te BE-ja për një vendim meritor”, ka thënë ai.

13:30

Nis seanca me aprovimin e mocionit nga AAK-ja

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e planifikuar për të mërkurën.

Aleanca për Ardhmërin e Kosovës propozoi mocion që si pikë e parë e rendit të ditës të dalë debati parlamentar për mosliberalizimin e vizave.

Nga 64 deputetë të pranishëm, të gjithë votuan pro. 

07:48

Kuvendi mblidhet sot, në rend dite pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara

Kuvendi i Kosovës do të mbajë vazhdimin e seancave plenare të mërkurën duke filluar nga ora 13:00, ku në rend dite janë shtatë pikat e papërfunduara nga 21 korriku dhe dy pikat e seancave të 28 e 29 korrikut.

Në rend dite do të jetë edhe votimi i propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve.

I. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 21 korrik 2022:

10. Votimi i propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve,

11. Shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021,

12. Shqyrtimi i raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT për vitin 2021,

13. Shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës,

14. Shqyrtimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”,

15. Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit,

16. Debat parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.

II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 28 dhe 29 korrik 2022:

9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore,

12. Shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për 2021.