Xhafer Tahiri, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se realizimi i buxhetit në pjesën e parë të vitit është vetëm 9% dhe më i ulëti në 10 vjetët e fundit.
Në një konferencë për media ai ka thënë se paaftësia e Qeverisë po shihet në raportin 6-mujor të shpenzimeve kapitale.
“Ky mosefikasitet i Qeverisë në mosrealizim të projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, zvogëlim të numrit të vendit të punës, rritje të varfërisë, dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”.
“Është skandal i madh që katër ministri të Qeverisë e kanë zero përqind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022”.
Tahiri tha se ka zero përqind realizim të projekteve dhe se Ministria e Ekonomisë nuk e ka realizuar fare buxhetin.
"ME ka realizuar buxhetin në masë prej 0%. Është paradoksale se si ME zgjedh të mos realizojë asnjë investim kapital të paraparë. Ekonomia nuk e duron populizmin sepse gjithçka që shumëzohet me zero, zero mbetet”.
Ministri të tjera sipas Tahirit me realizim 0% të buxhetit për investimeve kapitale janë edhe MINT dhe MAPL.
Kurse, Jehona Lushaku nga LDK ka thënë se për investime kapitale në 6 muajt e parë të këtij viti, Ministria e Financave ka arritur të realizojnë vetëm 1 përqind.
“47 projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e sistemeve për menaxhimin e financave publike, kanë zero realizim nga kjo ministri. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka më shumë se 5 përqind realizim për investimet kapitale të dedikuara për 6 muajt e parë. Është kontradiktore se si javën e kaluar kryeministri fliste për luftën, ndërkohë që arrin të investoj vetëm 5 përqind të buxhetit të kësaj ministrie në pajisjet dhe forcimin e ushtrisë së Kosovës. Do të thotë nga 53 milionë euro të dedikuara për investime kapitale për ushtrinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka realizuar vetëm dy milionë nga to. Ushtria e Kosovës meriton qasje serioze, meriton forcim e jo vetëm 5 përqind realizim të mjeteve kapitale. Ministria e Punëve të Brendshme me ç’rast ka shpenzuar vetëm 12 përqind të buxhetit të dedikuar”, tha ajo.
Lushaku u ndal edhe te gjendja e rëndë në sektorin e shëndetësisë, thënë se Ministria e Shëndetësisë ka arritur të realizojë vetëm 5 përqind të buxhetit të dedikuar për investime kapitale. Ajo foli edhe për Ministrisë e Arsimit dhe atë të Infrastrukturës, Bujqësisë dhe Ministrisë së Jashtme.
“Kjo qeveri dëshmon se është e pa aftë, rrjedhimisht duke mos ekzekutuar buxhetin që ka, do të mbetet një qeveri e zerove”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.