2 perditesime
11:23

Kurti: 11 vjet ka pasur pritje për zbatimin e këtyre vendimeve, tash për një muaj ka nxitim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë. Sipas Kurtit, 11 vjet ka pasur pritje për zbatimin e këtyre vendimeve, ndërsa tash për një muaj ka nxitim.

Kurti përsëriti se Beogradi zhvilloi një fushatë të egër dezinformimi dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse shtyu zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 vjetëve, ne po fillojmë ta zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje, ndërsa tash në më pak se një muaj ka nxitim. Ky një muaj qenka më i rëndë se ato 11 vjet. Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi, ne kemi pranuar te faktorët ndërkombëtarë që ta shtyjmë zbatimin e vendimin deri në shtator. Nga ne është bërë mjaftueshëm, por është zhvilluar një fushatë e egër nga Beogradi. Janë barrikada që vijnë nga lartë. Me punë dhe angazhim gjithçka do ta përmbyllim mirë. Ne jemi të vendosur në këtë që bëjmë. Në rrethanat që ndodhemi, e kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm. Më mirë me 1 shtator se hiç. E edhe më mirë do të ishte të zbatohej që nga viti 2011, kur u arrit marrëveshja në Bruksel”, ka thënë Kurti në Kuvend.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë luftim të krimit e korrupsionit në veri sesa tash. Para 4 vjetëve kryekrimineli atje që është sot Radojçiq është pritur në zyrë të kryeministrit a sot ka flet arrest dhe është në listë të zezë të SHBA-së. Ka ardhur në veri për një video dhe është në Serbi. Ky është dallim i madh. Mos më shitni patriotizëm dhe moral se ju njohim mirë”, u shpreh Kurti në fund duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili e quajti kryeministrin "good guy". 

Këtyre akuzave iu përgjigj Haradinaj, i cili pyeti Kurti për ministrin Goran Rakiq.

“Mos merr merita për listën e zezë. Atë e ka bërë SHBA-ja. Kallxona çka po bëhet me Rakiqin. Ti je në karrige me të”, ka thënë Haradinaj.

Por Kurti i kujtoi Haradinajt se pjesëmarrja e Listës Serbe në Qeveri është obligim kushtetues.

“Unë gjithmonë kam qenë ‘good guy’. Çfarë vlere paska mos me qenë ‘good guy’? Kam besuar në atë që them dhe kam vepruar në atë që kam besuar. Unë jam radikal për nga tema. S’kam koalicion me Listën Serbe. Është obligim kushtetues për të cilin unë kam qenë kritik”, shtoi Kurti.


Bekim Haxhiu ka thënë se asnjë parti më shumë se PDK-ja nuk ka bërë më shumë për ta shtrirë sovranitetin në veri.

“Asnjë parti nuk ka punuar më shume për veriun se PDK-ja. Për herë të parë ka filluar kthimi i shqiptarëve nga jugu në veri. Me PDK-në është rrëzuar muri ndarës në lumin Ibër, me PDK-në është ndal treni i Serbisë”, ka thënë Haxhiu, i cili pati akuza edhe për korrupsion në Qeverinë Kurti.

Por Kurti ka thënë se është kryeministri që nuk e ka asnjë numër të prokurorit apo gjykatës, duke shtuar se është i interesuar të hetohen çdo pretendim për korrupsion.

“Ju posa e shpjeguat se pse disa gjëra nuk janë kryer në të kaluarën sepse e keni pasur logjikën e shtetit parti e partisë shtet. Unë subjektin tim nuk e përmenda asnjëherë se këtë e kanë bërë zyrtarët e shtetit e jo partia siç thatë ju. Ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime sepse më parë e ka dirigjuar partia. Kosova ka 200 prokurorë, 400 gjykatës, unë jam kryeministër i Kosovës që se ka numrin e asnjërit prej tyre. Çfarëdo pretendime për korrupsion kurrë nuk do ta kenë mburojën e kryeministrit sa të jem unë ai. Të gjitha pretendimet për korrupsion, jam i interesuar t’i hetojnë”, ka thënë Kurti.

