Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se rreziku i një konflikti me Serbinë është i lartë.
Në një intervistë për median italiane “La Repubblica“, Kurti u shpreh se mundësitë për një luftë në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë janë shumë të larta.
Në reagimin e tij në Facebook, Abdixhiku thotë se paniku rreth luftës e destabilitetit është në interesin e vetëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe Serbisë, teksa mesazhi i Kurtit për luftë e dëmton imazhin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Abdixhiku ka thënë se Kurti ka arritur t’i bëjë konkurrencë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës prodhoi.
“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë. Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më. Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarake, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërtetë duhet ta ushqejmë çdo ditë - duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”, ka shkruar Abdixhiku.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.