1 perditesime
23:29

Kllokoqi: Kapacitetet e ministrive po përqendrohen në menaxhim të krizave

Eksperti në sekretariatin e komunitetit të energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi, ka thënë se kapacitetet e ministrive e qeverive tash më tepër po duhet të përqendrohen në menaxhim të krizave sesa në planifikime afatgjate.

“E kam pasur edhe një diskutim, se përderisa je politikbërës, e duhet menduar për plane afatgjate, gjithë kohën tash po duhet të punosh si zjarrfikës për të shuar krizat që dalin në bazat ditore. Kapacitetet e qeverive e ministrive janë të përqendruara më tepër në menaxhim të krizave sesa në gjetjen e një zgjidhje afatmesme apo afatgjatë në sektorin e energjisë”, ka thënë Kllokoqi në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se çfarë mund të bëhet është të stimulohet konsumatori për të përdorur sisteme më efiçiente për nxemje, si pompat termike. Ka thënë se është momenti i fundit të merren masat.

Ai ka thënë se në vende të Evropës ka reduktime, porse bëhen me marrëveshje.

“Konsumatorët pyeten se me çfarë çmimi do të pranonin të reduktohet rryma nëse duhet bërë. Kur ka mungesë operatori i pyet konsumatorët të reduktojnë konsumin apo e redukton me çmim të paracaktuar. Me masat emergjente edhe në Gjermani ka reduktim jashtë tregut, por e bën me një vlerësim operacion. Shihet se cilat resurce të reduktohen e që nuk kanë ndikim të madh te konsumatorët. Në Kosovë ka reduktim sistematik, por kjo duhet të ndërrohet. Nëse duhet të paguash për të importuar energji me çmime të larta, atëherë pse të mos pyeten konsumatorët se për çfarë shume do të pranonin reduktimin, e të mos paguhen ata”, ka thënë Kllokoqi.

Kllokoqi, ka thënë se rritja e tarifave me bllok-tarifë është mundësi e mirë.

Ai ka thënë se nëse dimri do të jetë si vitin e kaluar, duke u marrë edhe masa tjera, mund të mënjanohen reduktimet e energjisë elektrike.

Sipas tij, Evropa ka ndërmarrë masa që t’i mbushë kapacitet akumuluese të gazit. Shton se deri tash, kjo mbushje e kapaciteteve po shkon mirë, ndonëse mund të mos arrihet niveli i kërkuar.

Kllokoqi ka thënë se ka pasur neglizhencë totale nga Elektroseveri për ta implementuar udhërrëfyesin për rrymën në veri.

Ai ka thënë se duhet të mendohet plani B, që në mënyrë graduale nga institucionet publike të faturohen, pastaj bizneset.

23:16

Kllokoqi: Për aq kohë sa do të importojmë rrymë, do të ketë situatë të vështirë

Eksperti në sekretariatin e komunitetit të energjisë në Vjenë, Arben Kllokoqi, ka thënë se për aq kohë sa do të ketë import të energjisë elektrike, do të ketë situatë të vështirë.

Ai ka thënë se ishte i çuditshëm fakti që u paralajmëruan reduktime.

Kllokoqi në Interaktiv të KTV-së ka shtuar se mënyra se si furnizohet Kosova, është furnizim afatshkurtër nga KESCO.

“Subvencionimi duhet të paguhet meqenëse është premtuar. Në tregun e energjisë nuk ka restriksione se cilat kompani mund ta blejnë apo shesin energjinë. Nuk shoh pengesë që KEK-u ta bëjë këtë me KESH-in. Nëse reduktimet kanë qenë si rezultat i asaj që KESCO nuk ka pasur të hyra ta paguajë importin, në këtë rast edhe KEK-u mund të garantojë që përmes të hyrave të tij të blejë energji elektrike që pastaj t’ia shesë KESCO-s me çmim më të reduktuar. Unë e shoh shumë më të lehtë që subvencioni t’i jepet KESCO-s”, ka thënë ai.

Kllokoqi ka thënë se humbjet në sistem duke përfshirë edhe vjedhjet, janë problem strukturor i sistemit.

Sipas tij, dy vjet më parë ka pasur ulje të humbjeve.

Ai ka thënë se është momenti më i mirë që tash të merremi me uljen e humbjeve të energjisë elektrike.

“Duhet bëhet kërkesë për ruajtje të energjisë elektrike. Ka kërkesa të vazhdueshme gjithandej në vendet e Evropës për kursim të energjisë elektrike. Kjo kërkesë duhet të merret seriozisht. Sa mund ta parandalohet ndikimi i rritjes së çmimit te konsumatorët, kjo varet nga Qeveria. Subvencionet jepen për qytetarët. KESCO si furnizues nuk e merr asnjë cent nga subvencioni, porse kjo duhet të monitorohet”, ka thënë ai.