11:13

Haradinaj e quan Kurtin “good guy”: Më mirë të mos nisesh fare, se të nisesh e të kthehesh mbrapa

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “good guy” [djalë i mirë], derisa ka pasur kritika për çështjen e targave në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë.

Haradinaj e përmendi disa herë fjalën “good guy” gjatë fjalimit në Kuvend, duke iu referuar përmirësimin të marrëdhënieve mes Kurtit dhe ndërkombëtarëve.

Ai gjithashtu pati kritika për tërheqjen e Kurtit nga veriu, pasi sipas Haradinajt, është më mirë të mos nisesh fare sesa të nisesh e të kthehet mbrapa.

“Po e shoh që janë të ekzaltuar në Vetëvendosje që për faktin që kryeministri i tyre është bërë ‘good guy’, po e lavdërojnë ndërkombëtarët. Por është një problem i këtij ‘good guy’. Qe ku ka përfunduar ‘good guy’, shko para ktheu mbrapa shko para kthehu mbrapa… Edhe a e din kush ia thotë këto? Lajçaku. Lajçaku së pari e thirr Vuçiqin edhe i thotë Kurtit kthehu mbrapa. Për me i zgjidh punët e brendshme ky kryeministër duhet t’ua rritë rrogat policëve, jepju shtesa, garancë, ligje e sigurim pensional. Ky rrin në jug e njerëzit i çon në veri. Më mire është mos me u nis se me u nis e me u kthy mbrapa. Ktheji fuqitë e tua kryeministër, me ato që ke hyrë në politikë”, ka thënë Haradinaj.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i ka ngritur disa pyetje për kryeministrin e Kosovës lidhur me vendimet për letërnjoftimet dhe targat.

Ai ka thënë se nuk e di çfarë do që të arrijë Albin Kurti me këto vendime. E, frikë për të, tha se është shndërrimi i dialogut Kosovë-Serbi në temë tjetër nga ajo çka është negociuar prej vitesh.

“Çka dëshiron të arrijë kryeministri me vendimet e fundit në veri? A është qëllimi që të krijojë asociacion të komunave? A është qëllimi që me shndërruar dialogun nga një dialog për normalizim në një dialog të çështjeve të sigurisë? A është qëllimi që të zhvendoset vëmendja nga kriza ekonomike e politike në vend. Frika ime është që pas të dielës kryeministri do të merret me dialog me problemet që i ka shkaktuar vetë”.

10:53

Tahiri: Kurti s’ka gatishmëri për reciprocitet të plotë me Serbinë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka gatishmëri të vendosë reciprocitet të plotë me Serbinë, pasi sipas tij, një gjë të tillë do ta fillonte me reciprocitetin ekonomik.

Tahiri thotë se me përzgjedhjen e masave që po bën Kurti “po krijohet përshtypja se këto masa janë për qëllime instrumentale”.

“Nëse do t’i përmbaheshim reciprocitetit të plotë, ai duhet të zinte vend së pari në fushën e ekonomisë. Po flas për reciprocitet që garanton kushte të barabarta për ndërmarrësit e të dyja vendeve. Kjo ka pasoja direkte ekonomike për të penalizuar prodhuesit tanë. Ky do të ishte ndër hapat më të rëndësishëm. Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, kjo përzgjedhje e masave po na jep përshtypje që këto masa janë qëllime instrumentale”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit të enjten.

Tahiri ka kërkuar nga Qeveria qartësi për rrugën që ka marrë procesi i dialogut dhe nëse ajo po i përmbahet parimeve të saj.


Image

Hoti: S’ka pasur koordinim të duhur me ndërkombëtarët për targa e letërnjoftime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka këmbëngulur se s’ka pasur koordinim të duhur me partnerët ndërkombëtarë për çështjen e targave në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftimet.

“Është fakt që koordinim të brendshëm nuk ka pasur dhe duket që as koordinim të duhur me partnerët ndërkombëtarë nuk ka pasur”, ka thënë Hoti në Kuvend.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kishte konfirmuar se vendimet e Qeverisë ishin në koordinim me ndërkombëtarët.