1 perditesime
23:38

Gashi: Kosova të jetë e ashpër në ide e qëndrime në dialog

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, ka thënë se Kosova duhet të jetë e ashpër në ide dhe qëndrime sa i përket dialogut me Serbinë në Bruksel.

Në një intervistë për emisionin Interaktiv të KTV-së të enjten, Gashi ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ekipi i tij në dialog, duhet të jenë të ashpër në qëndrime, por jo në qasje.

“Më duket se ajo që është thënë dhe shpresoj që do të ndodhë është një marrëveshje për personat e zhdukur, gjithsesi do të ishte një hap i mirë tutje, kjo do të ishte diçka pozitive që do të dilte nga takimi, por i bashkëngjitem mendimeve që presin që aty do të ketë shkëmbime të ashpra, pozicione të forta nga të dyja palët, do të këshilloja palën e Kosovës, kryeministrin Kurti dhe ekipin e tij që në rast se ka një ashpërsim të tillë, Kosova të jetë e ashpër në ide dhe qëndrime por jo në qasje, të tregojë një qasje të gatshme për t’u takuar, për të arritur progres dhe për të arritur deri te njohja e ndërsjellë dhe të bëhet e qartë se Kosova është e gatshme për progres dhe të mos i lihet ndonjë faj”, ka thënë ai.

Më tej Gashi ka thënë se Kurti në intervistat e fundit është treguar luftëparalajmërues dhe jo luftëndjellës.

“Unë më shumë e kam parë se luftë paralajmërues dhe agresion paralajmërues sesa luftë apo agresion ndjellës. Qasja e kryeministrit duket sikur bota është bërë më e brishtë që nga lufta në Ukrainë, shtetet autokratike që tentojnë të sfidojnë rendin euroatlantik, po marrin veprime konkrete në këtë drejtim, kjo nënkupton që këto veprime mund t’i marrë edhe Serbia. Serbia mundet edhe të testojë qasjen e NATO-s sidomos ndaj vendeve ku ka banorë me shumicë serbe”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, Bashkimi Evropian duhet ta shohë rolin e saj për të përafruar palët, për të ofruar zgjidhje, apo për të kërkuar nga palët zgjidhje.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Gashi ka thënë se nëse pozicioni i Kosovës është kundër Asociacionit njëetnik, ajo duhet të artikulojë se për çfarë asociacioni është, që në njëfarë forme të mos shihet Kosova si refuzues apo si konfliktndjellës, por të shihet si pala që sjellë zgjidhje dhe që shikon të mënjanojë dhunën.

“Besoj që nëse Asociacioni kërkohet nga Kosova para marrëveshjes përfundimtare për njohjen e ndërsjellë, mendoj se do të duhej të kishte proaktivizëm nga Qeveria që të mendojë për Luginën e Preshevës dhe për një përfaqësim të asaj Lugine ashtu siç po kërkon Serbia përfaqësim me komunat me shumicë serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se Kosova me anë të dialogut duhet të kërkoj kornizë që e ndanë marrëveshjen e madhe (v.j. me njohjen reciproke në qendër) prej marrëveshjeve të tjera veç e veç.

“Kosova me anë të dialogut duhet të kërkojë një kornizë që thotë se janë disa marrëveshje që mund të pajtohemi jashtë marrëveshjes së madhe, por ne duhet ta dimë një cak të këtij dialogu dhe kur do të mund të arrijmë marrëveshjen e madhe, pra nëse ka marrëveshje veç e veç le të jenë ato vetëm për çështje shumë praktike që mund të bëhen menjëherë, por që temat politike të futen në këtë marrëveshje të madhe dhe të ketë në bashkëpunim me aleatët një datë të saktë se kur do të ndodhë kjo marrëveshje e madhe, shpresoj të ndodhë në kohën e Administratës Biden”, ka thënë ai.

23:04

Gashi: Serbia sot shumë më larg njohjes së Kosovës sesa para 10 vjetësh

Serbia sot është shumë më larg njohjes së realitetit në Ballkan dhe njohjes së Kosovës sesa në kohën kur ka nisur dialogu, para 10 vjetësh, ka thënë Drilon Gashi, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duke folur të enjten mbrëma në “Interaktiv” të KTV-së, Gashi ka thënë se përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë që ta rishkruajnë historinë në lidhje me Kosovën, e dëshmon këtë më së miri.

“Në kontekstin e politikës në Serbi është se jo vetëm se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës mirëpo kanë filluar t’i kthejnë prapa disa zotime që i kanë bërë më herët. Por edhe përpjekja e vazhdueshme e Serbisë që ta rishkruajë historinë në lidhje me Kosovën, dhe ato që ka bërë shteti serb në rajon, po tregon se është shumë më larg sot Serbia drejt njohjes së realitetit në Ballkan dhe njohjes së Kosovës sesa në kohën kur ka nisur dialogu, para 10 viteve”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se është pozitive përfshirja e SHBA-së në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi siç ka thënë, atëherë kur mungon vendosmëria e BE-së, është vendosmëria e SHBA-së.